Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 ANALIZË| Edukimi i dështuar politik

ANALIZË| Edukimi i dështuar politik

Së bashku me kolektivin ka dështuar edhe individi. Së bashku me publiken ka dështuar edhe privatja. Aty nuk dështon veç nxënësi, aty dështon edhe prindi, mësuesi, drejtori dhe ministri. Dështon shoqëria. Një sistem i tillë shkollimi krijon qytetarin e dështuar politik, modus operandi i të cilit është servilizmi dhe apatia dhe si rezultat pritet vdekja politike e shoqërisë në tërësi

Nga Latif MUSTAFA

Se çfarë mund të quash dështim, e çfarë mund të quajmë përparim e sukses është relative, por me siguri që, meqë ekzistojnë si nocione, ato bazohen në një standard shënjimi dhe konceptimi. Sukses, në kutptimin më të thjeshtë, do të ishte arritja e një qëllimi të paracaktuar përmes një metodologjie të mirëllogaritur dhe në respektim të plotë të etikës dhe dinjitetit njerëzor. Në të kundërtën, sukses, nuk do të konsiderohej një arritje e cila është realizuar përmes një rruge jo të drejtë dhe korrekte. Në politikbërje, në raport me marrjen dhe ruajtjen e pushtetit, mirëfilli dihet historikisht se metoda për një arritje të paracaktuar, nuk i nënshtrohet ndonjë etike apo përgjegjësie universale. Qëllimi është më i rëndësishëm se mjeti. Por në suaza të përgjithshme, sukses quhet arritja e cila, shënon arritjen e një qëllimi të caktuar, fillimisht në nivel individual, dhe kushtimisht, në nivel publik dhe kolektiv, diçka që i shërben të mirës publike. Nëse ky përfitim është vetëm individual, është krejt i mirë se ardhur dhe i mirëqenë në qoftë se nuk dëmton interesin publik. Njëra ndër fushat e veprimit social, ku interesi i vetëm është veç publik dhe assesi privat është edukimi. Suksesi privat dhe individual në edukim është gjithmonë kolektiv, rrjedhimisht individual, ngaqë është e vetmja fushë ku publikja dhe privatja janë kaq të ndërthurura me njëra tjetrën.

Edukimi është një proces i gjatë dhe gjithëpërfshirës. Ky proces fillon qysh në vegjëli, gjegjësisht, kur fëmija fillon perceptimin dhe dallimin e figurave të perceptuara. e deri në pleqërinë e tij, kur ai arrin në zgrip të jetës dhe hamendet për ekzistimin e një jete tjetër ose alternative. Edukimi shpesh është cilësuar si dresurë, imponim mekanik i vetive dhe shprehive të përfituara në mënyrë të dhunshme dhe antihumane. Në botë, sot zhvillohet një debat rreth metodave efektive dhe më të përshtatshme të edukimit. Edhe pse sistemi aktual ose i deri tanishëm, meqë kemi ndryshime drastike po ashtu, i referohet sistemit industrial të zhvillimit shoqëror të shekullit XVIII, në periudhën kur qytetërimi perëndimor po formësohej drejt etapave të saj finale. Sistemi edukativ i shekullit XVIII është miniaturë e funksionimit dhe hierarkisë së një fabrike ku punëtorët janë si nxënësit. Me një fjalë, nxënësit përmes këtij sistemi pak a shumë përgatiteshin të jenë pjesë e një ingranazhi më të madh industrial. Vetëm familjet e pasura që kishin mundësi t’i siguronin edukim privat fëmijëve të tyre, arritën disi të krijonin tipologji të tjera të individit intelektual dhe akademik të shekullit në fjalë. Megjithatë, edukimi shkollor, publik ose privat, mbetet institucioni i vetëm përmes të cilit individi arrin të krijojë, t’i kultivojë dhe mbishtresojë shprehitë morale, aftësitë kognitive dhe shkathtësitë estetike. Përtej këtyre niveleve, edukimi shkollor, në formë të eklipsuar dhe gjithëpërfshirëse në sfondin e saj si një dorë e padukshme krijon dhe edukon politikisht qytetarin e ardhshëm, aktivistin dhe militantin politik.

Edukimi shkollor është edhe edukim politik. Edukimi në shkolla e mëson njeriun të respektojë një rend. Rendin publik. Organizimi dhe rendi në shkollë e në klasë i përngjet rendit të përgjithshëm publik, para së gjithash. Shkolla është një habitus, një univers ku legjitimiteti dhe autoriteti është produkt i dijes. Autoritet në klasë është mësuesi ngaqë është më i dijshmi. Ai që mban rendin është po ashtu mësuesi sepse është më i dituri. Sjelljet, bindjet dhe mënyra e ofrimit të dijeve të tij krijon tipologjinë e qytetarit të ardhshëm. Mësuesi i ashpër krijon servilin dhe në nënshtruarin në shumicë, kurse të revoltuarin dhe rebelin në pakicë. Mësuesi kooperues ndërton demokracinë, tipin e qytetarit të kontratës sociale. Sipas kësaj, të gjithë aty ndodhen për të mirën publike. Në anën tjetër, për nxënësit klasa dhe shkolla janë hapësirat publike. Është shkolla, vendi dhe ambienti ku ai mëson vlerën e të përbashkëtës, vlerën e publikes. Shkolla nuk është sikur shtëpia e tij, është diçka më e madhe. Shkatërrimi i saj e penalizon, jo vetëm atë por edhe prindin e tij. Xhepin e tij. Autoritetin e familjes që përfaqëson nxënësi. Orët dhe kurrikula janë pjesa kryesore e një edukim politik. Historia, gjeografia dhe letërsia janë lëndët që kanë ndikimin më të madh në formësimin e personalitetit të tij intelektual, kurse muzika dhe arti figurativ ndërtojnë shpirtin dhe shkathtësitë estetike, matematika dhe të ngjashme zhvillojnë aftësitë kognitive – kalkuluese. Socialja dhe mirësjellja mësohen në orën e kujdestarisë. Shkolla, thënë në pak fjalë, është i gjithë opusi dhe prapavija e një shpërfaqjeje të ardhshme të qytetarit modern.

Menduar dhe diskutuar në këtë frymë sistemi jonë edukativ dhe kualiteti i ofruar në të,len për të dëshiruar. Këtë e dëshmojnë rezultatet tejet të dobëta të PISA-s. Ekzaltimi i të riut tonë me skemat piramidale elektroinike të ngjashme si Big Commerce, mos aftësia e planifikimit dhe pritjes së rezulatit pas punëve të rënda dhe sistematike ka të bëjë me dështimin e sistemit edukativ në mësimin e shprehisë së mendimit dhe punës që fitohet me djersë. Aq më tepër ky dështim vjen në saje të mungesës së debatit tonë të përgjithshëm për çalimet e sistemit tonë edukativ, partiakizimin e tij dhe pamundësinë e ndërhyrjes në të. Gjersa në qytetërimin perëndimor, pjesë e të cilit synojmë të bëhemi plotësisht, diskutohet për aspektet më të ndjeshme përmbajtësore të edukimit modern të cilët, sipas kritikëve, po krijojnë një njeri njëdimensional dhe të papërshtatshëm për nevojat e shekullit XXI, tek ne, në shoqëritë tona letargjike dhe rrëmbyeshmërisht të dhëna pas spektakleve mpirëse dhe apatike, akoma bisedohet për “progresin dhe iluminizomin në shkolla”, slogane këto tepër të vjetruara. Dëshpërimisht më keq, që nga shkollat fillore, pra nga aty ku merret edukimi fillestar politik i qytetarit, e deri në universitete – aty ku projektohet ideja e shtetit – nuk është hedhur as hapi i parë i një shkollimi të mirëfilltë i cili do të hapte dyert e një vizioni më të gjerë për shoqërinë dhe shtetin. Mënyra më e mirë për të kuptuar dështimin e shtetit është që ta kuptosh dështimin e sistemit edukativ të atij shteti. Varësisht nga vizioni i shtetit për të ardhmen, krijohet modeli dhe sistemi edukativ i atij shteti. Sistemi i tillë mufkë dhe në zgrip të një dekadence dhe debillizmi, është shpërfaqje e qartë për ecejakun e përgjithshëm të kësaj shoqërie dhe këtij shteti.

Shkollimi është vatra ku mësohet shprehia e punës. Aty mësohet disiplinimi i mendimit. Aty mësohet kultura. Në shkollë, njeriu, mëson të heqë dorë nga kënaqësia e shpejtë dhe se dëshira është një përmbushje që kërkon pritjen dhe durimin. Ajo është rezultat i sakrificës dhe përkushtimit. Puna imponon disiplinën, disiplina krijon strukturë të caktuar mendimi, ku njeriu nuk e ka luksin të mendojë gjithçfarë të dojë dhe përtej çdo spontaniteti dhe aktiviteti dresure, shkolla dhe shkollimi, edukimi është moment reflektimi dhe kritike. Në të kundërtën, nëse nuk, arrihet sukseset e paravendosura siç thamë në fillim të këtij teksti, dështimi i sistemit të edukimit është dështim i të mirës më të dukshme dhe të prekshme publike. Së bashku me kolektivin ka dështuar edhe individi. Së bashku me publiken ka dështuar edhe privatja. Aty nuk dështon veç nxënësi, aty dështon edhe prindi, mësuesi, drejtori dhe ministri. Dështon shoqëria. Një sistem i tillë shkollimi krijon qytetarin e dështuar politik, modus operandi i të cilit është servilizmi dhe apatia dhe si rezultat pritet vdekja politike e shoqërisë në tërësi.

/koha.mk

Prev Post

Veshjet popullore të Beratit ekspozohen në Muzeun Arkeologjik të Durrësit

Next Post

Do të përfundojë brenda 5 muajve, nisin studimet për realizimin e hekurudhës Shqipëri – Greqi

post-bars

Leave a Comment