Kompanitë ajrore anulojnë qindra fluturime për në SHBA për shkak të rrjetit 5G
Qindra fluturime drejt Shteteve të Bashkuara dhe disa të tjera që ishin planifikuar të niseshin nga disa aeroporte amerikane u anuluan të mërkurën edhe pas njoftimit të kompanive AT&T dhe Verizon për të ngadalësuar implementimin e rrjetit me shpejtësi të lartë të telefonave celularë, 5G që mund të ndërhyjë në teknologjinë e avionëve që mat lartësinë.
Transportuesit ndërkombëtarë që mbështeten shumë në avionin Boeing 777 me trup të gjerë dhe avionë të tjerë të kompanisë Boeing, anuluan fluturimet e hershme ose përdorën avionë të llojeve të tjera pas paralajmërimeve nga Administrata Federale e Aviacionit dhe prodhuesi i avionëve me bazë në Çikago.
Kompanitë ajrore që përdorin kryesisht avionët e kompanisë Airbus, duke përfshirë kompaninë franceze “Air France” dhe atë irlandeze “Aer Lingus”, janë prekur më pak nga implementimi i rrjetit të ri 5G.
Linjat ajrore anuluan më shumë se 320 fluturime deri të mërkurën në mbrëmje, që kishin për destinacion Shtetet e Bashkuara, thuhet në një njoftim të organizatës “FlightAware”.
Organizata “Airlines for America” tha se anulimet nuk ishin aq të rënda sa mendohej sepse kompanitë AT&T dhe Verizon ranë dakord të reduktonin përkohësisht implementimin e rrjetit 5G pranë dhjetëra aeroporteve amerikane, ndërkohë që industria e aviacionit dhe qeveria punojnë për gjetjen e një zgjidhje afatgjatë./zeriamerikes.com