Më 18 janar 1919, Konferenca e Paqes në Paris hapi zyrtarisht punimet
Konferenca e Paqes në Paris hapi zyrtarisht punimet më 18 janar 1919. Ajo u organizua nga Fuqitë e Mëdha fituese të Luftës së Parë Botërore.
Për të përfaqësuar kombin shqiptar, krahas delegacionit zyrtar të Qeverisë së Durrësit morën pjesë edhe delegacione të tjera nga kolonitë shqiptare jashtë atdheut, si nga Federata Panshqiptare “Vatra” në Boston të SHBA, Partia Politike Shqiptare në SHBA, kolonitë shqiptare në Turqi, Rumani, Zvicër e vende të tjera.
Megjithëse, Shqipëria mbajti qëndrim asnjanës gjatë Luftës së Parë Botërore, Konferenca e Paqes nuk mori në konsideratë kërkesat e drejta të delegacionit shqiptar për të ruajtur tërësinë tokësore të shtetit shqiptar si dhe për të rikthyer në favor të tij territoret shqiptare që ishin shkëputur më 1878 dhe në vitin 1913. Shtetet fqinje kërkuan që të merreshin parasysh pretendimet e tyre territoriale mbështetur në Traktatin e Fshehtë të Londrës të prillit të vitit 1915.
Në këtë konferencë nuk u mor parasysh parimi i kombësisë dhe as ai i vetëvendosjes. Për të ardhmen e Shqipërisë u paraqitën disa projekte që fillonin që nga ngushtimi territorial e deri në zhdukjen e shtetit shqiptar nga harta politike e Ballkanit.
Në janar të vitit 1920 u hartua një një projekt për zgjidhjen e Çështjes së Adriatikut, i cili parashikonte aneksimin nga Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene e disa viseve veriore të Shqipërisë, por ky projekt ndeshi në kundërshtimin e presidentit amerikan U. Uillson./ KultPlus.com