31 vite nga rihapja e xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë (Foto/Video të rralla)
Më 18 janar të vitit 1991 në Tiranë do të rihapej xhamia e Et’hem Beut, e cila qëndroi e mbyllur rreth 3 dekada për shkak të ndalimit të besimit në Shqipëri nga sistemi komunist.
Komuniteti Musliman shqiptar kujton se ishin Xhavit e Iljaz Alimehmeti, Ramazan Rusheku, Ibrahim Balla, Mehmet Sinella, etj., disa nga nismëtarët myslimanë të cilët hapën dyert e xhamisë për besimtarët.
Rihapja e kësaj xhamie u bë me një ceremoni madhështore, ku morën pjesë mijëra besimtarë dhe qytetarë të Tiranës.
Kjo video e asaj kohe tregon numrin e madh të pjesëmarrësve të cilit kishin mbushur “Sheshin Skënderbej” si kurrë më parë.
Komuniteti musliman shqiptar kujton se: Në fytyrat e pjesëmarrësve lexohet gëzimi për këtë ngjarje të madhe, e cila shënonte rikthimin e besimit në jetën e tyre, pas një diktature të shfrenuar dhe një regjimi të ashpër komunist i cili u përpoq të çrrënjosë fenë dhe besimin por që kurrë nuk ia doli mbanë.
Atë të premte janari për qytetarët e Tiranës kishte zbardhur një ditë e madhe, e cila do t’i ringjallte shpresën për ditë më të mira.
Më herët kishin qenë qytetarët e Shkodrës që të gjithë së bashku muslimanë e katolikë kishin marrë pjesë në hapjen e Xhamisë së vjetër të qytetit në një tubim masiv që shënoi një nga hapat e ndryshimit të madh që po pësonte Shqipëria duke dalë nga rregjimi komunist ateist./top-channel.tv & KMSH