Policia në alarm, zhduken dy të mitura në Përrenjas dhe Tiranë, 15 dhe 16 vjeç
Dy të mitura, njëra në Tiranë dhe tjetra në Përrenjas janë larguar nga banesat e tyre dhe për to nuk dihet asgjë. Denoncimet për humbjen e tyre janë bërë nga vetë familjarët, të cilët kanë shkuar në polici dhe kanë bërë me dije se vajzat janë larguar, ndërsa po punohet për të zbardhur nëse ato kanë lidhje shoqërore me njëra-tjetrën.
Policia thotë se vajza nga Përrenjasi është 15 vjeçe, ndërsa ajo nga Tirana 16. Policia ka kërkuar numrat e telefonave të të larguarve, ndërkohë që ka nisur të verifikojë rrjetet sociale për të mësuar nëse kanë ndonjë person, tek i cili mund të kenë shkuar kohëve të fundit.
Po ashtu, Policia bën me dije se ka marrë edhe dëshmitë e disa personave që kanë njohje me të miturat, por ende nuk është bërë e mundur që të zbulohen vendndodhjet e tyre./Rruga Press