VOA: Rekord infektimesh në Shqipëri, kemi 5-fishim të rasteve
TIRANË- Në Shqipëri, rastet e reja me Koronavirus kapën shifrën rekord të 1648 të infektuarve në 24 orët e fundit, e paregjistruar më parë që nga fillimi i pandemisë. Brenda dy ditësh shifrat e të prekurve janë dyfishuar, ndërsa krahasuar me mesataren e tre ditëve të para të viti, kemi të bëjmë me një 5-fishim të tyre.
Numri i lartë i të infektuarve në 24 orët e fundit, i dedikohet në një farë mase dhe nivelit po rekord të testimeve ditore, 7812 tamponë të kryer, sipas të dhënave të mnistrisë së Shëndetësisë. Sidoqoftë, pozitiviteti (raporti mes rasteve të reja dhe tamponëve) ka kërcyer në kuotën e 21 përqindshit, për të dytën ditë me radhë, një fakt që dëshmon një përhapje të gjerë të virusit. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet. Javën e shkuar (28 dhjetor – 3 janar) pozitiviteti ishte në nivelin e 12.5 përqind.
Sipas të dhënave zyrtare, rastet e reja të 24 orëve të fundit rezultojnë të jenë zbuluar thuajse në të gjithë vendin, në 56 nga 61 bashkitë e vendit: bashki: 707 në Tiranë, 118 në Elbasan, 101 në Durrës, 73 në Fier, 69 në Shkodër, 63 në Vlorë, 48 në Sarandë, 34 në Lezhë, Lushnje, Gjirokastër, 23 në Krujë, 22 në Kamëz, 20 Pogradec, 17 në Kavajë, 18 në Korçë, 15 në Devoll, 14 në Tepelenë, 13 në Kurbin, Mallakastër, 12 në Mat, Patos, Divjakë, 10 në Himarë, Përmet, Kolonjë, Berat, Cërrik, 8 në Shijak, 7 në Pukë, Tropojë, Dimal, Kuçovë, Peqin, Librazhd, Prrenjas, 6 në Dibër, Konispol, Skrapar, Gramsh, 5 në Vau i Dejës, Vorë, Selenicë, 4 në Memaliaj, 3 në Malësi e Madhe, Has, Këlcyrë, Poliçan, Belsh, 2 në Kukës, Delvinë, Dropull, dhe nga 1 rast në Fushë- Arrëz, Mirditë, Bulqizë, Klos, Maliq.
Në 24 orët e fundit janë rregjistruar dhe 5 vdekje: tre qytetarë nga Tirana 59-87 vjeç, një qyetetar nga Konispoli 66 vjeç dhe një qytetar nga Peqini 80 vjeç. Gjendja në spitale mbetet thuajse e njejtë me 106 pacientë, nga të cilët 12 janë në gjendje më të rënduar./VOA/rrugapress