Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Përurohet Pallati i ri i Sportit “Farie Hoti”, Veliaj: Mirënjohje për të gjithë ata që veshin uniformën bardh e blu

Përurohet Pallati i ri i Sportit “Farie Hoti”, Veliaj: Mirënjohje për të gjithë ata që veshin uniformën bardh e blu

Nga tani e tutje, sportistët e KS Tirana kanë mundësinë të stërviten në një sallë bashkëkohore dhe me standarde të larta. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përkrah emrave të mëdhenj të sportit që na dhuruan të tjera medalje vitin e shkuar, si: Briken Çalja, Izmir Smalaj e Alban Beqiri, si dhe ikona dhe figura të Sport Klub Tirana ndër vite, inauguruan sot ambientet e reja të Pallatit të Sportit të lojërave me dorë “Farie Hoti”.

Veliaj u shpreh se për Tiranën, kjo është një ëndërr e kthyer në realitet: “A është i vërtetë ky transformim? A është i vërtetë ky investim kaq cilësor për klubin më prestigjioz të Republikës së Shqipërisë, i denjë sa rreshti i kupave dhe i medaljeve? Më në fund mund të themi Po. Unë besoj se edhe fryma e këtij klubi, e këtyre skuadrave, është inkurajimi, tw jemi mbështetës dhe motivues. T’i themi njëri – tjetrit: “Faleminderit”! “Jam krenar për ty!”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh mirënjohës ndaj sportistëve elitarë të Tiranës. “Ne vërtet jemi ndoshta një vend modest, ndoshta nuk jemi qyteti më i madh në botë, por fakti që sot kemi 3 kampionë: Izmirin, kampion të Ballkanit në kërcim së gjati, Albanin, kampion të Ballkanit në boks dhe Brikenin, kampion bote në peshëngritje, do të thotë që me punë ne mund të arrijmë gjithçka dhe në fakt ky është vetëm fillimi,” deklaroi ai.

Kreu i Bashkisë dha edhe një tjetër lajm fantastik sa i përket sportit të notit: “Në janar klubi i Tiranës do të marrë edhe pishinat tek Liqeni, të cilat pas 20 viteve që kanë qenë në administrim privat do t’i rikthehen klubit të notit të Tiranës dhe Federata Shqiptare e Notit do të ketë më në fund pishinat e veta olimpike, që ashtu siç kishim disa kohë të lavdishme për notin shqiptar kur merrte medalje, do të kemi mundësinë të rikthejmë atë kohë,” tha Veliaj.

Ai shtoi gjithashtu se, për herë të parë, Tirana do të ketë dhe sportin e Padelit. “Ne jo vetëm do të rikuperojmë hapësirat e humbura, siç është hapësira e pishinave të notit, por do të jetë Tirana e para që fut sportin e Padelit në morinë e federatave që ka brenda shtëpisë së vet bardh e blu”, u shpreh Veliaj.

Në këtë sallë, që mban dhe emrin e një prej ikonave të volejbollit të Tiranës, janë mbajtur kampionate dhe aktivitete sportive të ndryshme si në boks, judo, taekwondo, mundje etj., të cilat tashmë do të zhvillohen në kushte bashkëkohore dhe moderne.

“Unë e di që do kemi beteja të jashtëzakonshme, por ajo që do të doja është që ne jo vetëm të njihemi për kupa dhe medalje, por edhe për zemrën e mirë dhe të madhe të Tiranës. Ndaj dhe do të doja që të falënderoja të gjithë ata që i janë bashkuar në këto vitet e fundit Tiranës nga çdo cep i Shqipërisë, sepse unë besoj se nuk është pa arsye fakti që shumica e ekipit olimpik të Republikës së Shqipërisë, vjen nga Sport Klub Tirana, që është zemra e vendit,” tha kreu i Bashkisë.

Për të gjithë ata që veshin uniformën bardh e blu të Sport Klub Tiranës, Veliaj shprehu një mirënjohje të jashtëzakonshme. “Gjatë vitit të kaluar ne dhamë 150 milionë lekë, ndoshta bonusi më i madh që është dhënë ndonjëherë për një ekip futbolli për të inkurajuar jo ekipin e Tiranës, por cilindo që sjell një trofe për qytetin dhe kryeqytetin e Tiranës. Këtë vit, në Kryeqytetin Europian të Rinisë, ku tashmë e kemi vendosur një buxhet dhe sigurisht që do të sigurohemi që do shpërblejmë çdo skuadër, jo vetëm futbollin, që tashmë e kemi ndërtuar si traditë, por edhe volejbollin, basketbollin, mundjen, taekwondo, judo, kujtdo që sjell një medalje për kryeqytetin tonë,” e mbylli fjalën e tij kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Prev Post

Edukatoret e gjetën të shtrirë në tokë, 3-vjeçari i vdekur në Fier me shenja në qafë

Next Post

Nga e zeza në të bardhë, BMW prezanton makinën elektrike që ndryshon ngjyrën (VIDEO)

post-bars

Leave a Comment