Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Paralajmërim për NATO-n, Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin: Moska njoftoi hapur dhe zyrtarisht të drejtën historike mbi Serbinë si zonë influence!

Paralajmërim për NATO-n, Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin: Moska njoftoi hapur dhe zyrtarisht të drejtën historike mbi Serbinë si zonë influence!

Nga Shaban Murati

Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që Rusia t’i paraqiste hapur dhe zyrtarisht Nato-s, SHBA dhe Perëndimit, pretendimin se Serbia është zonë e influecës ruse, në të cilën nuk duhet të guxojnë të ndërhyjnë.

Në datën 4 janar 2022, siç njofton agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtëme të Rusisë, Maria Zaharova, bëri një deklaratë të paparë lidhur me të drejtën historike të Rusisë që të klasifikojë Serbinë zonë të paprekëshme të influencës ruse.

Deklarata e saj e shpërndarë në të gjithë rrjetin e fuqishëm të propagandës zyrtare ruse brenda dhe jashtë vendit, shprehet tekstualisht: ”Kapaciteti mbrojtës i Serbisë: Serbia në vitet e fundit, në fakt në 200 vjet, varet nga ajo se sa shpejt Rusia reagon ndaj kërcënimeve të jashtme të shtetit jugosllav”.

Është hera e parë që Moska e pretendon dhe e bën fakt të kryer të drejtën e saj historike “200 vjeçare” mbi Serbinë si sferë e influencës së saj, për të cilën është gati të përdorë edhe forcën ushtarake ruse për ta siguruar si pjesë të saj.

Është një paralajmërim diplomatiko-ushtarak, i cili duhet lexuar shumë me kujdes nga zyrat dhe qarqet politike, diplomatike dhe ushtarake të rajonit dhe të NATO-s, lidhur me situatën e re strategjike ballkanike, ku Moska shpall si element përbërës të doktrinës së saj ushtarake mbrojtjen ushtarake të Serbisë.

Kjo rrethanë e re strategjike pritet të ketë pasojat e veta direkte dhe indirekte, të cilat kërkojnë një rivlerësim të raporteve me Serbinë dhe me Rusinë nga të gjitha vendet e Ballkanit dhe të NATO-s, dhe në rradhë të parë nga Shqipëria, përballë rrezikut të ri, që përfaqëson shpallja e Serbisë si zonë zyrtare ruse e influencës.

Paralajmërimin diplomatiko-ushtarak rus lidhur me të drejtën historike ruse për përfshirjen e Serbisë në sferën ruse të influencës, e bën edhe më serioz fakti që zëdhënësja zyrtare e Ministrisë së Jashtëme të Rusisë ia drejtoi mesazhin e saj direkt një prej ushtarakëve më të lartë të NATO-s, admiralit Robert Burke, komandant i forcave të bashkuara aleate të NATO-s, i cili zhvilloi një vizitë në Beograd në fund të dhjetorit.

Vizita dhe deklarimet e komandantit të forcave të bashkuara aleate të NATO-s në Beograd lidhur me marrëdhëniet e NATO-s me Serbinë shkaktuan shqetësim të madh në Moskë, ku vlerësuan nevojën e një reagimi me paraqitjen e të drejtës historike të Rusisë mbi Serbinë si sferë e influencës ruse.

Kremlini i vlerësoi deklarimet e ushtarakut të lartë të NATO-s si një avancim për joshje të Serbisë nga NATO. Serioziteti i reagimit rus duket qartë nga shprehja e vendosmërisë për ta mbrojtur edhe me mjete ushtarake këtë sferë të influencës së saj në Ballkanin Perëndimor.

Kjo krijon një rrethanë të re strategjike, sepse për herë të parë Moska paralajmëron NATO-n që të mos ndërmarrë përçapje apo lëvizje joshjeje në drejtim të afrimit atlantik të Serbisë, sepse ajo i takon Rusisë. Moska e klasifikon “shtetin jugosllav” serb si jetik për interesat e saj strategjike, sa që është gati të përdorë edhe mjete ushtarake për ruajtjen e kësaj zone të influencës ruse.

Moska është habitur me të drejtë nga admirali Burke, i cili në Beograd deklaroi se “NATO përkrah reformat e ndërmarrra nga Serbia për forcimin e kapacitetit të saj mbrojtës”. Moska është habitur me të drejtë, sepse kapacitetet mbrojtëse serbe, që lavdëron admirali Burke, janë kapacitete të ndërtuara nga Rusia me furnizimet e pandërprera me armët më të sofistikuara ruse.

Ja se si ironizon zëdhënësja e MPJ të Rusisë Zaharova: “Nëse Burke e njeh historinë, ahere me deklaratat e tij mirëpret furnizimet e armëve të Rusisë për Serbinë, si për shembull sistemin e raketave antitank “Kornet”, (që mbrritën në Serbi në 24 dhjetor 2021), dhe ai shpreson shumë që ato furnizime me armë ruse do të ftohin ethen e kokave të nxehta të NATO-s, të cilat po turbullojnë ujrat në Ballkan”.

Moska me këtë rast i kujton NATO-s se armatimet ruse për Serbinë bëhen pikërisht për të sanksionuar statusin e Serbisë si zonë e influencës ruse dhe jo për të lejuar Serbinë të afrohet me NATO-n. Moska i kujton gjithashtu NATO-s se makina stërmadhe ushtarake serbe e ndërtuar dhe e financuar nga Rusia është instrument i makinës ushtarake ruse dhe e rolit të saj në Ballkan.

Moska tregon se sa të kota janë iluzionet në ndonjë zyre diplomatike apo apo ndonjë komande ushtarake në NATO, të cilët autosugjestionohen me idenë se Serbia mund të tërhiqet në integrimin atlantik. Janë iluzione të atyre burokratëve civilë apo ushtarakë të NATO-s, të cilët në çdo vizitë të tyren në Beograd përsërisin si refren tezat e gabuara se “NATO mbështet “neutralitetin ushtarak” të Serbisë dhe se “NATO përkrah forcimin e kapacitetit ushtarak të Serbisë”.

Kjo tregon se as Serbia dhe as Ballkani nuk njihet prej tyre, dhe se nuk kuptojnë që edhe nëse ndonjë politikan serb mund të ketë përkohësisht ndonjë ide për afrim atlantik, Rusia nuk do ta lejojë kurrë Serbinë të shkojë te NATO.

Shpallja nga Rusia e së drejtës së saj historike mbi Serbinë si zonë e influencës ruse përbën një mesazh të rëndësishëm për politikën atlantike që të kuptojë se ndaj Serbisë nuk duhen ushqyer as shpresa të kota dhe as iluzione, në kohën që ajo po militarizohet çdo ditë nga Rusia dhe po bëhet çdo ditë dhe më e rrezikëshme.

Është një mesazh shumë i rëndësishëm për të shkundur përgjumjen ballkanike të politikës atlantike, e cila duhet të mendojë më shumë për masat e reja mbrojtëse përballë hapit të ri strategjik rus, që e shpall Serbinë zonë influence. Politika atlantike duhet të mendojë më shumë se si duhen mbrojtur shtetet aleate anëtare të NATO-s në Ballkan nga rreziku i madh ushtarak, që po krijon makina ushtarake serbe me armët më të sofistikuara ruse.

Nuk është rastësi që paralajmërimi i ri diplomatiko-ushtarak rus për Serbinë si zonë influence, u bë menjëherë pas ultimatumit, që Kremlini i drejtoi në 17 dhjetor 2021 NATO-s dhe SHBA që të mos ndërmarrin asnjë hap në drejtim të anëtarësimit të Ukrainës në NATO, sepse Moska e konsideron atë hap një vijë e kuqe ndaj së cilës Rusia do të përgjigjet ushtarakisht.

Në 4 janar 2022 Rusia i drejton NATO-s dhe SHBA paralajmërimin e dytë, që lidhet tani me Serbinë, të cilën Moska e klasifikon si zonë e paprekëshme të influencës ruse ose si vijë e re e kuqe për Perëndimin në Ballkan.

Ndodhi shumë shpejt ajo që paralajmëroi gazeta “Dita” në 21 dhjetor kur shkruante se “Rusia nuk do ta lejojë kurrë Serbinë të hyjë në NATO dhe do të veprojë njësoj si me Ukrainën për ta ndaluar. Propozimet ultimative të Moskës drejtuar NATO-s në 17 dhjetor për ndalimin e Ukrainës duhen lexuar edhe si parathënie ruse për Serbinë”. Gazeta proqeveritare ruse “gazeta.ru” njoftonte plot kënaqësi në 4 janar se “Serbia shpalli në tetor se kurrë nuk do të hyjë në NATO”.

Paralajmërimi i ri diplomatiko-ushtarak i Kremlinit drejtuar NATO-s, SHBA dhe Perëndimit lidhur me të drejtën historike ruse mbi Serbinë si zonë influence, është një situatë e re, që kërkon reflektime të shpejta dhe serioze nga Aleanca Atlantike lidhur me qendrimet ndaj rivendikimeve të Rusisë në Ballkan, por sidomos ndaj rolit të Serbisë si satelit i Rusisë.

Televizioni serb “N1TV” jepte në 30 dhjetor pohimin e gazetarit rus Genadi Sisojev se “ regjimi i Serbisë është dora e zgjatur e politikës së Moskës në Ballkan”. Zyrtarët diplomatikë dhe ushtarakë të NATO-s duhet përfundimisht të kuptojnë se është e dëmshme dhe e rrezikëshme të flirtojnë me Serbinë dhe me politikën e saj agresive rajonale.

Serbia është aleat ushtarak dhe instrument ushtarak i Rusisë në Ballkan dhe kushdo që mund të ketë ndonjë iluzion mjafton të lexojë deklaratat zyrtare të zëdhënëses së qeverisë dhe të diplomacisë ruse në 4 janar.

Kemi paralajmëruar disa herë në gazetën “Dita” lidhur me iluzionet e pabazuara të disa ushtarakëve apo disa burokratëve të NATO-s, që miklojnë Beogradin dhe bëjnë sikur nuk e shohin militarizimin e ethshëm serb, duke u nisur nga idea fikse dhe naive se kështu do të arrijnë ta largojnë Serbinë nga Rusia.

Në këtë linjë duhet parë edhe qendrimi i gabuar, si ai i shprehur nga admirali Burke në Beograd, në përkrahje të forcimit të kapacitetit ushtarak të Serbisë. Kushdo në NATO, që ka iluzione për prirjen strategjike të Serbisë, duhet ta kuptojë se Serbia po armatoset marramendshëm me armë moderne ruse jo kundër Iranit apo kundër Koresë së Veriut, por kundër shteteve anëtare të NATO-s në rajon si Kroacia dhe Shqipëria, dy shtete që në doktrinën ushtarake serbe konsiderohen si kërcënimi kryesor për Serbinë.

Shpallja nga Moska e së drejtës historike ruse mbi Serbinë si zonë influence ka implikime te rrezikëshme për shtetet e Ballkanit Perendimor.

Së pari, kjo don të thotë se Moska do të trajtojë si kërcënim të interesave të saj, që kërkon reagim rus, çdo shtet të rajonit, që nuk ndjek linjat proserbe dhe proruse.

Së dyti, e drejta historike ruse mbi Serbinë pritet të shtrihet mbi gjithë serbët, që jetojnë në rajon pavarësisht nga shtetet ku ndodhen. Doktrina famëkeqe e qeverisë së presidentit Vuçiç për “botën serbe” i jep të drejtën Moskës që të pretendojë dhe të ndërhyjë në mbështetje të realizimit të kësaj ambicje rajonale serbe nëpërmjet aneksimit nga Beogradi të territoreve të shteteve të tjera si Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina.

Së treti, Moskës i është krijuar një rast i artë që të ndërhyjë në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet projektit ekonomiko-politik dhe diplomatik serb me emrin “Ballkan i hapur”. Sepse zgjerimi i ndikimit dhe i hegjemonisë serbe në shtetet Ballkanit Perëndimor, që bashkohen me projektin serb të “Ballkanit të hapur”, do të konsiderohet nga Moska si e drejtë e saj historike për ndërhyrjen në këtë rajon.

Në këto rrethana të reja të komplikimeve diplomatike dhe strategjike del nevoja e një reflektimi të ri urgjent nga qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë për tërheqjen sa më parë të Shqipërisë nga projekti serb i “Ballkanit të hapur”, sepse kjo rrugë e rrezikëshme mund të ketë pasojën që në një formë apo tjetër edhe Shqipëria të konsiderohet e nga Moska si e drejtë historike ruse.

Logjika historike dhe diplomatike e bën të qartë se çdo lidhje specifike e Shqipërisë me Serbinë të çon te Rusia./gazetadita.al

Prev Post

Kur është pyetur Ibn Halduni për shenjat e degradimit të një shoqërie, ai i rënditi …

Next Post

VIDEO/ Protestat e përgjakshme në Kazakistan, Rusia dërgon trupa ushtarake

post-bars

Leave a Comment