Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 OBI dhe OKB bëjnë thirrje për përpjekje të përbashkëta për të luftuar korrupsionin

OBI dhe OKB bëjnë thirrje për përpjekje të përbashkëta për të luftuar korrupsionin

Duke folur në seminarin e 7-të ndërkombëtar në Pakistan mbi korrupsionin dhe të drejtat e njeriut, liderët theksuan hapat praktikë për të luftuar korrupsionin dhe mbrojtjen e të gjitha të drejtave të njeriut

Islamabad

Përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI) bënë thirrje të enjten për përpjekje të përbashkëta për të luftuar korrupsionin për zhvillim të qëndrueshëm në botë.

Duke folur në seminarin e 7-të ndërkombëtar mbi korrupsionin dhe të drejtat e njeriut, liderët theksuan hapat praktikë për të luftuar korrupsionin, veçanërisht flukset e paligjshme financiare si dhe promovimin dhe mbrojtjen e të gjitha të drejtave të njeriut.

“Paneli i Nivelit të Lartë i Kombeve të Bashkuara për Përgjegjshmërinë Financiare, Transparencën dhe Integritetin (FACTI) ka llogaritur se një pasuri marramendëse prej 7 trilionë dollarësh të vjedhura janë vendosur në destinacionet financiare të ‘strehëve të sigurta'”, tha ministri i Jashtëm i Pakistanit, Shah Mahmood Qureshi, gjatë fjalimit në hapje të sesionit.

Ai u bëri thirrje vendeve të zhvilluara që të kthejnë pasuritë e rikuperuara pa asnjë kusht në shtetet e origjinës, duke shtuar: “Nevojitet veprim i menjëhershëm dhe i fuqishëm kombëtar dhe ndërkombëtar për të ndaluar gjakderdhjen në vendet në zhvillim”.

Ngjarja organizohet bashkërisht nga Komisioni i Pavarur i Përhershëm i të Drejtave të Njeriut (KPINJ) i OBI-t, Ministria e Jashtme e Pakistanit, Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Azi, Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin dhe Zyra e Zhvillimit të OKB-së.

Mbi 200 pjesëmarrës ndërkombëtarë dhe vendorë, duke përfshirë zyrtarë qeveritarë, shtete anëtare dhe vëzhguese të OBI-t, komisionerë të IPHRC-së dhe përfaqësues të Sekretariatit të OBI-t, OKB-së, dhe shoqërisë civile, po marrin pjesë në seminarin dyditor i cili do të përfundojë të premten.

Në video deklaratën e saj, Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, tha se rreth 1 trilion dollarë ryshfet paguhen në mbarë botën çdo vit.

“Sigurisht, problemi dhe pasojat e tij janë të mëdha, pasi korrupsioni çon në joefikasitet ekonomik dhe shkelje”, tha ajo.

Ajo theksoi se kostoja e ryshfetit dhe mitos rrit çmimet dhe ul cilësinë e shërbimeve dhe mallrave, gjë që dëmton rëndë zhvillimin.

Kryetari i IPHRC-së, Haci Ali Acikgul, falënderoi qeverinë pakistaneze dhe agjencitë e OKB-së për mbështetjen e përpjekjeve për të luftuar korrupsionin në mbarë botën.

“Ne jemi të lumtur që Qeveria e Pakistanit dhe agjencitë e OKB-së po mbështesin këtë seminar për luftimin e korrupsionit, i cili vetëm tregon rëndësinë e trajtimit të së keqes sociale që po prek rëndë të drejtat e njeriut të të gjitha segmenteve të shoqërisë”, shkroi UNDP në Twitter, duke cituar Acikgul nga fjalimi i tij në seminar./, Anadolu Agency (AA).

Prev Post

VIDEO/ Protestat e përgjakshme në Kazakistan, Rusia dërgon trupa ushtarake

Next Post

Skandali me publikimin e pagave, arrestohen dy të dyshuar për nxjerrjen e databazës

post-bars

Leave a Comment