Përdorimi i kalendarit hënor nga muslimanët dhe rëndësia e tij
Feja islame bazohet vetëm në kalendarin hënor (hixhri) për ritet dhe çështjet fetare. Kalendari hënor ka si njësi të tij vitin hënor që (ashtu sikurse viti diellor) formohet nga 12 muaj, çdonjëri prej të cilëve fillon me shfaqjen e hënës së re dhe mbaron me rishfaqjen e saj (koha në të cilën hëna bën një rrotullim të plotë rreth tokës).
Ndodh që muaji i Ramazanit ose muaji i Dhul-hixhxhes, për shembull, të bjerë në çdo stinë të vitit: në vjeshtë, në dimër, në pranverë dhe në verë. Në këtë mënyrë, njeriu mësohet me këtë vetëmohim, si kur është nxehtësi e madhe, ashtu edhe kur është shumë ftohtë. Viti hënor që përdoret në Islam, numëron 355 ditë, sepse çdo muaj ka 29 ose 30 ditë. Pra, nëse muslimani për çdo vit agjëron 35 ose 36 ditë, nëse e merr shpërblimin dhjetëfish, llogariten si 350 ose 360 ditë shpërblim, domethënë aq ditë sa ka një vit hënor.
Në Arabinë paraislamike përdorej vetëm kalendari interkalaktik, në të cilin njerëzit ia ndërronin vendin muajve, sipas dëshirës. Por Profeti (a.s) e ndërpreu këtë praktikë në haxhin e tij të fundit, vetëm tre muaj para se të ndërronte jetë.
Kjo reformë pati shumë dobi, ndër të cilat mund të përmendim:
– Së pari, për sa i përket Ramazanit, kjo reformë jep mundësinë që agjërimi të bëhet në çdo stinë të vitit, në kushte klimaterike të ndryshme të vendeve të ndryshme.
– Së dyti, nëse agjërimi do të ishte përcaktuar në ndonjë muaj të kalendarit diellor, atëherë ai do të bëhej vetëm në një stinë të caktuar të vitit. Kjo nuk do të ishte e drejtë, sepse në një hemisferë të globit agjërimi do të ishte vetëm në stinën e verës, kurse në hemisferën tjetër do të ishte dimër. Dimri është i volitshëm për vendet e ekuatorit, kurse për vendet polare do të ishte shumë e rëndë të agjërohej. Kështu, kjo lloj pabarazie dhe pasojat e saj ndërmjet besimtarëve të vendeve të ndryshme janë kapërcyer përmes aplikimit të kalendarit hënor.
– Së treti, me përjashtim të zekatit për prodhimet e tokës që varet prej stinëve të vitit dhe të korrave, zekati që jepet për kursimet, tregtinë etj., rritet sepse në 33 vjet të kalendarit diellor kalojnë 34 vjet të kalendarit hënor dhe kështu jepet një zekat më tepër, duke përfituar më shumë të varfrit.
Shkëputur nga “Hyrje në Islam” i autorit Muhamed Hamidullah, AIITC, Tiranë, 2018./aiitc.net