A mund të jetë fjalë e huazuar emri “BUK/Ë-A”
Është shkruar në disa tekste se fjala “bukë” është e huazuar në
gjuhën shqipe.Gjuhëtarët lidhur me këtë “huazim”janë të ndarë.Disa
thonë se kjo fjalë rrjedh nga frigjishtja “bekos”, që në gjuhën shqipe
ka dhënë fjalën “bukë”. Përkrahës të kësaj ideje ishin: Ksilanderi, Dh.
Kamarda, F.Ribeko, K. Ostir, N.Jokl, K.Tagliavini etj.
Dijetarët e tjerë e shohin të vështirë këtë lidhje, si: F.Mikloshiqi,
G.Majeri, Majer-Lybke, S.Puskarju, G.Vaigand i etj.
“Me ata që e shohin të vështirë lidhjen e fjalës shqipe “bukë” me
atë frigje “bekos” u pajtua madje edhe E.Çabej, që sipas tij fjala “bukë”
nuk vjen nga frigjishtja “bekos”, po nga latinishtja “bucca” (gojë, faqe
e fryrë), që sipas tij, në latinishten popullore “bucca” e ka kuptimin e
kafshatës.”(J.Buxhovi, Dardania – Antika, Mesjeta,Prishtinë,2020,f.39)
“Historiani K.Frashëri nuk e pranon vlerësimin e Çabejt dhe të disa
gjuhëtarëve të tjerë për të mohuar lidhjen etimologjike të dy fjalëve kaq
të ngjashme midis tyre bukë shqip dhe bekos frigjisht, që mbështetet
vetëm mbi argumentin e distancës gjeografike midis Ilirëve ilirikë dhe
Brygëve (frigjëve) anatolikë, meqë sipas tij, ajo duhet rishikuar….prej
nga ai nxjerr përfundimin se “nuk ka përse të çuditemi që gjuha shqipe
ka trashëguar nëpërmjet ilirishtes fjalën “bukë” nga “bekos”, nga vetë
Frigët që banonin në trevat ilire”.(Po aty,f.40)
“Siç paralajmëron edhe filologu Budimiri, mbishkrimi i zbuluar në
Azinë e Vogël, nxori në pah edhe disa pika takimi të frigjishtes me
shqipen, për të cilat mendohet se kanë rrjedhur nëpërmes ilirishtes
kur ata jetonin në një hapësirë të përbashkët”.(Po aty, f.39)
“Në qendër të këtyre zhvillimeve të mëdha, bashkë me të tjerët,
gjithsesi se do të gjenden Pellazgët dhe trashëgimtarët e tyre të
drejtpërdrejtë Ilirët – Trakët si dhe gjithë ajo që më vonë do të shihet
si etnos ilir, ngase familja ilire me degëzimet e saj, si do të shihet edhe
nga bartësit e teorive të ndryshme dhe përjashtuese, do të ketë
shtrirje shumë më të gjerë, veçmas në pjesët veri-perëndimore të
Gadishullit Ilirik, atij Apenin dhe iberik e madje edhe në pellgun e
Adriatikut, që do të përcillet me ndryshime dinamike”- shkruan Jusuf
Buxhovi.
“Në veprën Studime Shqiptare Hani problemin e prejardhjes së
shqiptarëve dhe të shqipes e shtron për zgjidhje shumë më gjërë se
sa paraardhësit… Në vëllimin e parë të veprës së lartpërmendur ai
pohon se shqiptarët janë “pasardhësit e banorëve të lashtë
parasllavë të vendit”. Këta banorë i quan pellazgë, të cilët i barazon
me ilirët. Ai mbron tezën pellazgjike të shqipes me zjarr, çka më vonë
e përqafuan Rilindasit tanë të mëdhenj”- ka shkruar Xh.Gosturani në
veprën “Historia e Albanologjisë”, f.126.
Po të ishte fjala latine “bucca” – gojë në gjuhën shqipe, a thua këtë
ushqim të përditshëm mund ta kenë përdorur kështu shqiptarët?! Latinët e kanë përdorur për “bukë” fjalën “panem”. Pse shqiptarët “ta përdornin” fjalën “bukë” për fjalën “gojë”?
Akad.Kolec Topalli ka shkruar në veprën e tij “Fjalor etimologjik
i gjuhës shqipe”, Tiranë, 2017, f.555 edhe se fjala gojë “…mund të jetë
fjalë e trashëguar, që lidhet me rrënjën ie. g”el-“gëlltis, ha…”
Në qoftë se prof.Xhuzepe Katapanoja ka shkruar se: “Greqishtja
dhe latinishtja janë shumë më të vonshme se ilirishtja (shqipja)”, pse
gjuha shqipe nuk ka pasur mundësi t ‘u ketë dhënë gjuhëve të tjera?
Sipas akad.Kolec Topallit emri UJË është fjalë e mbarë shqipes,
asnjanës i lashtë, si në shumë gjuhë indoeuropiane, i ruajtur edhe në
gjuhën shqipe në shumë të folme…Fjalët UJË dhe BUKË shpesh
përdoren në fjalët tona të urta për të shprehur identitetin dallues
kombëtar nga kombet e tjera, si p.sh.: “Kudo ku i thonë bukës bukë
e ujit ujë, kudo ku flitet shqip, kudo ku ka shqiptarë “. A nuk mjafton
kjo thënie për ta pranuar fjalën BUKË si të gjuhës shqipe të
trashëguar?
~Prof. Musa Nushi
/infoculture