Rënie të shpenzimeve të konsumatorëve për aplikacione
Ekonomia globale e aplikacioneve u ngadalësua për herë të parë vitin e kaluar. Shpenzimet e konsumatorëve për aplikacione ranë me 2% në 167 miliardë dollarë, sipas një raporti të fundit të përvitshëm nga data.ai.
Në të njëjtën kohë, shkarkimet (download) u rritën me 11% krahasuar me një vit më parë – një tregues në dukje pozitiv i faktit se përhapja e aplikacioneve vijon, veçanërisht në tregjet në zhvillim.
Por një analizë më e thelluar e tremujorit të katërt tregon ngadalësimin e rritjes së shkarkimeve, në një periudhë të vitit zakonisht pozitive të ekosistemit të aplikacioneve.
Sezoni i pushimeve në fundvit priret të sjellë telefona të rinj dhe më shumë kohë të lirë te konsumatorët, për të provuar aplikacione të reja dhe lojëra, gjë që i bën të dhënat e fundit më befasuese.
Sipas shoqërisë Sensor Tower, shkarkimi i aplikacioneve në App Store dhe Google Play Store u stabilizua në tremujorin e katërt 2022, me rënie të lehtë 0.1% krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 35.5 miliardë instalime të reja në tremujor.
Analiza mbështetet te një vlerësim për përdorues, gjë që do të thotë se shkarkimet shtesë të një aplikacioni nga i njëjti person te pajisje të ndryshme nuk numërohen në total. Ndër të tjera, nuk merren parasysh riinstalimet e aplikacioneve për të treguar vetëm rritjen e shkarkimeve të reja. Megjithatë, shifrat janë vetëm vlerësime.
Edhe pse tendencat e tremujorit të katërt nuk ishin të mjaftueshme për të ulur shifrat e përgjithshme të rritjes së shkarkimeve nga viti në vit, duket se bëhet fjalë për një tjetër sinjal të ngadalësimit të ekonomisë së aplikacioneve.
Ajo vijon normalizimin, pas rritjes së madhe gjatë pandemisë, e cila po ndikohet nga dinamikat e përgjithshme makroekonomike, që luajnë rol të rëndësishëm edhe te shpenzimet për marketingun e aplikacioneve.
Në listën e aplikacioneve më të shkarkuara në tremujorin e katërt 2022 të Sensor Tower, aplikacionet e gjigantëve teknologjikë si Meta dhe ByteDance renditen në vendet e para. Prej vitesh është e rrallë të shikosh një aplikacion të ri që të hyjë në këtë listë – kjo vlen edhe për tremujorin e katërt.
Në nivel botëror, Instagram kryeson, duke lënë pas TikTok. Meta përfaqësohet në Top 10 me Facebook (3), WhatsApp, (5), Messenger (8) dhe WhatsApp Business (9). CapCut i ByteDance, një zgjatim i fluksit të punës të TikTok, renditet i katërti. Ndër aplikacionet më të shkarkuara janë edhe Snapchat, Telegram, Spotify, Amazon, Flipkart, Twitter etj.
Sa u përket lojërave, Subway Surfers renditet e para, ndjekur nga Garena Free Fire, Stumble Guys, Roblox, FIFA Mobile, Ludo King dhe Candy Crush Saga.
Subway Surfers e mbylli vitin 2022 me thuajse 292 milionë instalime, në rritje me 48% krahasuar me 2021. Loja e re, Stumble Guys, zuri vendin e tretë, me më shumë se 184 milionë shkarkime.
Ky është një rezultat i mirë, nëse merret në konsideratë prezantimi në vitin 2021, ndërsa pesë aplikacionet e tjera kryesore datojnë në vitin 2017 ose më parë. Shkarkimet e lojërave në App Store ranë me 6.9%, ndërsa në Google Play fituan 0.6%.
Megjithatë, kategoria e lojërave vijon të kryesojë instalimet e aplikacioneve. Në App Store, ajo është përgjegjëse për një numër instalimesh thuajse trefish krahasuar me kategorinë e dytë, Utilities. Por është shqetësuese se kategoria e lojërave në App Store ka zbritur nën 2 miliardë, për herë të parë nga tremujori i parë 2019.
Në Google Play, kategoria e lojërave ishte përgjegjëse për një numër më të madh instalimesh (11.7 miliardë) krahasuar me gjithë kategoritë e App Store së bashku (8.1 miliardë), por kategoritë që nuk lidhen me lojërat në Play Store ranë me 1.5% krahasuar me një vit më parë, në 15.8 miliardë instalime.
Është shumë shpejt të thuash nëse tendencat aktuale përfaqësojnë ose jo një ngadalësim përfundimtar të garës së arit të aplikacioneve, duke qenë se kushtet ekonomike po luajnë rol kyç në shkarkimin dhe shpenzimet për aplikacione.
Ndër të tjera, po lindin tregje të reja aplikacionesh, gjë që do të thotë se më shumë njerëz do të shkarkojnë aplikacione për herë të parë.
/ Tech Crunch