
Sfida e Shqipërisë: Pjesëmarrja e ulët në trajnime dhe nevoja për të mësuarit gjatë gjithë jetës
Revolucioni teknologjik kërkon që individët në moshë pune të përgatiten dhe të pajisen me njohuri të reja, në mënyrë që të përmbushin kërkesat në rritje të tregut të punës.
Në raportin global mbi monitorimin e arsimit, UNESCO theksoi se Shqipëria ka nivelin më të ulët të përfshirjes së të rriturve në trajnime krahasuar me vendet me të ardhura të mesme të larta dhe me 120 vendet e tjera të përfshira në studim.
Sipas të dhënave, vetëm 3% e shqiptarëve të moshës 25-54 vjeç marrin pjesë në programe trajnimi, duke u renditur të fundit përkrah Mongolisë dhe Tailandës mes 30 vendeve në të njëjtin grup ekonomik.
Një përfshirje kaq e ulët në trajnimet profesionale në të ardhmen mund të pengojë rritjen e produktivitetit dhe të kufizojë zhvillimin ekonomik të vendit.
Në të njëjtin grup të vendeve me të ardhura të mesme të larta, Bjellorusia qëndron në krye me rreth 18% të të rriturve që marrin pjesë në trajnime, e ndjekur nga Tuvalu me 14%.
Në një botë ku zhvillimet teknologjike përparojnë me ritme të shpejta, aftësitë dhe njohuritë ekzistuese mund të bëhen të papërputhshme me kërkesat e tregut të punës. Për këtë arsye, të mësuarit gjatë gjithë jetës po konsiderohet gjithnjë e më i rëndësishëm për integrimin në tregun global të punës.
Të dhënat e mbledhura nga UNESCO tregojnë se, në nivel global, përfshirja e të rriturve në trajnime dhe arsim është e ulët. Në rreth 30 vende, më pak se 5% e të rriturve marrin pjesë në programe të zhvillimit profesional, ndërsa në 13 vende përqindja arrin rreth 10%.
Në disa vende me të ardhura të ulëta, si Bolivia, Madagaskari, Nigeria dhe Timor-Leste, mbi 5% e popullsisë së rritur janë përfshirë në trajnime profesionale. Ndërkohë, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, vetëm Bjellorusia dhe Tuvalu arrijnë të kalojnë pragun prej 10%.
Normat më të larta të përfshirjes në arsim dhe trajnime profesionale vërehen në vendet nordike, si Danimarka (20%), Finlanda (22%), Norvegjia (24%), Suedia (25%) dhe Islanda (30%). Edhe pse vendet nordike shquhen për këto nivele të larta, brenda grupit të vendeve me të ardhura të larta ka 16 shtete ku përqindja e përfshirjes së të rriturve në trajnime është më pak se 5%.
Sipas UNESCO-s, përveç të ardhurave mesatare, faktorë si politikat shtetërore dhe qëndrimet kulturore ndaj arsimit ndikojnë ndjeshëm pjesëmarrjen në trajnime. Në vendet nordike, kombinimi i politikave mbështetëse, normave kulturore dhe mundësive fleksibël për të mësuar ka ndihmuar në rritjen e ndjeshme të përfshirjes së të rriturve në programe arsimore dhe profesionale.