14 artistë në Festivalin e Muraleve në Tiranë
Në Tiranë ka nisur edicioni i 6-të i Festivalit të Muraleve dhe njërin prej artistëve e gjejmë duke hedhur ngjyrat në një sipërfaqje të konsiderueshme të një pallati 5 katësh pranë Vasil Shantos. Pasi ka shëtitur në 10 vende të ndryshme të botës, artisti francez Matthieu Koga vjen në Shqipëri për të bërë pikturën e tij murale të radhës me motive florale që mbizotërojnë në punimet e tij.
“Është hera e parë që vij në Shqipëri për të bërë pikturën time murale pasi kam ndaluar në më shumë se 10 vende. Motivet florale janë një karakteristikë e imja, po aq sa edhe loja që bëj më ngjyrat, duke i dhënë më shumë jetë fasadave të ndërtesave”, shprehet Koga.
“Më kanë mbetur edhe dy ditë. Është pak e vështirë për mua për shkak të teksturës së fasadës, por po ia dal që mos më humbin detajet e punës që kam ideuar”, thotë Koga.
Por Matheiu Koga nuk është i vetmi. Janë përzgjedhur edhe 13 artistë prej të cilëve 8 i kanë mbyllur pikturat e tyre, siç është edhe kjo murale kushtuar shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadaresë që ndërroi jetë 2 muaj më parë.
Gjithsej në Tiranë tashmë numërohen mbi 80 piktura murale që nga nisja e këtij festivali./tema