Investimet e vogla në ushqim mund ta bëjnë botën më të zgjuar
Kebita Naima ishte njëmuajshe shtatzënë kur disa burra me armë dogjën shtëpinë e saj dhe vodhën gjithçka që kishte brenda. E tmerruar, ajo u largua nga fshati i saj në Kongon Lindor.
Së bashku me disa të afërm, ajo eci për një javë, duke shpresuar që të arrinte në Ugandë, vendin më të qetë fqinj.
“Ne nuk kishim asgjë, as ushqim”, kujton ajo. Vetëm pinim ujë nga përrenjtë dhe hanim fruta të egra. Kur kaloi kufirin, ajo ishte “shumë e dobët dhe e uritur”.
Ai udhëtim dhe muajt që pasuan, ndikuan mbi vajzën e palindur, mendon zonja Kebita.
E ulur jashtë shtëpisë së saj në fshatin Lobule, në Ugandën Veriore, ajo vëren se e bija, Amina, tani 11 vjeçe, është dukshëm më e ngathët se vëllai më i vogël, Mubaraka, i cili është ushqyer më mirë, si në barkun e nënës, ashtu edhe në foshnjëri.
Ai filloi të fliste një vit më herët se motra dhe të ecte gati dy vjet më herët. “Ai gjithmonë dëshiron të dijë gjëra. Sheh fëmijë më të mëdhenj duke u ngjitur nëpër pemë dhe dëshiron të bëjë të njëjtën gjë”, thotë e ëma.
Ashtu siç muskujt kanë nevojë për ushqim dhe stërvitje për t’u forcuar, edhe truri ka nevojë për ushqim të mirë dhe stimulim për t’u zhvilluar siç duhet. 1000 ditët e para pas fertilimit të vezës, të njohura si “dritarja e artë”, janë me rëndësi vendimtare.
Nga tremujori i tretë deri në ditëlindjen e dytë, në një tru të ushqyer mirë, formohen një milion sinapse në sekondë, duke krijuar themelin mbi të cilin “do të varen gjithë mësimi, sjellja dhe shëndeti”, vëren Meera Shekar nga Banka Botërore.
Në një tru të kequshqyer, krijohen më pak lidhje. Dhe nëse truri është i privuar në mënyrë kronike gjatë kësaj periudhe, dëmi është i pakthyeshëm.
Nga lëndët ushqyese te neuronet
Pra, një dietë më e mirë për nënat shtatzëna dhe foshnjat, do ta bënte njerëzimin më inteligjent.
Për fat të keq, kequshqyerja e fëmijëve nuk është eliminuar aspak, dhe nuk ekziston vetëm në shtete të varfra dhe të rrënuara nga lufta si Kongo. Shumë vende me të ardhura mesatare kanë gjithashtu norma të larta të kequshqyerjes.
Sa do të përfitonte shoqëria jonë duke ushqyer më mirë foshnjat? Nuk mund të thuhet dot me saktësi, por shkencëtarët pajtohen se do të ishte një përfitim i madh.
Nëse pesha e fetusit është dhjetë për qind nën normalen, fëmija do të ketë një nivel më të ulët në të gjitha masat neuro-zhvilluese, duke humbur përafërsisht 7 pikë në matësin e inteligjencës.
Pas lindjes, shpejtësia e shtimit në peshë (para moshës katërmuajshe) dhe gjatësia (para moshës 12 muajshe) janë parashikues të mirë të inteligjencës që fëmija do të ketë në moshën nëntëvjeçare.
Një studim në Bangladesh, zbuloi se ndërthurja e kequshqyerjes dhe stimulimi i pamjaftueshëm që është i zakonshëm në familjet e varfra, u shoqërua me një rënie të nivelit të inteligjencës prej rreth 15 pikësh, deri në moshën pesëvjeçare.
Edhe nëse një foshnjë merr mjaftueshëm makronutrientë (proteina, karbohidrate dhe yndyra), zhvillimi i trurit të tij mund të pengohet nga mungesa e mikronutrientëve si hekuri, jodi ose zinku.
Mangësi të tilla mbeten të përhapura: gjysma e fëmijëve në botë dhe dy të tretat e grave të moshës riprodhuese, nuk marrin mjaftueshëm mikronutrientë.
Për zhvillimin e trurit, mungesa më serioze është hekuri. Në vitin 2019, dy të pestat e fëmijëve të moshës 6-59 muajshe ishin anemikë (me mungesë hekuri). Midis viteve 2012 dhe 2019, të paktën 92 shtete nuk shënuan asnjë përmirësim në këtë pikë, ankohet dr. Shekar.
Gjatë 14 viteve të fundit, agjencia e OKB-së për fëmijët, UNICEF, ka grumbulluar të dhëna për përqindjen e fëmijëve të moshës 24-59 muajshe, të cilët janë “në rrugën e duhur të zhvillimit për sa i përket shëndetit, të mësuarit dhe mirëqenies psikosociale” në një sërë vendesh në zhvillim.
Për shembull, a mund të thonë fëmijët më shumë se dhjetë fjalë, të kërcejnë me të dyja këmbët ose të numërojnë deri në dhjetë? Lidhja e ngecjes së rritjes me aneminë është e jashtëzakonshme.
Sipas analizës statistikore nga The Economist, shkalla e ngecjes së rritjes është përgjegjëse për pothuajse gjysmën e problemeve të zhvillimit mendor të fëmijëve dhe anemia te gratë shtatzëna (një kontribuues i madh në ngecjen e rritjes), është përgjegjëse për mbi 40%.
Në të kundërt, PBB-ja për frymë, e rregulluar për të pasqyruar koston e jetesës, është përgjegjëse për më pak se 10%.
Edhe pse analiza nuk mund të vërtetojë një lidhje shkakësore, ajo tregon se kequshqyerja është një pengesë më e madhe për zhvillimin e fëmijëve sesa varfëria, dhe të ardhurat nuk janë garanci për një dietë të mirë.
Lajmi i mirë është se kequshqyerja është më pak e përhapur se më parë.
Përqindja e fëmijëve nën pesë vjeç që janë shtatshkurtër (pra tepër të shkurtër për moshën e tyre) ra nga 33% në vitin 2000, në 22% në vitin 2022, ose afërsisht me 150 milionë veta. Përqindja e fëmijëve nënpeshë ra nga 9% në 7%, gjatë së njëjtës periudhë.
(Të dyja kategoritë mbivendosen: pra, një fëmijë mund të jetë me tru të pazhvilluar dhe i kequshqyer, ose me tru të pazhvilluar dhe mbipeshë. Obeziteti te fëmijët po rritet gjithashtu në nivel global).
Ushqyerja dhe zhvillimi
Është bërë një përparim i madh në luftimin e mungesës së jodit, që pengon rëndë zhvillimin e trurit. Kjo është arritur thjesht duke shtuar jod në kripë.
Numri i vendeve ku fëmijët nuk marrin mjaftueshëm jod ka rënë nga 113 në vitin 1993, në 19 në vitin 2022 (një nga vendet ku ka prapambetje është Rusia).
Megjithatë, mbeten shqetësime të rënda. Ritmi i përgjithshëm i përmirësimit të të ushqyerit është ngadalësuar në dekadën e fundit.
Dhe për shkak se lindshmëria është më e lartë në vendet më të varfra, lindjet e ardhshme do të ndodhin kryesisht në pjesët e botës ku ushqimi është më i keq dhe i mangët.
The Economist vlerëson se deri në vitin 2050, 67% e foshnjave do të lindin në shtete ku mungesa e zhvillimit mendor është mbi 20%. Vende të tilla përfshijnë pjesën më të madhe të Afrikës dhe Azisë Jugore.
Për të vlerësuar më qartë se në çfarë drejtimi po shkon bota, The Economist ndërthuri parashikimet e popullsisë së OKB-së, me vlerësimet e bëra nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), për normat e ngecjes së zhvillimit për fëmijët nën moshën pesë vjeç dhe për aneminë te gratë shtatzëna. Më pas kemi llogaritur tre skenarë.
Sipas të parit, nuk do të ketë asnjë përmirësim në shkallën kombëtare të ngecjes së zhvillimit të foshnjave ose anemisë tek gratë shtatzëna. Sipas këtij skenari të zymtë, do të përkeqësoheshin normat globale të lindjeve. Deri në vitin 2050, 39% e foshnjave do të lindin nga nëna anemike.
Sipas skenarit të dytë, prirjet kombëtare të dekadës së kaluar do të vazhdojnë. Shkalla globale e ngecjes së rritjes së foshnjave do të vazhdojë të bjerë, por më ngadalë, pasi lindjet do të jenë më të shumta në vendet më të varfra.
Deri në vitin 2050, rreth 15% e fëmijëve do të rriten me probleme me zhvillimin sipas këtij skenari. Anemia gjithashtu do të bjerë shumë ngadalë: norma globale për nënat shtatzëna do të qëndrojë mbi nivelin 30%.
Sipas skenarit të tretë, normat kombëtare të zhvillimit të vonë të foshnjave do të bien dy herë më shpejt se sa në vitet e fundit dhe asnjë shtet nuk do të shënojë përkeqësim. Përfitimet do të ishin të mëdha.
Deri në vitin 2050, shkalla e anemisë në mbarë botën do të ulej me një të tretën në krahasim me skenarin “e mbajtjes së normave të tanishme”.
Nga varfëria në varfëri
Rreziqet janë të larta. Duke penguar zhvillimin e trurit, kequshqyerja në fëmijëri i bën njerëzit më të varfër si të rritur.
Një studim nga Linda Richter dhe të tjerë në qendrën Lancet, vlerëson se 43% e fëmijëve nën moshën pesë vjeç në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të cilët ishin në rrezik të lartë të zhvillimit të dobët për shkak të ngecjes së rritjes ose varfërisë së skajshme, kishin gjasa të fitonin 25% më pak si të rritur.
Në vitin 2000, Sue Horton nga Universiteti i Waterloo-s dhe Richard Steckel nga Universiteti i Ohio-s, vlerësuan se dietat e papërshtatshme i kushtojnë botës rreth 6% të PBB-së në prodhim dhe dyfishin e kësaj shifre në vendet në zhvillim.
Pra, pse nuk është zgjidhur ky problem në një botë që ka ushqim me kaq tepricë? Përgjigjja është se të ushqyerit nuk ka të bëjë vetëm me ushqimin. Ai ndikohet edhe nga një sërë problemesh të tjera njerëzore, si lufta, varfëria, kolera, zakonet e këqija të të ngrënit dhe politikat e këqija.
Luftërat pothuajse gjithmonë shkaktojnë uri. Burrat me armë i detyrojnë familjet të braktisin shtëpitë dhe fermerët të braktisin arat.
Nga 29 shtetet me norma shumë të larta të ngecjes së zhvillimit të fëmijëve në vitin 2022, më shumë se gjysma ishin vende që kishin konflikte të vazhdueshme luftarake.
Ushtritë ndonjëherë i detyrojnë enkas rajonet rebele që të vuajnë nga uria, siç ka bërë Etiopia. Luftërat e mëdha, siç është pushtimi i Ukrainës nga Rusia mund të ndikojnë në furnizimin global të ushqimit.
Shumë të varfër, padyshim që e kanë më të vështirë të marrin vlerat e nevojshme ushqyese.
Në nivel global, varfëria e skajshme po bie: përqindja e njerëzve që jetojnë me 2,15 dollarë ose më pak në ditë, është ulur nga 38% në vitin 1990, në 9% në vitin 2022. Fatkeqësisht, rritja e të ardhurave nuk e kuron gjithmonë kequshqyerjen.
Një raport i ri nga UNICEF ka zbuluar një të dhënë mjaft intriguese. Në nivel global, një në katër foshnja të moshës 6-23 muajshe kanë një dietë të kufizuar, që përfshin jo më shumë se dy grupe ushqimore (për shembull, qumësht gjiri dhe ujë me niseshte).
Afërsisht gjysma e këtyre foshnjave u përkasin familjeve më të varfra, mbështetur në anketat kombëtare të aseteve të familjeve.
Por gjysma tjetër nuk u përkasin familjeve të varfra, gjë që tregon se ka “faktorë të tjerë përveç varfërisë së të ardhurave që e nxisin problemin”. Një nga këto janë “zakonet e gabuara të të ushqyerit”.
Njerëzit kudo tundohen nga ushqimet e dëmshme. Dyqanet e vogla në vendet e varfra shesin zakonisht biskota dhe patatina në vend të perimeve, sepse ato nuk kalben shpejt dhe janë të dobishme nëse nuk ka frigorifer.
Kjo vetëm sa përkeqëson një problem që është tashmë në rritje: fëmijët që janë mbipeshë, por ende të kequshqyer, po konsumojnë shumë kalori boshe.
Normat kulturore gjithashtu kanë rëndësi. Shumë prindër në vendet e varfra u japin vazhdimisht fëmijëve të njëjtin ushqim, duke lënë pas dore proteinat, perimet dhe mikronutrientët.
Në vendet patriarkale, gratë “zakonisht hanë pak dhe hanë të fundit”, thotë Saul Guerrero Oteyza nga UNICEF. Burrat e hanë mishin, edhe nëse gratë e tyre janë shtatzëna.
Në Etiopi, shumë të krishterë mbajnë agjërim për më shumë se 100 ditë në vit, dhe megjithëse fëmijëve të vegjël nuk u kërkohet të marrin pjesë, gjithsesi dieta e tyre është e kufizuar.
Në disa vende ka tabu se çfarë mund të hanë nënat e ardhshme. Aslia Samporna, një nënë e re në fshatin Bugasan Norte në Filipine, kujtonte kohën kur e ëma e paralajmëronte që të mos hante perime me rrënjë gjatë shtatzënisë.
(“Sepse ato vijnë nga dheu dhe nëse i han, fëmija do të vdesë dhe do të varroset”).
Sëmundja ndikon në uri. Prindërit e sëmurë e kanë më të vështirë të fitojnë para, kështu që fëmijët e tyre kanë më shumë gjasa të qëndrojnë pa ushqim.
Fëmijët e uritur kanë më shumë gjasa të sëmuren. “Shumica e fëmijëve nuk vdesin drejtpërdrejt nga sëmundja, por sëmundja është vdekjeprurëse për një fëmijë që është dobësuar nga kequshqyerja”, thotë Rasa Izadnegahdar nga Fondacioni Bill & Melinda Gates.
Fëmija i parë i zonjës Kebita ishte i kequshqyer dhe sëmurej shpesh. Fëmija i saj i dytë, ushqehet më mirë dhe si pasojë, “sëmuret më rrallë dhe shërohet më shpejt”.
Sëmundja mund të ndikojë edhe në aftësinë e një fëmije për të përthithur lëndë ushqyese.
Në fillim të qershorit, në kryeqytetin e dendur të Bangladeshit, Dhaka, shpërtheu një sëmundje bakteriale. Korrespondenti i The Economist vizitoi të vetmin spital të diarresë në qytet, që ishte falas. Jashtë mbizotëronte kaosi.
Nëna me fëmijë të dehidratuar po shtynin njëra-tjetrën në hyrje të spitalit. Një repart shtesë po ngrihej me nxitim nën një tendë në një parking makinash. Një ekip televiziv kishte mbërritur për të transmetuar rrëmujën në vend.
Sidoqoftë, brenda spitalit, po kryheshin me mijëra mrekulli. Fëmijët e dehidratuar u shëruan shpejt me rihidrim oral.
Kjo përzierje e sheqerit, kripës dhe elektroliteve, kushton disa qindarka për një paketë dhe duke u përzier me ujë, ka shpëtuar rreth 70 milionë jetë në botë që kur u krijua në këtë spital në vitet 1970.
Globalisht, diarreja nuk vret më aq fëmijë sa dikur, por është ende një nga shkaqet kryesore të kequshqyerjes për moshat nën pesë vjeç.
Është një nga shumë sëmundjet që mund të frenohen përmes higjienës më të mirë publike dhe higjienës personale, kështu që është një gjë e mirë që pjesa e njerëzve me qasje në tualet, është rritur nga 55% në vitin 2000, në 81% në vitin 2022.
Pasi foshnjat në qendrën spitalore në Dhaka kurohen me sukses, stafi i këshillon nënat për larjen e shpeshtë të duarve dhe një dietë të ekuilibruar.
Bangladeshi ka treguar se përparimi i shpejtë është i mundur, por edhe se mbetet shumë për të bërë.
Në vend është ulur ndjeshëm numri i fëmijëve më zhvillim të ngecur, nga 63% në vitin 1990 në 24% në vitin 2022. Tahmeed Ahmed vlerëson për këtë rritjen ekonomike, e cila ka qenë e shëndetshme dhe një frymë bashkëpunimi midis shtetit dhe OJQ-ve.
Qeveria autokratike e Bangladeshit lejon një legjion bamirësish që të punojnë dhe të inovojnë lirisht.
Qendra spitalore po hulumton një tjetër faktor të rëndësishëm në ushqyerje: bakteret e zorrëve. Fëmijët e shëndetshëm, në moshën dyvjeçare, kanë mikrobe të larmishme zorrësh që i ndihmojnë ata të tresin ushqimin.
Pa bakteret e duhura, fëmijët kanë më shumë gjasa të jenë të kequshqyer.
Një studim në lagjet e varfra të Dhakës, zbuloi se më shumë se 90% e grave të kequshqyera kishin inflamacion në zorrë, që do të thotë se kishin baktere të gabuara zorrësh. Fëmijët e tyre mund ta trashëgojnë këtë problem.
Qendra spitalore e Bangladeshit ka eksperimentuar me suplemente ushqimore të krijuara enkas për të ndrequr defektet si pasojë e kequshqyerjes.
Një provë zbuloi se një përzierje e qiqrave, kokrrave të sojës, bananes së gjelbër, sheqerit, vajit të sojës dhe mikronutrientëve, i ndihmonte fëmijët e kequshqyer të fitonin më shumë peshë sesa suplementet e tjera ushqimore.
Një version i ri, duke përdorur banane pluhur në vend të tulit, ka jetëgjatësi më të madhe.
(Kjo përzierje ka shijen e gjalpit të kikirikut.) Një ide tjetër është që nënave shtatzëna t’u jepen pako me baktere të thara, të cilat, nëse përzihen me ujë dhe gëlltiten do të kolonizojnë zorrët e tyre.
Kjo mund të jetë një mënyrë shumë e lirë për të përmirësuar ushqyerjen, thotë Tafsir Hasan, një shkencëtar që punon në qytetin Matlab, ndërsa tund me dorë një pako me insekte të thara. Të dyja këto ide po vihen në provë në shumë vende.
Mbledhja e të dhënave të sakta është thelbësore. Ekipi i doktor Ahmed-it përdor një skaner portativ MRI (dhuruar nga Fondacioni Gates) për të studiuar zhvillimin e trurit te fëmijët e ushqyer mirë dhe keq.
Dallimi është i dukshëm. Kolegët gjithashtu kanë mbledhur të dhëna që nga vitet 1960 për çdo familje në qytetin Matlab, që tani është shtëpia e 250,000 njerëzve.
Kjo i lejon studiuesit të studiojnë efektin afatgjatë të skemave të ndryshme.
Për shembull, dr. Tania Barham nga Universiteti i Kolorados, këqyri rezultatet e një programi vaksinimi në vitet 1980 kundër sëmundjeve si tuberkulozi, të cilat mund të ndikojnë në ushqyerjen dhe zhvillimin e fëmijëve.
Duke krahasuar burrat që ishin vaksinuar si foshnje me ata që nuk u vaksinuan, ajo zbuloi se të vaksinuarit kishin 30% më shumë gjasa të kishin punë profesionale ose gjysmëprofesionale në moshën 24-30 vjeç.
Ndikimet e kequshqyerjes
Shumë qeveri po veprojnë gabim në këtë drejtim. Ato subvencionojnë ushqimet kryesore që përmbajnë niseshte, por jo ushqime të tjera, duke i anuar kështu dietat në mënyrë jo të shëndetshme.
Shumë qeveri ofrojnë grurë falas kur në fakt, paratë dhe arsimi funksionojnë më mirë. India është përqendruar shumë te fëmijët e moshës shkollore, ankohet një vëzhgues, dhe jo mjaftueshëm tek fëmijët shumë të vegjël.
Filipinet kohët e fundit ndaluan “orizin e artë”, një variant që përmban vitaminë A shtesë, pas një fushate nga OJQ-të që kundërshtonte ushqimin e modifikuar gjenetikisht.
Sidoqoftë, po bëhen përpjekje serioze për ta kuptuar më mirë ushqyerjen, veçanërisht pasi qendra Lancet publikoi një raport novator në vitin 2008 mbi kostot e gabimeve, argumenton Abigail Perry nga WFP.
Shumë varet nga edukimi i familjeve për parimet bazë. OJQ-të shpesh trajnojnë persona të zakonshëm për të edukuar bashkëmoshatarët e tyre, pasi njerëzit i besojnë më tepër një të njohuri sesa një zyrtari të huaj.
Dr. Tafsir shpjegon se edhe burrat shovinistë mund të binden të ndajnë mishin me gratë e tyre shtatzëna, nëse u thuhet se foshnja ka nevojë për të: “Ata i përgjigjen kësaj”.
Një truk tjetër është përdorimi i parave për të rrënjosur zakone të mira. Për shembull, një program pilot nga qeveria e Ugandës, i njohur si Nutricash, ofron 20 dollarë në muaj për dy vjet për 13,000 nëna si zonja Kebita, me kusht që të dëgjojnë këshilla të dobishme se si të rrisin perime në oborret e tyre, si të ushqejnë foshnjat më mirë dhe si t’i stimulojmë ato.
Nënat e intervistuara nga The Economist, dukej se e kishin kuptuar mesazhin. Disa përshkruan në hollësi se si i lajnë duart dhe enët para se të përgatisin ushqimin.
Të tjera mburreshin se dhitë dhe rosat që blenë me subvencionin qeveritar, janë shumëfishuar. Të gjitha thanë se kishin dieta më të larmishme.
Zonja Kebita thotë se më parë e kishte ushqyer fëmijën e saj të parë me ujë të zier, dhe sheqer të tretur në të. “Atëherë nuk dija asgjë për të ushqyerit”, kujton ajo. “Tani, kur ushqej me gji, i flas fëmijës shumë, ndërkohë që e shoh në sy”.
Zonja Perry dëshiron që ushqimi të jetë pjesë e të gjitha sistemeve të kujdesit shëndetësor. Dr. Shekar vlerëson se do të kushtonte 12 miliardë dollarë në vit për të luftuar problemin e mungesës ushqimore.
Përfitimet i tejkalojnë kostot. Banka Botërore vlerëson se çdo 1 dollar i shpenzuar në këtë drejtim, jep 3,50 dollarë fitime.
Ushqyerja e duhur e foshnjave do ta bënte brezin e ardhshëm më të zgjuar dhe më produktiv, me një çmim modest. Por “dritarja e artë” e zhvillimit të fëmijëve mbyllet shpejt.
/The Economist/Përktheu; Lira Muça /Revista Monitor