A do ta nxjerrë jashtë loje paranë Inteligjenca Artificiale?
Nga Jean-Pierre Landau, Project Syndicate
Sot i kemi harruar virtytet e vërteta të parasë. Zakonisht e shohim atë në terma thjesht instrumentalë. Pra si një mjet që e lehtëson shkëmbimin dhe e ruan vlerën me kalimine kohës. Krahasuar me shkëmbimet fizike të mallrave, monedhat metalike dhe kartëmonedhat janë shumë të përshtatshme.
Megjithatë, paraja është më shumë se një instrument. Siç shkroi dikur shkrimtari i famshëm rus Fjodor Dostoevsky “paraja është liria e krijuar”. Ajo e mbështet ekzistencën tonë si individë autonomë në një ekonomi të decentralizuar.
Por situata do të jetë shumë ndryshe, nëse një ditë do të jetojmë në një botë të qeverisur nga një Inteligjencë Artificiale (AI), e pajisur me informacion të plotë dhe me aftësi përpunuese të pafundme. Në këto kushte, paraja mund të mos ketë më asnjë rol për të luajtur.
Për të kuptuar se si na mban të lirë paraja, kujtoni pak çdo zinxhir transaksionesh. Kur marrim para, ne jemi nën kontroll të situatave. Kështu, varet nga ne që të vendosim nëse do ta grumbullojmë apo do ta shpenzojmë për çfarëdolloj gjëje që zgjedhim. Vetëm paratë na e japin këtë aftësi.
Për më tepër, paratë janë universale. Dhe ky tipar i tyre ju lejon të blini çdo gjë, në çdo kohë, nga kushdo, dhe ai shitës mund të gjendet gjithnjë e më shumë kudo nëpër botë. Kjo liri specifike nuk vjen nga pasuria, por nga mundësia e zgjedhjes.
Por kjo larmi zgjedhjesh nuk duhet të merret si diçka e mirëqenë, sepse instrumentet e pagesave kanë qenë gjithmonë të ndjeshme ndaj ndërhyrjeve paternaliste. Në shekullin XIX, disa kompani do t’i paguanin punonjësit e tyre me çeqe që pranoheshin vetëm në dyqanet në pronësi të saj.
Sot teknologjia bën të mundur lëshimin e “parave të programueshme” me një qëllim të veçantë, përdorim të kufizuar, dhe madje edhe një datë të paracaktuar. Shenja të tilla dixhitale mund të përdoren për të ndaluar konsumin e “jo të virtytshëm” (si alkooli ose duhani) nga përfituesit e ndihmës shtetërore.
Ne kemi nevojë për para, pasi jetojmë në një ekonomi tregu, dhe jo në një botë të para-programuar. Mbajtja e parave na mbron nga pasiguria. Kërkesa për para rritet ndjeshëm gjatë krizave, pasi njerëzit duhet të përgatiten për të gjithë skenarët.
Por tani imagjinoni një të ardhme ku makinat organizojnë, vendosin dhe kryejnë të gjitha aktivitetet ekonomike. Ato kryejnë transaksione ndërmjet tyre, kreditojnë dhe debitojnë llogaritë reciproke, dhe sigurojnë automatikisht disiplinën dhe zbatimin e kontratave.
Nuk ka asnjë refuzim dhe asnjë falimentim. A do të kemi ende nevojë për paratë?
Në fakt, një botë të tillë po e shohim tashmë, edhe pse pjesërisht. Një dekadë më parë, Hal Varian, kryeekonomist në kompaninë Google, vuri në dukje se në të gjithë ekonominë tonë të dixhitalizuar “ekziston një kompjuter në mesin e çdo transaksioni”. Shumë nga veprimet tona të përditshme janë të automatizuara.
Tregtia algoritmike në shumë tregje të letrave me vlerë, por edhe pagesat po programohen gjithnjë e më shumë paraprakisht. Nëse materializohet vizioni i mbrojtësve të kriptomonedhës mbi të ardhmen, atëherë “kontratat inteligjente” do të drejtojnë ndërmjetësimin financiar në një univers financash të decentralizuara.
Madje disa njerëz sugjerojnë se nën drejtimin e politikës monetare, algoritmet e sofistikuara mund të zëvendësojnë deri edhe bankierët e Bankave Qendrore të çdo vendi. Gjithsesi për momentin, ne po përdorim makineritë. Njerëzit po marrin ende vendime si agjentë të lirë, duke shprehur preferencat dhe duke vepruar sipas tyre.
Bankat Qendrore nuk ndjekin verbërisht rregullat. Ato bëjnë gjykimet e tyre, pasi marrin parasysh kompromiset e vështira, veçanërisht në kohë krize, ose kur përballen me goditje negative në anën e ofertës. Në fakt, në një ekonomi të automatizuar dhe nën kontrollin njerëzor, paratë janë më të nevojshme se kurrë më parë.
Por tani që dixhitalizimi e ka zhdukur distancat dhe kohën, edhe ato duhet t’i përshtaten rrethanave të reja. Pra edhe paratë duhet të jenë dixhitale, duke u shkëmbyer përmes një veprimi të thjeshtë dhe direkt në telefonat tanë celularë.
Pra një para elektronike, e cila që mund të transferohet menjëherë në të gjithë botën, pa pasur nevojë të kalojë tranzit përmes një rrjeti kompleks llogarish dhe palësh të ndërmjetme. Ky prag do të kalohet nëpërmjet Inteligjencës Artificiale.
Disa skenarë, projektojnë një botë ku AI nuk përpunon thjesht informacionin dhe zbaton disa komanda, por merr edhe vendime. Madje përcakton objektivat e saj. Këto sisteme do të ishin kësisoj “agjentët”, duke vepruar sipas preferencave që mund të mos përputhen domosdoshmërisht me ato të njerëzve.
Me këto aftësi, Inteligjenca Artificiale mund të marrë përsipër shpërndarjen e burimeve dhe të ardhurave. Një sistem i tillë, do të vlerësonte miliona ekuilibrat e mundshëm ekonomikë, dhe do të identifikonte atë që e konsideron si më të preferueshëm. Ky vizion i “tekno-socializmit”, është shumë larg modelit të një shoqërie të decentralizuar dhe të lirë.
Ai do të ishte një version i teknologjisë së lartë i planifikimit qendror komunist të modës së vjetër. Debatet mbi të ardhmen e Inteligjencës Artificiale i referohen shpesh “veçantisë”, pra momentit kur AI-të do të kenë aftësinë për ta përmirësuar dhe rritur veten, duke i tejkaluar kësisoj me shpejtësi njerëzit në të gjitha përmasat e inteligjencës.
Në këtë skenar, njerëzit nuk do të mund të kontrollonin dot më fatin e tyre. Por a do të ndodhë ndonjëherë diçka e tillë? Sot për sot ka debate dhe mosmarrëveshje të mëdha midis ekspertëve të fushës, por paratë mund të shërbejnë si një tregues ideal mbi atë që na pret.
Shenja më e mirë që do të tregonte se Inteligjenca Artificiale do të na e kalonte ne krijuesve të saj, do të ishte nëse paratë bëhen të parëndësishme në jetën ekonomike. Një botë pa para, mund të jetë teknikisht e realizueshme. Por nëse ia vlen apo jo të jetohet në një botë të tillë, kjo është një çështje tjetër.
/tema/ Shënim: Jean-Pierre Landau, profesor i asociuar i ekonomisë në Univesitetin Sciences Po, Paris.