Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Studim: Kriza klimatike po i bën ditët më të gjata

Studim: Kriza klimatike po i bën ditët më të gjata

Shkrirja e akullit po ngadalëson rrotullimin e planetit dhe mund të prishë trafikun e internetit, transaksionet financiare dhe GPS.

Kriza klimatike po bën që gjatësia e çdo dite të rritet, tregon analiza, pasi shkrirja masive e akullit polar riformëson planetin.

Fenomeni është një shembull i përkryer, se si veprimet e njerëzimit po transformojnë Tokën, thanë shkencëtarët, duke rivalizuar proceset natyrore, që kanë ekzistuar për miliarda vjet.

Ndryshimi në gjatësinë e ditës është në shkallën e milisekondave, por kjo është e mjaftueshme për të penguar potencialisht trafikun e internetit, transaksionet financiare dhe navigimin GPS, të cilat të gjitha mbështeten në matjen e saktë të kohës.

Gjatësia e ditës së Tokës është rritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë kohës gjeologjike, për shkak të tërheqjes gravitacionale të hënës në oqeanet dhe tokën e planetit. Megjithatë, shkrirja e shtresave të akullit të Groenlandës dhe Antarktidës për shkak të ngrohjes globale, të shkaktuar nga njeriu, ka rishpërndarë ujin e ruajtur në gjerësi të mëdha gjeografike në oqeanet e botës, duke çuar në më shumë ujë në detet më afër ekuatorit. Kjo e bën Tokën më të shtrirë – ose më të trashë – duke ngadalësuar rrotullimin e planetit dhe duke e zgjatur edhe më tej ditën.

Ndikimi planetar i njerëzimit u tregua gjithashtu kohët e fundit nga kërkimet, që shfaqën se rishpërndarja e ujit kishte shkaktuar lëvizjen e boshtit të rrotullimit të Tokës – polit verior dhe jugor. Një punim tjetër ka zbuluar se emetimet e karbonit të njerëzimit po tkurrin stratosferën.

“Ne mund të shohim ndikimin tonë si njerëz në të gjithë sistemin e Tokës, jo vetëm në nivel lokal, si rritja e temperaturës, por me të vërtetë rrënjësisht, duke ndryshuar mënyrën se si lëviz në hapësirë ​​dhe rrotullohet”, tha Prof Benedikt Soja i universitetit ETH Zurich në Zvicër. “Për shkak të emetimeve tona të karbonit, e kemi bërë këtë në vetëm 100 ose 200 vjet. Ndërsa proceset më parë kishin vazhduar për miliarda vjet, dhe kjo është e habitshme.”

Koha e njeriut bazohet në orët atomike, të cilat janë jashtëzakonisht të sakta. Megjithatë, koha e saktë e një dite – një rrotullim i Tokës – ndryshon për shkak të baticave hënore, ndikimeve klimatike dhe disa faktorëve të tjerë, siç është rikthimi i ngadaltë i kores së Tokës pas tërheqjes së akullit, të formuar në epokën e fundit të akullnajave.

Këto dallime duhen llogaritur, tha Soja: “Të gjitha qendrat e të dhënave, që drejtojnë internetin, komunikimet dhe transaksionet financiare, bazohen në kohën e saktë. Ne gjithashtu kemi nevojë për një njohuri të saktë të kohës për navigimin, dhe veçanërisht për satelitët dhe anijet kozmike.”

Studimi, i botuar në Proceedings of the National Academy of Sciences of USA, përdori vëzhgime dhe rindërtime kompjuterike, për të vlerësuar ndikimin e shkrirjes së akullit në gjatësinë e ditës. Shpejtësia e ngadalësimit varionte midis 0.3 dhe 1.0 milisekonda në shekull (ms/cy), midis viteve 1900 dhe 2000. Por që nga viti 2000, ndërsa shkrirja u përshpejtua, shkalla e ndryshimit u përshpejtua gjithashtu, në 1.3 ms/cy.

“Kjo normë e sotme ka të ngjarë të jetë më e lartë se në çdo kohë në mijëra vitet e fundit,” thanë studiuesit. “Parashikohet të mbetet përafërsisht në një nivel prej 1.0 ms/cy për dekadat e ardhshme, edhe nëse emetimet e gazeve serrë frenohen ashpër.” Nëse emetimet nuk reduktohen, shkalla e ngadalësimit do të rritet në 2.6 ms/cy deri në vitin 2100, duke kapërcyer baticat hënore si kontribuesi i vetëm më i madh në variacionet afatgjata në gjatësinë e ditëve, thanë ata.

Dr. Santiago Belda i Universitetit të Alicante në Spanjë, i cili nuk ishte pjesë e ekipit studiues, tha: “Ky studim është një përparim i madh, sepse konfirmon se humbja shqetësuese e akullit, që po vuajnë Groenlanda dhe Antarktida, ka një ndikim të drejtpërdrejtë në gjatësinë e ditës. Ky ndryshim në gjatësinë e ditës ndikon në mënyrë kritike jo vetëm për mënyrën se si matim kohën, por edhe për GPS dhe teknologjitë e tjera, që rregullojnë jetën tonë moderne.”

 

 

/The Guardian/revista monitor

Prev Post

Xhamia e Beqarëve në Berat

Next Post

Ura e Bënjës, Monument Kulture e kategorisë së parë

post-bars

Leave a Comment