Investimet e huaja në Shqipëri/ Kryesojnë Turqia dhe Italia
Turqia ishte investitori kryesor i huaj në Shqipëri për tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet turke prekën vlerën e 69 milion eurove, me një rritje prej 116% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Investimet turke i janë rikthyer rritjes qysh vitin e kaluar, pasi rëaë në vitin 2022, kryesisht si rezultat i shitjes së Albtelecom nga grupi turk Çalik te ai hungarez 4iG.
Stoku i investimeve turke në fund të tremujorit të parë ka arritur në 1.06 miliard euro, në rritje me 27% krahasuar me një vit më parë. Pas largimit nga sektori i telekomunikacioneve, ndërmarrjet turke vazhdojnë të kenë një rol të rëndësishëm në sektorin financiar, atë energjetik, në industrinë nxjerrëse, etj.
Një tjetër investor historik në Shqipëri, Italia, u rendit i dyti për tremujorin e parë të këtij viti, me një fluks investimesh të reja prej 41 milion eurosh. Fluksi i investimeve italiane pësoi një rënie të lehtë me 4.7% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Italia ngelet një nga investitorët e huaj më të mëdhenj në Shqipëri. Stoku i investimeve italiane ka arritur në 1.53 miliard euro, 26% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Investimet italiane janë të shpërndara nga këndvështrimi sektorial, por orientohen sidomos në aktivitetet e shërbimeve.
Austria u rendit e treta në listën e investitorëve të huaj sipas flukseve të reja investuese, për një shumë totale prej 34 milion eurosh në tremujorin e parë të vitit. Investimet austriake janë rritur me 143% krahasuar me një vit më parë. Investimet austriake në Shqipëri janë të përqendruara sidomos në tregun e sigurimeve, në sektorin energjetik, në shërbimet e hotelerisë dhe në sektorin e ndërtimit, me kompaninë. Stoku i investimeve austriake arriti në 839 milion euro, në rritje me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shteti që ka dominuar investimet e huaja direkte në vitet e fundit, Hollanda, në tremujorin e parë të renditjes zbriti në vendin e katërt për nga vlera e investimeve të reja, me 25 milion euro. Vlera e investimeve hollandeze ra me 58% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Megjithatë, për nga stoku i akumuluar i investimeve të deritanishme, Hollanda ngelet investitori i huaj më i madh në Shqipëri, me një vlerë prej 2.28 miliard eurosh dhe më një rritje vjetore prej 24%.
Në fakt, investitorët e mirëfilltë hollandezë në Shqipëri janë të paktë. Më i rëndësishmi mes tyre është kompania Shell, që vlerësohet se në vitet e fundit mund të ketë rritur investimet e lidhura me shpimet në zonën e Shpiragut. Megjithatë, përtej një roli në rritje të Shell, kryesimi i investimeve hollandeze në vitet e fundit lidhet kryesisht me faktin se Hollanda është një nga vendet e preferuara në Europë për të regjistruar kompani holding, me qëllim kontrollin e investimeve ndërkombëtare të grupeve të ndryshme të biznesit. Hollanda preferohet për regjistrimin e kompanive offshore, është sepse legjislacioni i atjeshëm garanton një shkallë të lartë konfidencialiteti lidhur me pronësinë e aksioneve. Gjithashtu, Hollanda është një juridiksion i preferuar për regjistrimin e shoqërive holding, sepse ajo ka një rrjet të gjerë të marrëveshjeve me vende të tjera të Botës për shmangien e tatimit të dyfishtë.
Kosova vazhdon të shtojë investimet në Shqipëri dhe për tremujorin e parë flukset e reja të investimit prekën vlerën e 20 milion eurove, me një rritje prej 82% krahasuar me një vit më parë. Investimet nga Kosova në vitet e fundit po ndjekin një tendencë në rritje dhe janë të orientuara kryesisht në sektorin e tregtisë. Stoku i investimeve ka arritur në 330 milion euro, në rritje me 47% krahasuar me një vit më parë.
Në listën e investimeve sipas shteteve, megjithatë, mungojnë investitorë të rëndësishëm, si Kanadaja. Flukset e reja të investimeve kanadeze në përgjithësi nuk detajohen për shkak të detyrimit të konfidencialitetit, sepse ato lidhen kryesisht me një investitor të vetëm, Bankers Petroleum.
Të dhënat mbi investimet kanadeze janë të disponueshme vetëm për stokun e tyre, që sipas Bankës së Shqipërisë në tremujorin e parë të këtij viti arriti në 1.74 miliard euro, në rritje me 16% krahasuar me një vit më parë. Edhe në këtë rast, këto investime janë zyrtarisht kanadeze, por pronari përfundimtar i kompanisë është një kompani kineze./E.Shehu