OKB vendos Izraelin në listën e zezë globale për shkeljet ndaj fëmijëve
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka vendosur në “listën e vendeve dhe grupeve që dëmtojnë fëmijët në zonat e konfliktit” Izraelin i cili ka vrarë mijëra civilë në Rripin e Gazës që nga 7 tetori.
Sipas lajmit të “Israel National News”, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka informuar lidhur me këtë çështje atasheun ushtarak të Izraelit në Washington, gjeneral major Hedi Silberman.
Këtë e bëri të ditur ambasadori i Izraelit në OKB, Gilad Erdan, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Kam marrë njoftimin zyrtar për vendimin e Sekretarit të Përgjithshëm për të vendosur ushtrinë izraelite në ‘listën e zezë’ të vendeve dhe organizatave që dëmtojnë fëmijët”, tha Erdan në X, duke shtuar:
“Kjo është thjesht fyese dhe e gabuar, sepse Hamasi ka përdorur fëmijët për terrorizëm dhe përdor shkollat dhe spitalet si komplekse ushtarake”.
Erdan më tej tha se ai iu përgjigj “vendimit të turpshëm” të Guterres-it dhe tha se ushtria izraelite është “ushtria me më së shumti moral në botë”.
“I vetmi që futet në listën e zezë është Sekretari i Përgjithshëm që nxit dhe inkurajon terrorizmin dhe është i motivuar nga urrejtja ndaj Izraelit. Sekretari i Përgjithshëm duhet të ketë turp për veten!” u shpreh ai.
Guterres e ka njoftuar Silbermanin se krahas Rusisë dhe organizatave terroriste DEASH, Al-Kaeda dhe Boko Haram ka vendosur të përfshijë edhe Izraelin në listën e zezë “të vendeve që dëmtojnë fëmijët në zonat e konfliktit”.
Izraeli i cili thuhet se ka dështuar në të gjitha përpjekjet e tij për të bindur Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Guterres për të hequr dorë nga ky hap, do të jetë në listën e zezë që do të publikohet javën e ardhshme.
Parashikohet se në listë nuk do të përmendet qartë emri i shtetit të Izraelit, por që përgjegjës për situatën do të përcaktohet “ushtria izraelite”.
– Në Gaza çdo 10 minuta humb jetën ose plagoset një fëmijë
Në sulmet që Izraeli ka kryer në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani kanë humbur jetën 36.654 palestinezë, mes të cilëve të paktën 15.328 fëmijë dhe 10.171 gra ndërsa 83.309 të tjerë janë plagosur.
Sipas raporteve të OKB-së, në Gaza çdo 10 minuta vritet ose plagoset një fëmijë.
Zyra për media e qeverisë në Gaza në një deklaratë më 3 qeshor njoftoi se 3.500 fëmijë në Gaza ndodhen përballë vdekjes për shkak të urisë.
/AA