Kosova dhe Turqia marrëveshje për formimin e komitetit ekonomik JETCO
Kosova dhe Turqia në Ankara kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për të krijuar Komitetin e Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar (JETCO), raporton Anadolu.
Ministri turk i Tregtisë, Ömer Bolat dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, në një takim në Ankara diskutuan mundësitë e reja të tregtisë dhe investimeve.
Vëllimi i tregtisë dypalëshe ndërmjet Turqisë dhe Kosovës arriti në 785 milionë dollarë në vitin 2023 dhe investimet turke në Kosovë u rritën në 162 milionë dollarë”, tha Bolat.
Ai tha se Turqia është investitori i gjashtë më i madh në Kosovë, pasi ka kompani turke të ndërtimit në Kosovë që kanë ndërmarrë 30 projekte deri më tani, përkatësisht me një vlerë prej 1.5 miliardë dollarësh, si dhe kompani inxhinierike dhe konsulente të cilat kanë ndërmarrë 19 projekte që arrijnë në 9.3 milionë dollarë.
“Kemi pasur mundësinë të diskutojmë për punën që planifikojmë ta bëjmë dhe hapat që duhen ndërmarrë për të zhvilluar marrëdhëniet dypalëshe në gjysmën e dytë të vitit. Ne do të organizojmë takimin e parë të JETCO-s në Kosovë para përfundimit të vitit, me pjesëmarrjen e një komuniteti të fuqishëm biznesi. JETCO-ja jonë e re do të na sigurojë një mekanizëm të ri për të zhvilluar ekonominë e dy vendeve”, tha Bolat.
Hajdari, nga ana e saj, tha se është e kënaqur me memorandumin e mirëkuptimit për komitetin JETCO.
Ajo gjithashtu theksoi zhvillimin e shpejtë të Kosovës, duke shtuar se ministria që udhëheq ajo do të vazhdojë përpjekjet e saj për avancimin e mëtejshëm të partneritetit me Turqinë. /AA