Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Spanja njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës me kufijtë e vitit 1967

Spanja njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës me kufijtë e vitit 1967

Qeveria e koalicionit të majtë në Spanjë miratoi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, vendimin për njohjen zyrtarisht të shtetit të Palestinës.

Zëdhënësja e Qeverisë dhe ministrja e Arsimit, Pilar Alegria pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave foli në konferencën për media që u mbajt në rezidencën e kryeministrisë Moncloa, në Madrid.

Alegria deklaroi se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u miratua vendimi për njohjen zyrtarisht të shtetit palestinez. “Ishte një mbledhje speciale e Këshillit të Ministrave. Është një vendim historik dhe ka vetëm një qëllim. Dhe ai është të kontribuojë për paqen”, tha ajo.

Duke vënë në dukje se Spanja me vendimin e saj të njëkohshëm të Irlandës dhe Norvegjisë, u bë një nga vendet që njeh Palestinën, Alegria tha se “Spanja duke marrë një vendim historik që është pikë kthese, ajo u shtua në listën e 143 vendeve që njohin shtetin e Palestinës. Ky është vendim i cili është në përputhje me premtimin e Spanjës për drejtësi, qëndrueshmëri dhe paqe”.

– “Zgjidhja me dy shtete, rruga e vetme dhe nuk ka alternativë për këtë”

Ministri i Punëve të Jashtme, Jose Manuel Albares ka deklaruar se “Kishte ardhur koha për njohjen e shtetit të Palestinës. Nuk mund të lejojmë të vriten më shumë të pafajshëm. Është rruga e vetme për paqen dhe sot marshimi i saj ka filluar. Vendimi i marrë sot do të jetë një pikë kthese”.

Albares vuri në dukje se problemi mes Izraelit dhe Palestinës është “problemi më i gjatë dhe i pazgjidhshëm në histori”, por se tani është koha për ta zgjidhur atë. “Populli palestinez duhet të ketë të njëjtën shpresë, paqe dhe siguri, ashtu si populli izraelit. Kjo është e njëjtë për të dy popujt”, tha Albares.

Pasi njoftoi se numri i vendeve që njohin shtetin palestinez u rrit në 146 me vendimin e njëkohshëm të Spanjës, së bashku me Irlandën dhe Norvegjinë, Albares më tej deklaroi: “Në kohën më të shpejtë, të enjten e kësaj do t‘i shtohet edhe Sllovenia. Nuk ka dyshim se më shumë vende do t’i bashkohen kësaj. Ne e dimë shumë mirë se zgjidhja me dy shtete është rruga e vetme dhe se nuk ka alternativë për këtë. Këshilli i Ministrave, vendimin e tij për të njohur shtetin e Palestinës e mori për të ecur në këtë rrugë”.

– “Njohja e Palestinës është vendim historik”

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez në një deklaratë mëngjesin e sotëm lidhur me njohjen e shtetit të Palestinës, tha se Spanja “ashtu si për Ukrainën mbron respektin për të drejtat ndërkombëtare të njeriut dhe përputhjen me ligjin ndërkombëtar edhe për Palestinën”.

“Njohja e shtetit të Palestinës nuk është vetëm përmbushja e drejtësisë historike, e cila është kërkesa legjitime e popullit palestinez, por në të njëjtën kohë edhe një hap drejt arritjes së paqes që të gjithë duam. Në këtë mënyrë, Spanja do t’i shtohet më shumë se 140 vendeve që e njohin Palestinën në botë. Njohja e Palestinës është vendim historik dhe qëllimi i vetëm është të kontribuojë në vendosjen e paqes midis Izraelit dhe Palestinës”, tha Sanchez.

Ai potencoi se njohja e shtetit të Palestinës duhet të jetë “i zbatueshëm”. “Gaza dhe Bregu Perëndimor duhet të bashkohen nën të njëjtën administratë palestineze, me një korridor mes tyre dhe Kudsi Lindor duhet të jetë kryeqyteti. Duhet të jetë i bashkuar nën administratën kombëtare palestineze”, tha Sanchez.

 

/AA

Prev Post

FMN: Inteligjenca Artificiale rrezikon 26-40% të vendeve të punës në vendet në zhvillim si Shqipëria

Next Post

INSTAT: 1.4 mln vizitorë në vendin tonë për muajin prill

post-bars

Leave a Comment