Hamasi pranoi marrëveshjen për armëpushim, Netanyahu refuzon: Po sulmojmë në Rafah
Pas lajmit se Hamasi ka pranuar marrëveshjen për armëpushim, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar duke thënë se operacioni ushtarak në Rafah do të vazhdojë.
Netanyahu thotë ushtria do të vazhdojë sulmet në përpjekje që Hamasi të lirojë pengjet.
Sipas Netanyahu-t, propozimi i paraqitur nga Hamasi nuk i plotëson kërkesat e Izraelit.
Ndërkohë, edhe ushtria e Izraelit ka njoftuar se aktualisht është duke kryer sulme në Rafah.
Me herët këtë të hënë, mediat perëndimore raportuan se grupi militant i Hamasit ka pranuar marrëveshjen për armëpushim me Gazën.
Përmes një deklarate, Hamasi tha se udhëheqësi i saj Ismail Haniyeh ia ka bërë të ditur këtë qëndrim kryeministrit të Katarit dhe shefit të zbulimit të Egjiptit.
Këto dy shtete po ndërmjetësojnë prej disa muajsh bisedimet mes Izraelit dhe Hamasit.
Fillimisht, agjencia e lajmeve Reuters citoi një zyrtar izraelit të ketë thënë se kjo është një lojë e Hamasit për ta bërë Izraelin të duket fajtor që nuk po pranon armëpushimin. Sipas një zytari tjetër, i cili është në dijeni të përmbajtjes së negociatave për armëpushim, Hamasi është pajtuar me propozimin e fundit që Izraeli ka bërë më 27 prill dhe që atëherë nuk ka patur ndryshime tjera.
“Se çfarë do të ndodhë tani do të varet nga Izraeli nëse do ta pranojë apo refuzojë përgjigjen e Hamasit. Topi është në portën e tij”, i tha agjencisë Reuters ky burim, që kërkoi të mos identifikohet për shkak të ndjeshmërisë së situatës. Agjencia nuk e përcaktoi kombësinë e zyrtarit.
Një zyrtar tjetër i tha ndërkohë agjencisë Associated Press se zyrtarët izraelitë po shqyrtojnë propozimin, por që plani që pranoi Hamasi nuk është korniza e propozuar nga Izraeli.
Një zyrtar amerikan gjithashtu i tha kësaj agjencie se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të mësojnë më shumë detaje rreth qëndrimit të Hamasit dhe nëse bëhet fjalë për marrëveshjen me të cilën është pajtuar Izraeli dhe negociatorët ndërkombëtarë, apo për ndonjë gjë tjetër.
j.l./ dita