OKB: Në Gaza 37 fëmijë humbasin nënat e tyre çdo ditë/ Rindërtimi i Gazës
Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) njoftoi se çdo ditë 37 fëmijë humbasin nënat e tyre në Rripin e Gazës në të cilin Izraeli vazhdon sulmet prej 7 muajsh.
Në një deklaratë nga llogaria e saj në median sociale X të UNRWA-së thuhet se “Lufta në Gaza vazhdon të jetë një luftë kundër grave”.
“Në Gaza e cila ndodhet nën sulmet e ushtrisë izraelite që nga 7 tetori 2023, janë vrarë 10 mijë gra dhe rreth 19 mijë të tjera janë plagosur. Çdo ditë 37 fëmijë humbasin nënat e tyre”, thuhet në deklaratë.
“Kushtet janë të tmerrshme, mbi 155 mijë gra shtatzëna ose që ushqejnë fëmijët me gji sigurojnë qasje në mënyrë shumë të kufizuar në ujë dhe produktet e higjienës”, theksohet më tej në deklaratë.
Rindërtimi i Gazës
Në një raport të lëshuar nga Programi i OKB-së për Zhvillim vlerësoi se rindërtimi i plotë i Gazës mund të marrë dekada. “Shkalla e shkatërrimit është e madhe dhe e paprecedentë… ky është një mision me të cilin komuniteti global nuk është marrë që nga Lufta e Dytë Botërore,” tha Abdallah al-Dardari, Drejtori Rajonal i UNDP-së për Shtetet Arabe në një konferencë në Jordani. Në skenarin më të mirë, në të cilin lufta do të përfundonte sot dhe materialet e ndërtimit do të shpërndaheshin pesë herë më shpejt se pas krizës së fundit në 2021, përpjekjet e rindërtimit mund të përfundojnë deri në vitin 2040.
Megjithatë, duke supozuar se ritmi i rindërtimit ndjek trendin e disa konflikteve të mëparshme të Gazës, raporti i UNDP tha se do të duheshin “afërsisht 80 vjet për të rivendosur të gjitha njësitë e banimit të shkatërruara plotësisht”. Të paktën 370,000 njësi banimi në Gaza janë dëmtuar, duke përfshirë 79,000 që janë shkatërruar plotësisht, thuhet në raport.
Në vitin 2014, pas 51 ditë luftimesh midis Izraelit dhe Hamasit, kishte 2.4 milionë tonë mbeturina në Gaza, tha Al Dardari. Në konfliktin aktual, ka tashmë 37 milionë tonë mbeturina që duhet të pastrohen për të krijuar hapësirë për strehimore të përkohshme dhe struktura të tjera, shtoi ai.