Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Kosovë/ Vetëm 74 persona janë dënuar për krime lufte ndërsa janë vrarë më shumë se 10 mijë civilë

Kosovë/ Vetëm 74 persona janë dënuar për krime lufte ndërsa janë vrarë më shumë se 10 mijë civilë

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) organizoi tryezën e rrumbullakët me temë “Perspektiva për drejtësinë për krimet e luftës – 25 vite më pas”.

Gjatë kësaj tryeze u prezantua edhe raporti vjetor mbi monitorimin e gjykimeve për krimet e luftës në Kosovë gjatë vitit 2023, i titulluar “Fillimi i Një Faze të Re në Gjykimin e Krimeve të Luftës”.

Autori i raportit, Amer Alija nga FDHK, në prezantimin e tij tha se FDHK monitoron të gjitha proceset gjyqësore për krimet e luftës në Kosovë dhe në Gjykatën Speciale në Hagë, por raporti i referohet vetëm gjykimeve në Kosovë.

Alija ka thënë se gjatë vitit 2023, policia e Kosovës ka arrestuar 9 persona nën dyshimin se kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile, të cilëve u është caktuar masa e paraburgimit.

Ai ka thënë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës gjatë vitit 2023 ka ngritur 15 aktakuza për krime lufte kundër popullatës civile, nga të cilat 8 aktakuza janë ngritur në mungesë kundër 61 pjesëtarëve të forcave serbe ndërsa 7 aktakuza janë ngritur kundër 7 pjesëtarëve të forcave serbe, të cilët janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe janë në paraburgim.

“Fillimi i gjykimit në mungesë për krimet e luftës shënon një kthesë të re në procedimin e rasteve të krimeve të luftës, duke paraqitur një sfidë të re për sistemin gjyqësor në Kosovë. Kjo fazë do të jetë një test i rëndësishëm për aftësinë dhe pavarësinë e gjyqësorit të Kosovës për të ofruar drejtësi në këto raste të ndjeshme”, tha Alija.

Ai më tej ka thënë se që nga përfundimi i luftës, institucionet gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë kanë dënuar vetëm 74 persona për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa në anën tjetër janë vrarë më shumë se 10 mijë civilë.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorolli tha se vuajtjet e shkaktuara në popullin e Kosovës nga Serbia janë vuajtje të ngulitura thellë në memorien kolektive. Ai tha se Kosova nuk mund dhe nuk duhet të shkëputet nga e kaluara e saj dhe duhet të avancojë në forcimin e drejtësisë duke u angazhuar në dënimin e gjithë kriminelëve të luftës “të cilët fatkeqësisht ende lëvizin të lirë nëpër Serbi”.

“Vënia e drejtësisë nuk është hakmarrje. Përkundrazi ajo është garancë për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Dhe këtu drejtësia tradicionale dhe ballafaqimi me të kaluarën luan një rol të jashtëzakonshëm dhe rol substancial në kërkimin e së vërtetës. Dhe kërkimi i të vërtetës është drejtësia dhe sjellja para drejtësisë të të gjithë atyre që kanë bërë krim në të kaluarën”, theksoi Qorolli.

Ai shtoi se përmes politikave dhe nismave ligjore, autoritetet juridike po përpiqen që të pajisen me mjetet më të nevojshme për të ndjekur dhe dënuar kriminelët.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani Rama tha se fillimi i gjykimit në mungesë ka qenë për shkak të mungesës së bashkëpunimit me vendet fqinje që nuk bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës.

Shabani Rama theksoi se çështjet e krimeve të luftës janë ende prioritet dhe se trajnimi i gjyqtarëve të rinj po vazhdon. Ajo tha se bashkëpunimi me vendet e rajonit në këtë fushë është i një rëndësie të madhe.

“Për fat të keq, jo gjithçka varet nga ana jonë profesionale, sepse trajtimi i rasteve të krimeve të luftës varet shumë nga politika. Na ka lënduar shumë dhe do të vazhdojë të na lëndojë fakti që absolutisht nuk kemi asnjë bashkëpunim juridik me shtetin e Serbisë, ku ndodhen autorët e veprave penale. Mund të na ndihmonin shumë”, tha Shabani Rama.

Në nëntor të vitit 2023 Qeveria e Kosovës themeloi Institutin për adresimin e krimeve të Serbisë në luftën e viteve 1998-99 në Kosovë, për të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për krimet e kryera dhe themelimi i këtij instituti është në kuadër të angazhimit të Qeverisë për të matur dëmet e shkaktuar nga Serbia.

 

/AA

Prev Post

UNICEF përsërit thirrjen për armëpushim pasi numri i fëmijëve të vrarë në Gaza tejkalon 14 mijë

Next Post

Shumica e fruta-perimeve vijnë nga jashtë/ Sasia e importeve 70% më e lartë krahasuar me 2023

post-bars

Leave a Comment