Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Kur kalimi i kufirit ishte një dënim me vdekje për shqiptarët

Kur kalimi i kufirit ishte një dënim me vdekje për shqiptarët

Kalimi i kufijve është bërë më i sigurt për shqiptarët, por shumë ende përndiqen nga kufijtë e rinj, më pak të dukshëm, të një Evrope kapitaliste dhe raciste.

Nga Fabio Bego

Nga 1 janari i këtij viti, qytetarët e Kosovës më në fund mundën të udhëtojnë në zonën Shengen pa pasaporta pa kaluar nëpër procedura burokratike në ambasadat e huaja. Ata janë të fundit në Ballkan që fituan këtë të drejtë dhe u paraprinë nga shqiptarët që e fituan atë në vitin 2010. Analiza e kalimeve të paligjshme të kufijve shqiptarë gjatë epokës komuniste dhe pas saj tregon se heqja e vizave ishte rezultat i një lufte afatgjatë kundër sistemeve të njëanshme të mbikëqyrjes dhe profilizimit që ende ndikojnë në jetën e njerëzve.

Kthimi i kufirit në një “zonë vdekjeje”

Kalimet e paligjshme të kufirit në Shqipëri filluan pas Luftës së Parë Botërore, kur kufijtë që ndanin vendin nga Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve – më vonë Jugosllavia – dhe Greqia u fiksuan nga Fuqitë e Mëdha. Ata që mbetën në anën shqiptare u ndanë nga qarqet tradicionale të lëvizshmërisë dhe u ekspozuan ndaj urisë dhe dhunës. Kalimet e paligjshme të kufirit u bënë domosdoshmëri. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, prishja e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave në vitin 1948 dhe lufta civile në Greqi i kthyen trojet kufitare në një nga vendet më të rrezikshme në Ballkan. Kufijtë dhe tokat kufitare kontrolloheshin rreptësishtë nga ushtria shqiptare, fillimisht si mjet për të parandaluar sulmet nga jashtë. Që nga vitet 1970 e në vazhdim, ato shërbyen kryesisht për të parandaluar arratisjen e shqiptarëve.

Qeveria komuniste krijoi Forcat Kufitare në vitin 1945. Një zonë e njohur si brezi kufitar, u krijua përgjatë kufirit për të parandaluar qarkullimin e lirë të banorëve jo vendas. Ushtarët lëviznin në këmbë, motoçikleta dhe me varka, sipas terrenit. Puna e tyre lehtësohej nga mjete dhe teknologji të tilla si brezi i bute – një rrip dheu që ruante gjurmët – dhe “pengesa sinjalizimi elektrik”, e njohur gjithashtu si klon. Kloni ishte një gardh i vendosur qindra metra përpara kufirit. Ai lëshonte një sinjal kur dikush prekte ose priste telat e tij. Hapësira midis klonit dhe kufirit ishte një zonë vdekjeje. Edhe nëse shkelësit i shmangeshin rojeve, ata përfundimisht mund të kapeshin nga qentë e kufirit. Mjeti më efektiv për të ndaluar emigrimin e paligjshëm ishte plumbi i automatikut AK 56, arma standarde e ushtarëve kufitarë.

Autoritetet besonin se mbrojtja e kufirit fillonte në brendësi të vendit. Qeveria miratoi ligje të ashpra për të larguar njerëzit nga përpjekjet për t’u arratisur. Sipas Kodit Penal, çdo kalim i paligjshëm nga brenda jashtë ishte një akt tradhtie. Dënimi varionte nga dhjetë vjet burg deri në vdekje. Shkelësit quheshin “armiq”, “agjentë” ose “banditë”. Popullsia vendase u mobilizua për të ndihmuar autoritetet. Atyre iu kërkua të raportonin persona të dyshimtë dhe të formonin “forca vullnetare” për të ndjekur ata që tentonin të kalonin kufijtë. Ministria e Brendshme monitoronte persona me prirje “liberale” dhe biografi “të këqija”, të cilët mendohej se mund të arratiseshin.

Mbrojtja e kufirit u nxit nga kulti i kufirit, një mit thelbësor nacionalist i epokës komuniste. Kufijtë u shenjtëruan nga gjaku i ushtarëve që u vranë në luftime kundër ushtrive të huaja dhe disidentëve politikë. Disa monumente në përkujtim të sakrificës së tyre u ndërtuan në viset kufitare dhe kolonat që shënonin kufijtë e shtetit u bënë një element qendror i mistikës së kufirit. Ato u quajtën “piramida”. Kufiri u bë një temë popullore në art dhe kulturë. Në nëntor 1961, në Tiranë u përurua një ekspozitë arti për të festuar heroizmin e rojeve të kufirit që krahasoheshin me figura kombëtare me përmasat e Skënderbeut. Për ironi të fatit, autori i disa prej veprave, Zoi Shyti, kaloi vetë kufirin në mënyrë të paligjshme disa vite më vonë.

“Arti i kalimit të paligjshëm të kufirit”

Masat e rrepta të marra për ruajtjen e kufijve nuk i penguan njerëzit të tentonin t’i kalonin ata. “Arti i mbikëqyrjes së kufirit” (Jorgo Qirici, Ruajtja dhe mbrojtja e kufirit shqiptar, 2017) u kundërshtua nga arti i kalimit të kufirit. Në shtator të vitit 1956, 56 persona nga fshati Gërmenj kaluan në Greqi dhe morën me vete një tufë me 900 bagëti dhe 40 kafshë të ngarkuara me materiale. Përpjekjet për të ikur nga vendi u shtuan në fund të viteve 1960, veçanërisht në mesin e brezave të rinj. Njerëzit studiuan terrenin, kërkuan mbështetjen e popullatës vendase dhe tentuan ta kalonin klonin me mjete të ndryshme, si shkallë. Disa njerëz përdorën makina për të kaluar nëpër postblloqe me shpejtësi të madhe; të tjerët u fshehën brenda kamionëve dhe varkave.

Sipas Jorgo Qiricit, midis viteve 1966 dhe 1975, 526 persona tentuan të kalonin kufijtë. Vetëm 166 u kapën. Një nga ata që u arratis ishte Demiri me të cilin fola në Tiranë. I lindur dhe rritur në kryeqytet, familja e tij vinte nga Stebleva, një fshat në kufi me Maqedoninë e Veriut. Kur mbaroi shkollën e mesme, Demirit iu mohua e drejta për të shkuar në universitet për të studiuar arkitekturë, sepse familja e tij njihej nga regjimi si ish-mbështetëse e mbretit Zog dhe partia u jepte përparësi në arsimin e lartë studentëve nga familjet e klasës punëtore me biografi “të pastër”. Në vend të kësaj, shteti e dërgoi Demirin të punonte në një termocentral në Vaun e Dejës. Zhgënjimi i tij e bindi të shkonte në Jugosllavi dhe të gjente tezen e tij që jetonte në Shkup. “Gjithë ditën dhe gjithë natën u mendova të largohesha”, më tha ai. Dasma e një të afërmi i dha mundësinë Demirit të shkonte në Steblevë dhe t’i afrohej kufirit.

Idetë dhe planet e arratisjes shpesh buronin nga bisedat me miqtë. Njerëzit flisnin për politikë, muzikë anti-konformiste, filma dhe tema të tjera “subversive”. Frika se mund të spiunoheshin ishte e madhe, por, sipas Demirit, njerëzit do të ishin çmendur nëse do të mbanin gjithçka brenda. Ai ia rrëfeu qëllimet e tij një miku që i dha Demirit emrat e të afërmve të tij në qytetin e Dibrës, pikërisht përtej kufirit. Demiri shkoi në Steblevë në fund të shtatorit. Më datën 27 ai u largua nga dasma dhe ndoqi kushëririn e tij që kulloste dhen pranë kufirit. Demiri mundi të dallonte “brezin e butë”. Ishte një ditë me shi. Delet ishin mbledhur se ishte freskët. Demiri priti momentin e duhur dhe kaloi kufirin.

Pasi kaloi natën pranë kufirit, Demiri hëngri disa mollë dhe nisi të ecte drejt Dibrës, 25 kilometra larg. Ai gjeti shtëpinë e të afërmve të shokut të tij dhe u tha se donte të shkonte në Shkup. Ata i ofruan strehim për natën. Demiri fjeti deri në pasdite, pa e ditur se ata që i besonte në fakt po i “hapnin varrin”. Të nesërmen ata e çuan në policinë jugosllave. Demiri shpjegoi se ishte i përndjekur politik dhe se kishte ardhur në Jugosllavi për të qëndruar me tezen e tij dhe për të studiuar. Ai u dërgua në një kamp riedukues në Idrizovë, afër Shkupit, ku qëndroi katër muaj dhe nuk iu lejua të kontaktonte tezen e tij.

Një ditë, policia i tha se kërkesa e tij për të studiuar ishte pranuar dhe se do ta sillnin në Beograd. Kjo ishte një gënjeshtër e ligë. Në vend të kësaj, ata e dërguan në postën kufitare të Qaf Thanës. “Ky ishte fundi i jetës sime”, më tha Demiri me hidhërim. Rojet shqiptarë të kufirit e rrahën brutalisht. Torturat vazhduan në burgun e Tiranës ku hetuesi sadist Isa Halilaj e goditi me shkop metali. Kur e sollën në gjykatë, ai ishte dobësuar aq shumë saqë as nëna e tij nuk mundi ta njihte. Gjykata e dënoi me dhjetë vjet burg. Ai kaloi katër vjet në një kamp burgimi në jug të Shqipërisë dhe gjashtë vjet në burgun famëkeq të Spaçit ku punoi në miniera.

Por dënimet me burg dhe me vdekje nuk i penguan shqiptarët të planifikonin arratisjen. Dokumentet arkivore tregojnë se shumë persona të dënuar për kalim kufiri u përpoqën përsëri kur patën mundësi. Në vitet 1980, regjimi filloi të shkatërrohej. Ekonomia ishte në rënie. Një raport i vitit 1981 thotë se shumica e personave që kishin tentuar të arratiseshin ishin nga klasat e “varfra”, duke treguar dështimin strukturor të shtetit socialist.

Shqiptarët humbasin durimin ndërsa komunizmi shembet në Evropë

Petroja ishte në fillim të të njëzetave kur vendosi të arratisej. Ai nuk duronte dot më të jetonte në një shtet që i ofronte pak mundësi për t’u realizuar dhe ku dashamirës të partisë i tregonin se si t’i priste flokët. Shumë njerëz të brezit të tij mendonin se po e çonin jetën dëm në Shqipëri. Presioni për t’u larguar përmblidhej në shprehjen “o burra te çlirohemi!” Petroja shkoi në viset kufitare në tetor 1988 kur një shok e ftoi në një dasmë në Zagrad, në rajonin e Dibrës. I dehur nga daullet dhe rakia e kumbullës, Petroja vëzhgoi malet që ndanin Shqipërinë nga Jugosllavia.

Kufiri ishte shumë afër; pse të mos shkoje në anën tjetër? Petroja i kërkoi dikujt nga fshati që ta çonte në kufi. Burri pranoi, por e pyeti se çfarë do të bënte në anën tjetër. “Nuk e di”, i tha Petroja. “Ndoshta serbët do të më arrestojnë. Por nuk rri dot më këtu. Dua thjesht të largohem.” Petroja u kthye në Zagrad në shkurt 1989, i vendosur për t’u arratisur. Ai kishte marrë me vete një derr të vogël si dhuratë për miqtë e tij në fshat. Por vetëm një ditë para arratisjes, zhurma e tmerrshme e automatikut mbushi hapësirën mes maleve. Dy persona u vranë dhe një u plagos. Kontrollet u përforcuan përkohësisht dhe Petroja u desh të kthehej.

Teksa Evropa komuniste po merrte fund, po kështu edhe durimi i të rinjve shqiptarë që ishin më të gatshëm të rrezikonin jetën në kufij. Petroja tentoi të arratisej edhe disa herë të tjera. Në vitin 1990, ai dëgjoi se kishte një çarje në kufirin me Greqinë pranë Korçës. Ai shkoi atje, por gjeti një situatë të tmerrshme: “Njerëzit vriteshin çdo ditë. Qentë kufitarë po hanin njerëz.” Ai vendosi me mençuri të mos rrezikonte. Ditët e regjimit komunist pothuajse kishin përfunduar, por ushtria ende përdorte të gjitha forcat për të penguar njerëzit të kalonin kufijtë. Në mars të vitit 1990, komandanti i forcave kufitare urdhëroi ushtarët të vazhdonin të përdornin mitralozë dhe bomba për të ndaluar njerëzit që përpiqeshin të kalonin kufirin.

Regjimi komunist ra në dhjetor 1990 dhe kalimi i paligjshëm i kufirit nuk konsiderohej më tradhti. Ky ndryshim inkurajoi më shumë njerëz që të shfrytëzonin shanset e tyre dhe të largoheshin. Në janar 1991, Petroja mori një informacion. Kufiri mund të kalohej në afërsi të Gjirokastrës. Ai shkoi atje me dy shokë dhe grupi vazhdoi të rritej ndërsa takonin njerëz të tjerë rrugës për në kufi. Dy persona u ofruan t’i çonin në kufi dhe shoku i Petros u dha orën e tij për këtë gjë. Kështu nisi biznesi i emigracionit të paligjshëm në Shqipëri. Kur arritën në fshatin Jorgucat, grupi numëronte rreth 100 persona, duke përfshirë shumë gra dhe fëmijë. Disa shkuan përpara për të kontrolluar nëse ishte e sigurt të vazhdonin rrugën. Kufiri ruhej, por kloni ishte dëmtuar. Kjo pjesë e kufirit kishte dy breza klon. Menjëherë pasi kaluan të parin, plumbat u shkrepën mbi kokat e tyre. Grupi u shtri përtokë. Dy ushtarë dhe një oficer iu afruan. Oficeri kërciti dhëmbët dhe i kërcënoi se do t’i vriste, por më pas kërkoi para. Grupi nuk kishte para, kështu që u dhanë unazat dhe orët e tyre dhe oficeri i la të kalonin.

Pas 36 orësh ecje, ata që kishin mbetur nga grupi hynë në territorin grek dhe arritën në rrugën e asfaltuar. Petros i bëri përshtypje kontakti i tij i parë me një botë që dukej se ishte më e qytetëruar se ajo që kishte lënë pas. Grupi u ndalua nga ushtarët grekë. Pasi ushtarët shqiptarë u kishin marrë gjërat, grekët u morën identitetin. Të gjitha dokumentet e tyre u sekuestruan. Ata i pyetën për emrat. Ata me emra të krishterë u dërguan në kampin e Amyntaio; ata me emra myslimanë shkuan në kampin e Kozanit. Autoritetet greke i trajtuan mirë shqiptarët e krishterë, por u sollën shumë keq ndaj myslimanëve. Petroja ka kujtime të mira nga populli grek që e ndihmoi, por dhuna e policisë greke ndaj shqiptarëve që kishin kryer krime nuk ndryshonte nga dhuna e rojeve kufitare shqiptare ndaj atyre që tentuan të arratiseshin. Petroja kritikon edhe qeverinë greke se nuk ia kthey pasaportën dhe nuk i dha dokumente. Për vite me radhë, ai u detyra ta kalote kufirin ilegalisht për të vizituar familjen e tij në Shqipëri dhe për t’u kthyer më pas përsëri në Greqi ku punonte. Në fillim të viteve 1990, kalimi i paligjshëm i kufirit u bë rutinë për të dhe shumë shqiptarë të tjerë.

Kufijtë nuk kanë të bëjnë vetëm me territorin

Pas dhjetorit 1990, përvoja e kalimit të kufirit mori kuptime të ndryshme për shqiptarët. Retorika e kufirit mes “socializmit” dhe “kapitalizmit” sapo kishte marrë fund. Por shqiptarët filluan të merren me koncepte më primitive dhe të kudogjendura të kufijve për të cilët nuk kishte kufij të qartë territorial. Kufiri ishte pothuajse kudo ku ata mund të dëgjoheshin ose shiheshin. Ai ishte në veshjet e tyre, në pamjen e tyre “të zhurmshme”, në theksin e tyre, në etikën dhe zakonet e tyre, në fytyrat e tyre të lodhura dhe të plakur para kohe, në varfërinë e tyre, në gjuhën e tyre, në turpin e shtetit dhe politikanëve të tyre të dështuar, në qenien e tyre më e brendshme të njerëzve të padëshiruar. Diktatura komuniste i gjykoi njerëzit nga biografitë e tyre. Shtetet kapitaliste morën një qasje më radikale: njerëzit nuk gjykoheshin thjesht sipas veprave të tyre apo të familjeve të tyre, por sipas veçorive të kombeve, racave dhe grupeve fetare.

Dyert e botës më në fund u hapën për shqiptarët sepse ata i kishin rrëzuar ato me çmimin e jetës së tyre. Por, ndërsa e kaluara i paraprin të ardhmes, rojet me qen dhe armë do të vazhdojnë t’i ndjekin ata kudo që të shkojnë.

 

/gazetatema

Prev Post

Marsh protestues në Pejë për Gjyljeta Ukellën, vajza e saj i prin marshit

Next Post

Pse gjuha e rrugës është ngjitur në media dhe politikë dhe e kundërta…

post-bars

Leave a Comment