Fshati Zogaj, tregues i vlerave arkitektonike e kulturore të rajonit të Shkodrës
Nëse në rajonin e Shkodrës, atë fushor dhe bregliqenor, ka një fshat që dallon për nga vendndodhja dhe organizimi i tij, ai është fshati Zogaj.
Vlera arkitektonike dhe mënyra e urbanizimit të fshatit, mbetet karakteristik, pasi thuajse çdo 30-50 metra nga rruga kryesore, ngrihen rrugica të tëra që gjarpërojnë rrëzë malit, për të kapur edhe shtëpinë më të largët në mal.
Rrugicat e kalldrëmta, ndërtuar shekuj më parë, pa ardhur rruga e makinës zbrisnin deri në bregun e liqenit. Ato kujtohen me shumë nostalgji e dashuri ndër breza, duke e sjellë të freskët kujtimin e tyre deri në ditët e sotme.
Zogaj gjendet 3-4 km përtej Shirokës dhe është i njohur për peshkimin, bimët mjekësore e klimën alpine.
Zogaj është i njohur si një fshat i vjetër peshkimi dhe së bashku me Shirokën janë ndër zonat më të bukura të Shqipërisë së Veriut. Kjo zonë shquhet edhe për prodhimin e qilimave tradicionalë, traditë e cila vijon të ruhet me fanatizëm nga gratë e zonës. Punimet me endje me kalimin e viteve janë kthyer në të preferuar nga turistët.
/atsh