Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Në Gaza, arrin në rreth 32 mijë numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite

Në Gaza, arrin në rreth 32 mijë numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite

Është rritur në rreth 32 mijë numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit që ka ndërmarrë nga 7 tetori 2023 në Rripin e Gazës.

Në një deklaratë zëdhënësi i Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza, Ashraf Al-Qudra informoi lidhur me sulmet që Izraeli vazhdon prej 167 ditësh ndaj Rripit të Gazës.

Bëhet e ditur se në 24 orët e fundit në sulmet e forcave izraelite ndaj Rripit të Gazës kanë humbur jetën 65 palestinezë ndërsa 92 të tjerë janë plagosur. Në sulmet e Izraelit kundër Rripit të Gazës që nga 7 tetori e deri më tani numri i personave që kanë humbur jetën ka arritur në 31.988 ndërsa i të plagosurve në 74.188.

Zëdhënësi i ministrisë, Al-Qudra vuri në dukje se nën rrënoja dhe përreth rrugëve ende ka kufoma të të vrarëve dhe se ekipet shëndetësore dhe të Mbrojtjes Civile nuk kanë mundur të mbërrijnë tek trupat për shkak se pengohen nga forcat izraelite.

Një katastrofë e madhe humanitare po përjetohet në Rripin e Gazës me një popullsi prej 2.3 milionë banorësh, ku ushtria izraelite përveç sulmeve të saj që i vazhdon që nga 7 tetori 2023 duke shënjestruar vendbanimet civile, spitalet, shkollat dhe strehimoret ku janë strehuar palestinezët e zhvendosur, dënon popullatën me uri duke penguar hyrjen e ndihmave humanitare.

Qarqet ndërkombëtare, veçanërisht agjencitë e OKB-së, bëjnë thirrje për armëpushim në Gaza dhe për të rritur hyrjen e ndihmave humanitare në rajon për shkak të sëmundjeve të shkaktuara nga uria, etja dhe mungesa e materialeve higjienike, ku shumica e spitaleve janë jashtë shërbimit dhe kanë mungesë të produkteve mjekësore.

Dita e Nënës në Palestinë

Në një postim me rastin e 21 Marsit, Ditës së Nënës, Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tërhoqi vëmendjen për nënat që kanë humbur jetën në Rripin e Gazës.

“37 nëna bien dëshmore çdo ditë në Rripin e Gazës”, thuhet në postimin arabisht dhe anglisht të organizatës.

Në disa vende arabe, përfshirë Palestinën dhe Egjiptin, 21 marsi festohet si “Dita e Nënës”.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Gaza që nga një inkursion ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor 2023, në të cilin Tel Avivi thotë se janë vrarë 1.200 njerëz.

Gati 32 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në enklavë nga sulmet izraelite dhe rreth 74 mijë të tjerë janë plagosur, përveç shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.

Lufta izraelite ka shtyrë 85 për qind të popullsisë së Gazës në zhvendosje të brendshme, krahas një bllokade gjymtuese të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

 

/AA

Prev Post

OKB: Numri i fëmijëve të vrarë në Gaza më i larti në luftërat në 4 vitet e fundit

Next Post

Shqipëria e treta në botë për azilkërkues në 2023, me rënie prej 30% nga vitet e tjera

post-bars

Leave a Comment