Nazim Gruda ndër shkencëtarët më të suksesshëm të Europës
Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka përgëzuar akad. Nazim Gruda për vlerësimin e marrë si “Investigador distinguido” nga Universiteti Politeknik i Kartagjenës (Spanjë).
Përzgjedhja e akademikut shqiptar vjen pas thirrjes së Ministrisë së Universiteteve të Spanjës, përmes projektit të titulluar “Modernizimi dhe dixhitalizimi i sistemit arsimor”, në kuadër të planit të rimëkëmbjes, transformimit dhe reziliencës të shkencës dhe arsimit të lartë, për thithjen e shkencëtarëve më të talentuar nga Europa.
Universiteti Politeknik i Kartagjenës është universiteti teknik më i ri në Spanjë, edhe pse disa nga shkollat e tij u themeluan në fund të shekullit të 19-të dhe fillim të shekullit të 20-të. UPCT është pjesë e shoqatës UP4 së bashku me Politeknikën e Madridit, Katalonjës dhe Valencias.
I njohur gjerësisht për studimet e tij në hortikulturë dhe si specialist në substratet bimore, akad. Gruda do të luajë një rol kyç në projektin për zhvillimin e hortikulturës urbane dhe “vertical farming”.
Edhe në vlerësimin e kryer nga ekspertët e Universitetit të Stanfordit në SHBA vitet e fundit ai renditet në 2 % të shkencëtarëve më me ndikim në “World’s Top 2 per cent Scientists”; ndërsa sipas indeksit-h të “Google Scholar” për hortikulturën, në 10 shkencëtarët më të suksesshëm të Europës.
/atsh