Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Mustafa Kruja, patrioti i mohuar nga diktatura komuniste

Mustafa Kruja, patrioti i mohuar nga diktatura komuniste

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujton sot firmëtarin, mësuesin, patriotin dhe politikanin Mustafa Merlika-Kruja, një figurë e mohuar dhe anatemuar nga regjimi komunist, të cilit edhe firma në Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë, ju fshi.

Lindi më 15 mars 1887 në qytetin e Krujës. Ndoqi mësimet e para në shkollat turke, respektivisht në Krujë dhe në Durrës. Vazhdoi studimet e larta në Stamboll, në shkollën e administratës. Si nëpunës, u caktua fillimisht drejtor i arsimit në Elbasan. Gjithashtu, punoi si mësues matematike e turqishteje në shkolla të ndryshme në Durrës.

Ishte ndër njerëzit që organizuan pritjen e Ismail Qemalit në Durrës pasi vinte nga Trieste dhe e shoqëron drejt Vlorës. Mori pjesë në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Krujës dhe është një nga firmëtarët e Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë. Me krijimin e qeverisë së re, u caktua sekretar i parë. Më 1913, u vendos si nënprefekt i Vlorës. Ushtroi dhe detyra të tjera të larta në fushën e arsimit.

U rikthye në politikë me anë të Kongresit të Durrësit më 1918. Në kabinetin e Turhan pashë Përmetit, Mustafa Kruja mbante postin e Ministrit të Postë-Telegrafit. Ishte pjesë e delegacionit qeveritar në Konferencën e Paqes në Paris më 1919. Ndonëse nuk mori pjesë në punimet e Kongresit të Lushnjës, Mustafa Kruja u angazhua në politikë si deputet i prefekturës së Kosovës i zgjedhur më 1921.

Mbështeti Revolucionin e Qershorit të 1924 dhe mbeti një kundërshtar politik i Ahmet Zogut, edhe gjatë kohës kur qëndronte në ekzil në Zara të Dalmacisë. U rikthye në Shqipëri me pushtimin italian, si një ndër themeluesit e Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare, së bashku me figura të shquara si Ernest Koliqi, Ilo Mitkë Qafëzezi, Eqrem bej Vlora, Aleksandër Xhuvani, Patër Anton Harapi etj.

Më 1941, caktohet kryeministër i Shqipërisë, post të cilin e mbajti deri në vitin 1943. U largua nga Shqipëria në shtator të 1944 për shkak të sëmundjes të së birit në Austri, për t’u mos u rikthyer më në vendlindje.

Kontributi i Mustafa Krujës në fushën shkencore dhe publicistike është i konsiderueshëm. Ka botuar dhjetëra artikuj në revistat dhe organet e ndryshme të shtypit si Ora e Maleve, Leka, Përpjekja Shqiptare, Mbrojtja Kombëtare, Shqipëria e Re, Hylli i Dritës etj. Punoi për 15 vite për “Fjaluerin kritik të Gjuhës Shqipe” si dhe kreu një studim analitik mbi “Fjalorin e Frang Bardhit”. La shenjën e tij në historiografi duke përpiluar monografinë “Anthologji historike” dhe “Shkrime historike”, si dhe veprën “Aleksandr’i i madh”. Ka përkthyer veprën voluminoze nga gjermanishtja në shqip “Vëzhgime iliro-shqiptare” nga trio-ja e mirënjohur e albanologëve Thalloczy-Shuflaj-Jireçek.

Vdiq në Niagara të ShBA-së më 1958. / atsh / KultPlus.com

Prev Post

A mund të bëhet Mesdheu fuqia energjetike e Europës?

Next Post

“The Sun”: Shqipëria mes destinacioneve të njohura për plazhet mahnitëse

post-bars

Leave a Comment