Miti i Budizmit si fe pacifiste
Nga Dario Haruni
Trendi perëndimor i përqafimit të Budizmit dhe Hinduizmit si fe që janë ‘ndryshe’ nga ato Abrahamiket, ka përhapur lajmin e rremë se këto fe janë tërësisht pacifiste dhe nuk janë përhapur ndonjëherë me luftë.
Ky në gravurë është Ashoka, një patron i Budizmit i cili pati meritën e përhapjes së Budizmit nëpër Azi. Luftoi beteja të ashpra, organizoi këshille dijetarësh budistë, themeloi stupa (manastire) dhe e bëri mision të jetës së tij përhapjen e Dhammas (Mësimit, Fesë). Ishte Abdul Malik ibn Marwan se Kostandini i Budizmit.
Por bota e lashtë kështu funksiononte. Lufta ishte profesion dhe betejat kishin karakter fisnikërues. Në përballje të jetës së vështirë ku mund të vdisje nga sëmundjet apo nga uria, të vdisje në luftë shikohej si diçka më e denjë. E kur lufta ishte për një kauzë fetare, aq më fisnike ishte ajo.
Si me çdo fe, në kohën kur futet në lojë perandoria, aty nis dhe ndarja në shumë sekte. Budizmi ka jashtëzakonisht shumë sekte dhe ka pasur shumë konflikte sektare.
Po ashtu, një mit tjetër është ai i Budizmit si fe racionale. Në tekstet burimore më të lashta, po, është fe racionale. Mirëpo në praktikë dhe besime është goxha bestytnik si sistem. Komunizmi kinez i shikonte murgjit budistë njësoj siç shikonte komunizmi shqiptar hoxhallarët e baballarët e nuskave dhe yshtjeve.
Edhe ata kanë besëtytënira popullore. Besimi në demonë që pushtojnë trupat apo vendet është goxha i përhapur. Fjalë dhe recitime që largojnë të këqijat si me magji janë gjithashtu të përhapura. Marrja e bekimeve prej prekjes së vendeve të shenjta është gjithashtu besim i përhapur.
Budizmi është fe agnostike; pra nuk predikon Zotin por as nuk e mohon atë. Ka sekte që lënë të kuptohet se besojnë në një Zot; ka sekte që përdorin imazhet e zotave të ndryshëm për qëllime meditative, ka të tjerë që nuk merren fare me zota apo Zotin.
Kësisoj, s’ka të bëjë fare në është fe teiste apo jo-teiste. Njeriu ka tendencën të besojë në besëtytënira, si kur është monoteist, si kur është politeist, si kur është jo-teist/agnostik.
Është në Kuran që gjejmë shpjegimet më të arsyeshme për të pastruar mendjen nga konfuzioni. Besëtytënirat kritikohen ashpër në atë Libër. Pasimi i verbër i dijetarëve barazohet me mëkatin më të madh – idhujtarinë. Ndjekja kokëfortë e traditave të të parëve, pa ndonjë arsye, gjithashtu përshkruhet si karakteristikë e të humburve. Klerikët dhe sektet mund të jenë të dobishëm ose të dëmshëm për shoqërinë; por Kurani thërret në çlirim prej klerit, sektit, dogmës, traditave etj. Të thotë të ruash të dobishmen dhe të bukurën dhe të thotë të lësh të dëmshmen dhe të paarsyeshmen.
Çdo njeri i ditur ka përgjegjësi para Zotit të rivlerësojë besimet që ka trashëguar, dhe ku të jetë nevoja disa besime e praktika t’i mohojë e disa të tjera t’i rikthejë e përhapë.
Kurani është el-Furkan (Kriteri, Dalluesi, Shquesi) i cili na ndihmon të gjejmë të vërtetat edhe në tradita të tjera jo-abrahamike. Sipas disa dijetarëve, ka gjasa që Budizmi të jetë derivat i një tradite shpirtërore që është themeluar nga një profet ose një shenjtor. Disa madje e kanë identifikuar Budën me Khidrin, e të tjerë me Dhul Kiflin. E rëndësishme është që tek fetë ku shikojmë ngjashmëri të mëdha, të përbashkëtat themelore janë zakonisht të konfirmuara edhe në Kuran.
Ideja kryesore e Budizmit është që ekziston një gjendje e lartë e vetëdijes e cila ka për bazë Dhembshurinë/Mëshirën, dhe se njeriu duhet të përpiqet të imitojë këtë atribut përmes përmirësimit të gjendjes së tij vetjake dhe asaj të shoqërisë.
“Ata që besuan dhe ata që u Judaizuan, dhe të Krishterët dhe Sabeanët (Mistikët); kushdo që beson Zotin dhe Ditën e Fundit dhe bën vepra të mira – nuk ka frikë për të dhe nuk do të pikëllohet.”
Kushdo që beson në Njëshmëri, në vazhdimësinë e jetës pas vdekjes dhe bën punë të mira; nuk jeton as me frikë për të ardhmen as me pikëllim për të kaluarën – jeton në të tashmen dhe kur vdes jeton në përjetësinë e pakohë.
|Radio Kontakt