Shqipëria mbetet e fundit në Europë për shpenzimet për kërkim e zhvillim
Fondet që shpenzohen për nxitjen e inovacionit dhe kërkim e zhvillim në Shqipëri janë më të ulëtat në Europë, në raport me madhësinë e ekonomisë. Sipas Komisionit Europian, në vitin 2022, këto fonde ishte vetëm sa 0.05% e Prodhimit të Brendshëm bruto (PBB).
Të dhënat e tjera të Eurostat të publikuara sot, tregojnë se fondet që jepen për kërkim e zhvillim janë shumë më të ulëta se mesatarja europiane prej 2.22% e PBB-së dhe më të ulëta edhe se vendet fqinjë.
Në rajon, rekordin e mban Serbia, me 0.97% të PBB-së. Bosnjë Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut e kanë këtë tregues përkatësisht 0.19 dhe 0.37% e PBB-së për vitin 2021 dhe 2020. Mungojnë të dhënat për Malin e Zi dhe Kosovën.
Sipas raportit të fundit të Komisionit Europian për zgjerimin në kapitullin “Shkenca dhe kërkimi”, Shqipëria rriti fondet për kërkimin shkencor në 0.08% të PBB-së në 2023, nga 0.05% në 2022 dhe 0.04% në 2021, megjithatë kjo është ende shumë nën objektivin 1% të PBB-së deri në vitin 2030.
Financimi i kërkimit si përqindje e shpenzimeve publike arriti në në 0,17% të PBB-së në 2022. INSTAT duhet të prodhojë një grup të plotë të dhënash për kërkimin shkencor dhe inovacionin, vëren Komisioni.
Shpenzimet për kërkim zhvillim janë të rëndësishme për një vend pasi janë një shtytës thelbësor i rritjes ekonomike, duke nxitur inovacionin, shpikjen dhe përparimin, duke përmirësuar mirëqenein e qytetarëve.
Shqipëria në 30 vitet e fundit ka pasur si avantazh kryesor konkurrues koston e lirë të fuqisë punëtore, çka ka bërë që inovacioni të mos jetë në fokus. Tashmë që pagat janë rritur, shue industri po përballen me problematika, duke rrezikuar mbylljen, pasi nuk janë më konkurruese.
Europa
Sipas Eurostat, në vitin 2022, BE-ja shpenzoi 352 miliardë euro për kërkime dhe zhvillim (R & D – Research and Development), 6.34% më shumë se në vitin e kaluar (331 miliardë euro) dhe 48.52% më shumë se në 2012 (237 miliardë euro).
Kur shikohet intensiteti i R&D, d.m.th. shpenzimet për R&D si përqindje e PBB-së, të dhënat tregojnë një rënie të lehtë nga 2.27% në 2021 në 2.22% në 2022.
Ndër vendet anëtare të BE-së, 4 vende regjistruan intensitetin e R&D mbi 3% në 2022. Intensiteti më i lartë i R&D u regjistrua në Belgjikë (3.44%), e ndjekur nga Suedia (3.40%), Austria (3.20%) dhe Gjermania (3.13%).
Në të kundërt, 8 vende të BE-së raportuan intensitet të R&D nën 1%: Rumania (0.46%), Malta (0.65%), Letonia (0.75%), Qiproja dhe Bullgaria (të dyja 0.77%) shënuan përqindjet më të ulëta, e ndjekur nga Irlanda, Sllovakia dhe Luksemburgu me aksione afër 1%.
Midis 2012 dhe 2022, intensiteti i R&D në BE u rrit me 0,14 pikë përqindje (pp). Rritjet më të mëdha u regjistruan në Belgjikë (1.16 pp), Greqi (0.77 pp) dhe Kroaci (0.69 pp).
Në të kundërt, intensiteti i R&D u ul në 8 vende. Irlanda pësoi një rënie prej -0,6 pp, e ndjekur nga Finlanda (-0,45 pp), Estonia (-0,35 pp), Sllovenia (-0,30 pp), Luksemburgu (-0,23 pp), Danimarka (-0,22 pp), Malta (-0,15). pp), dhe Franca (-0,13 pp).
Sektori i sipërmarrjeve të biznesit vazhdoi të zërë peshën më të madhe të shpenzimeve për R&DH.
Në vitin 2022 ajo përfaqësonte 66% të shpenzimeve të BE-së për Kërkim dhe Zhvillim, në total 233 miliardë euro. Ai u pasua nga sektori i arsimit të lartë (22%; 76 miliardë euro), sektori qeveritar (11%, 37 miliardë euro) dhe sektori privat jofitimprurës (1%; 5 miliardë euro).
/Revista Monitor