Njihuni me yllin gjigand “UY Scuti” që është 1700 herë më i madh se Dielli ynë
Ka miliarda dhe triliona yje në universin tonë. Brenda këtij numri të madh janë yjet e të gjitha formave e përmasave. Kjo përfshin yllin më të vogël të regjistruar ndonjëherë, “EBLM J0555-57Ab”, i cili është afërsisht sa Saturni. Por ç’të themi për yllin më të madh në univers? Do t’ju duhet më shumë se një teleskop për të parë këtë yll hipergjigant.
Ylli më i madh i njohur në univers është “UY Scuti”. Ka një rreze të vlerësuar prej 1.188 miliardë kilometrash. Nëse “UY Scuti” do të ishte qendra e sistemit tonë diellor, fotosfera ose guaska e saj e jashtme do të arrinte vetëm pas orbitës së Jupiterit. Është një hipergjigant i kuq, që do të thotë se ka një masë dhe shkëlqim të madh. Megjithatë, këto lloj yjesh janë më të vështirë për t’u gjetur, për shkak të jetëgjatësisë së tyre të shkurtër. Ndryshe nga yjet e tjerë që zgjasin për miliarda vjet, hipergjigantët ekzistojnë vetëm për disa milionë vjet.
“UY Scuti” u zbulua në 1860 nga astronomët gjermanë; në atë kohë, ajo u emërua “BD-12 5055”. Ky yll mund të gjendet afër qendrës së Rrugës së Qumështit, rreth 9500 vite dritë larg nga Toka. Është pjesë e yjësisë Scutum. Dielli mund të jetë qendra e sistemit tonë diellor, por nuk është ylli më i madh në univers. Dielli ka një rreze mesatare prej rreth 696,000 kilometrash, ose 432,450 milje. Në krahasim me “UY Scuti”, rrezja e Diellit është 1700 herë më e vogël./ATSH