Stuhia ‘Ciara’ në Shqipëri! Përmbytje rrugësh në Tiranë e qytete! Bllokohet autostrada Tiranë-Durrës! Përmbytet rruga dytësore
Reshje të dendura shiu kanë përfshirë vendin mesditën e sotme, duke shkaktuar probleme ne qarkullim, kryesisht në autostradën Tiranë-Durrës
Një nga akset rrugore më të qarkullueshme autostrada Tiranë-Durrës është bllokuar nga trafiku si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, që kanë përfshirë vendin mesditën e sotme, të cilat kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e makinave. Ndërkohë në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, qarkullimi është bllokuar pasi rrugët janë përmbytur deri në disa centimetra, siç shihet edhe nga videot e siguruara nga Report Tv.
Në një tjetër video të siguruar nga Report Tv, policia rrugore shihet duke pastruar autostradën në aksin Rinas-Tiranë, nga degët e thyera të pemëve. Edhe në kryeqytet raportohet problematika në rrugët kryesore.
Ndërkohë në qytetin e Durrësit, kanë mjaftuar vetëm pak minuta shi dhe rrugët janë përmbytur duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e makinave.
Kushtet e përkeqësuar atmosferike në gjirin e Vlorës dhe Shëngjin, sollën edhe pezullimin e lundrimit të mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit.
Sipas njoftimit të kapitenerisë së portit të Vlorës, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve. Ndërkaq në Shëngjin shpejtësia e erës në det hapur është 18m/s, ndërsa dallgëzimi ka arritur deri në 7 ballë.
Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit pritet të jetë ditën e nesërme pas orës 20:00.
/Report.tv