Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Shkup, mbahet protestë në mbështetje të Palestinës

Shkup, mbahet protestë në mbështetje të Palestinës

Qytetarë të nacionaliteteve të ndryshme si shqiptarë, turq, maqedonas, boshnjakë dhe romë, u mblodhën në Çarshinë e Vjetër të Shkupit dhe mbajtën pankarta në mbështetje të Palestinës dhe kundër Izraelit

Furkan Abdula  |20.10.2023 – Përdıtësım : 20.10.2023
Shkup, mbahet protestë në mbështetje të Palestinës

Foto: Furkan Abdula / AA

Shkup

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup u mbajt protestë mbështetjeje dhe solidariteti për popullin palestinez, në organizim nga Platforma për Mbështetjen e Palestinës me sloganin “Mos hesht ndaj masakrës”, raporton Anadolu.

Qytetarë të nacionaliteteve të ndryshme si shqiptarë, turq, maqedonas, boshnjakë dhe romë, u mblodhën në sheshin e Xhamisë Murat Pasha në Çarshinë e Vjetër të Shkupit dhe mbajtën pankarta në mbështetje të Palestinës dhe kundër Izraelit.

Në pankarta shkruhej: “Shpëtoni Palestinën”, “Shpëtoni Gazën”, “Liri për Palestinën”, “Mjafton të jesh njeri për ta mbështetur Palestinën”, “Izraeli është terroristi i vërtetë”, “Ndaloni së bëri atë që ju bëri Hitleri”, “Mbështetja e Palestinës do të thotë mbështetje për njerëzimin”, “Lutu për Palestinën”, “Mos e prekni Xhaminë Al-Aksa”, “Ndaloni masakrën, ky është gjenocid”, “Nuk mund të marrim frymë që nga viti 1948”.

Në kuadër të protestës, u shpalosën flamuj të Palestinës, Türkiyes, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, u recitua pjesë nga Kurani dhe u fal namazi i xhenazes në mungesë (Gijabi) për ata që humbën jetën në sulmet në Gaza.

Gjithashtu, nga organizatorët u lexua një deklaratë në tri gjuhë: turqisht, maqedonisht dhe shqip.

Në deklaratë thuhej: “Prej shumë vitesh Izraeli është në pozitat e pushtuesit në rajon dhe, ashtu si gjithmonë, edhe këto ditë po ndërmerr akte shtypjeje dhe dhune ndaj muslimanëve në Palestinë, me në krye ndaj atyre në Gaza. Bombardimi i fundit mbi spitalin Baptist Al-Ahli nga Izraeli, që prej 12 ditësh po sulmon civilët e pafajshëm, kryesisht gra e fëmijë, është i papranueshëm për njerëzimin. Si njerëz, nuk mund të heshtim përballë një barbarie të tillë”.

Theksohet se komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht Kombet e Bashkuara (OKB), thjesht e vëzhguan këtë çështje dhe nuk morën asnjë masë paraprake kundër masakrës së kryer mbi njerëzit e pafajshëm.

“Qëndrimi i pavendosur i komunitetit ndërkombëtar që ka mbyllur sytë ndaj shkeljeve sistematike të të drejtave njerëzore që vazhdojnë prej shumë vitesh ndaj popullit palestinez, nuk përfaqëson aspak qëndrimin e qytetarëve me ndërgjegje të Maqedonisë së Veriut. Bëjmë thirrje për masa urgjente për t’u dhënë fund sa më parë këtyre sulmeve që vrasin vetë dinjitetin njerëzor. Sidmos si bashkësi të rajonit që kemi përjetuar masakra të shumta e gjenocid në fund të shekullit të 20-të, duam të shprehim solidaritetin tonë me vëllezërit tanë palestinezë”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu theksohet se çështja e Palestinës vazhdon të injorohet me këmbëngulje edhe pse është çështje dinjiteti për mbarë botën, rendin e qeverisjes dhe sigurisë globale dhe të gjitha institucionet me përgjegjësi dhe autoritet, dhe se është e nevojshme që të ndërmerren sa më parë hapa për vendosjen e paqes dhe prosperitetit, veçanërisht për vendet e rajonit.

Në deklaratë thuhej se shtetet në kontinentin e Amerikës, Evropës dhe rajone të tjera thirren të mbajnë një qëndrim të bazuar në ekuilibra të drejtë dhe human ndërmjet palëve.

“Politikat çnjerëzore të Izraelit meritojnë të dënohen nga çdo shtresë njerëzore. Çdo mendësi që mban anën e padrejtësisë e të të padrejtëve, është e destinuar të zhduket. Me çdo çmim do të jemi gjithmonë krah popullit të pafajshëm e të vuajtur palestinez”, u theksua në deklaratë.

Platforma e Mbështetjes së Palestinës është një platformë e krijuar nga shoqata të kombësive të ndryshme në vend./www.aa.com.tr

Prev Post

Nis hyrja e ndihmave humanitare në Gaza

Next Post

Ka shkuar në 400 numri i të vdekurve në Rripin e Gazës si pasojë e sulmeve izraelite këtë të diele

post-bars

Leave a Comment