Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Kisha Anglikane kishte marrë urdhra për evakuim nga Izraeli para sulmit ndaj spitalit në Gaza

Kisha Anglikane kishte marrë urdhra për evakuim nga Izraeli para sulmit ndaj spitalit në Gaza

Disa ditë para sulmit në spitalin Baptist Al-Ahli në Gaza, në të cilin u vranë qindra palestinezë, Kisha Anglikane e cila mbikëqyrë institucionin shëndetësor në fjalë, mori tre urdhra nga Izraeli për të evakuuar objektin, njoftoi Kisha Anglikane në Kuds.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, 471 palestinezë u vranë dhe 342 të tjerë u plagosën, 28 prej tyre në gjendje të rëndë, në sulmin izraelit ndaj spitalit në Gaza.

“Ne morëm tre urdhra për të evakuuar spitalin, të shtunën, të dielën dhe të hënën. Spitali u bombardua të martën”, tha kryepeshkopi anglikan Hosam Naoum në një konferencë për media. Ai shtoi se shumica e këtyre urdhrave janë lëshuar përmes telefonit. Kryepeshkopi e quajti krim dhe masakër shpërthimin në spital.

“Ne si udhëheqës të kishës paralajmërojmë gjithmonë për dhunën si rezultat i konfliktit aktual në Lindjen e Mesme midis izraelitëve dhe palestinezëve”, tha Naoum. Ai u pyet edhe për palën përgjegjëse për shpërthimin.

“Ajo që dimë është atë që kemi parë në televizion dhe nuk jemi ekspertë ushtarakë për të përcaktuar anën. Ajo që ne të paktën dimë është se ka shumë ndërtesa, shtëpi dhe shumë vende që janë bombarduar nga sulmet izraelite”, tha kryepeshkopi, duke iu referuar Gazës dhe shtoi se këto janë fakte në terren.

Izraeli ka mohuar përgjegjësinë për sulmin në spital, por informacioni se ushtria lëshoi ​​paralajmërime përmes telefonit mbështet pretendimet se Izraeli e kreu sulmin.

Spitali njihet si Baptist për arsye historike, por ka qenë nën administrimin e Kishës Anglikane ose Kishës së Anglisë, që nga fillimi i viteve 1980. Gaza po përjeton krizë të rëndë humanitare pa energji elektrike, ndërsa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë.

Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se 3.478 palestinezë u vranë dhe mbi 12 mijë të tjerë u plagosën në Gaza nga sulmet e Izraelit. Po ashtu në sulmet izraelite humbën jetën edhe 13 gazetarë.

Raportohet se 1.405 izraelitë, përfshirë 306 ushtarë humbën jetën dhe 3.968 izraelitë u plagosën në sulmet e kryera nga Gaza.

Në përleshjet që nisën mes ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut në kufirin me Libanin më 8 tetor, humbën jetën 10 anëtarë të Hezbollahut, 2 anëtarë të Xhihadit Islamik, 1 gazetar dhe 2 civilë.

Në sulmet e kryera nga Libani humbën jetën 2 ushtarë izraelitë dhe 1 civil izraelit.

 

/AA

Prev Post

Gruaja palestineze, nën rrënoja me Kuran në duar

Next Post

Parlamenti Europian cilëson sulmin e Serbisë në Banjskë si “sulm terrorist”

post-bars

Leave a Comment