Pogradeci krah qyteteve me turizëm të zhvilluar, 500 mijë vizitorë gjatë verës
Përmes një deklarate online, drejtuar qytetarëve të Pogradecit, bashkia e këtij qyteti tha se, falë një strategjie të mirëkonceptuar në orientimin e investimeve apo shërbimeve në këto 4 vite e pak muaj, ia doli që Pogradeci të ngjitet me shpejtësi dhe të rreshtohet krah qyteteve me turizëm të zhvilluar. Kjo faktohet edhe nga shifrat në rritje nga viti në vit të numrit të pushuesve dhe vizitorëve.
Sipas Bashkise Pogradec, vetëm gjatë sezonit veror që lamë pas, në këtë qytet qëndruan rreth gjysmë milion turistë, vendas dhe të huaj. Kjo rritje kaq e madhe sigurisht që bazohet në shërbimet dhe investimet e bashkisë, bashkë me shërbimin në rritje të operatorëve turistikë.
“Kemi punuar dhe ia kemi dalë që të orientojmë Pogradecin drejt zhvillimit të turizmit 4-stinor. Në çdo sezon ne ofrojmë organizime dhe festa të ndryshme me karakter lokal dhe kombëtar në mënyrë që të thithim sa më shumë vizitorë e turistë”, thuhet në postimin e Bashkisë Pogradec, në faqen online.
Rritja e kërkesës për të qëndruar në Pogradec edhe jashtë sezonit veror, ka dhe kërkesat e saj, duke filluar që nga përmirësimi i dekorit, të konsumuar në këto 4 vjet. Bashkia Pogradec ka premtuar që këtë vit të sjellë një dekor të ri edhe më të bukur se vitet e kaluara për t’iu ofruar qytetarëve dhe vizitorëve një pamje krejt të re në këtë fundvit.
Bashkia ka theksuar se e gjithë pjesa tjetër e dekorit të viteve të kaluara do të vendoset në rrugë të pandriçuara më parë, deri në njësitë administrative pranë qytetit.
Për të realizuar këtë financim do të reduktohen disa zëra buxhetorë për investimet të cilat janë në proces apo që pritet të nisin, por kjo nuk nënkupton në asnjë moment se këto investime nuk do të kryhen, pasi do të nisë zbatimi i tyre në përfundim të të gjitha etapave ligjore.