Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Kosova më në fund pranohet në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar

Kosova më në fund pranohet në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar

Kosova më në fund është anëtare e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar (IPC). Gati nëntë vjet pas pranimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Kosova pranohet edhe në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar. Pranimi në IOC kishte hapur dyert e thuajse të gjitha federatave sportive për Kosovën. Por dyert e IPC-së mbetën të “mbyllura” për shkak të mosplotësimit të një numri kriteresh strikte, përkatësisht mosorganizimit të duhur të Komitetit Paralimipik të Kosovës.

Kosova tashmë është paraqitur në dy edicione të Lojërave Olimpike, por ka munguar në Lojërat Paralimpike në “Rio 2016” dhe “Tokio 2020” për shkak që nuk ishte anëtare e IPC-së. Lojërat Paralimpike, që janë ngjarje madhore shumësportëshe për sportistët me aftësi të kufizuara, mbahen pak javë pas Lojërave Olimpike. Paralimpistët e Kosovës do të debutojnë në “Parisi 2024”.

Vendimi për pranimin e Kosovës në IPC u mor të enjten mbrëma në Asamblenë Gjenerale të IPC-së të mbajtur në Manama të Bahrejnit.

Pos Kosovës u pranua edhe Bangladeshi. Tashmë IPC-ja i ka 183 vende anëtare.

Në Asamblenë e IPC-së ishte Njomza Emini, kryetare shumëvjeçare e Komitetit Paralimpik të Kosovës. Kjo organizatë ende nuk ka lëshuar ndonjë njoftim për pranimin historik në IPC.

“Anëtarësimi në IPC premton të zhvillojë parasportet në Kosovë, duke ofruar frymëzim dhe krenari për sportistët tanë dhe njerëzit me aftësi të kufizuara”, ka thënë Emini për “insidethegames”. Ajo ka përmendur anën financiare pas pranimit në IPC.

“Derisa burimet tona financiare janë të kufizuara, Komiteti Paralimpik i Kosovës është i përkushtuar që të përmbushë detyrat e anëtarësimit në IPC në standardin më të lartë. Ne e çmojmë përkrahjen e palëkundur që kishim”, ka shtuar Njomza Emini.

Kosova është anëtarja e 49-të nga Evropa e IPC-së.

Lojërat Paralimpike Verore mbahen që nga viti 1960. Në Tokio në vitin 2021 garuan paralimpistë nga 162 vende të ndryshme. Ishin gjithsej 4403 sportistë. Ishte garuar në 22 sporte, ndërsa ngjarja, si zakonisht, kishte përcjellje të madhe mediatike.

Madhështinë e Lojërave Paralimpike tani e tutje do ta përjetojnë edhe sportistët nga Kosova./KOHA.net

Prev Post

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Türkiyes në Kosovë

Next Post

Sami Frashëri: Kemi disa dialekte, por këto shtojnë begatinë e gjuhës, nuk kemi nevojë për fjalë të huaja

post-bars

Leave a Comment