Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Tri vepra të Shqipërisë e të Kosovës në Panairin e Librit në Riad

Tri vepra të Shqipërisë e të Kosovës në Panairin e Librit në Riad

Pritja e këtyre romaneve hapi rrugën për vepra të reja. Kështu, këtë vit është hera e parë që prezantohen dy romane të reja në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Riad që nisi më 28 shtator dhe zgjat deri më 7 tetor: “Daullja prej letre” i Besnik Mustafajt dhe “Vdekja e Anilës” i Ibrahim Kadriut në përkthim të Adnan Muhamedit që i nxori sivjet shtëpia botuese siriane “Dar al-Hiwar”, e themeluar më 1984 që i nxori deri më tani mbi 1000 tituj. Po ashtu, në Panairin e Librit në Riad sivjet po ekspozohet edhe antologjia e poezisë bashkëkohore e Kosovës me titull “Jetë në vazhdime” që përfshin 18 poetë të Kosovës në përkthim të Muhamed Mufakut
Kohëve të fundit kemi një risi që vlen të prezantohet: promovimi i letërsisë shqipe në gjuhën arabe, gjuhë e 20 shteteve me 400 milionë banorë prej Kuvajtit deri në Marok, e cila është një prej pesë gjuhëve zyrtare të Kombeve të Bashkuara. Është për të shënuar këtu, në sajë të shënimeve të botuesve, se viteve të fundit u bë një ndryshim i madh në raport libër-lexues si pasojë e COVID-19 dhe zhvillimit të hovshëm urbanistik në kryeqendrat arabe. Kështu, duket si kontrast që në kohën që po mbyllen shumë librari në kryeqytetet arabe, shitja e librit po rritet me anë të panaireve dhe kompanive (si “Amazon” e tjera) që merren me sigurimin e librave dhe dërgimin e tyre deri te lexuesi.

Në lidhje me panaire të librave kemi nja 20 që mbahen me rend prej Kuvajtit deri në Marok, por tani dy janë më të rëndësishmit: Panairi i Kajros që ka më shumë reputacion dhe Panairi i Riadit që ka më shumë shitje-blerje të librave (vjet nja 2 milionë vizitorë e mbi 20 milionë euro qarkullim, kurse sivjet 1800 botues e 200 aktivitete).

Mu në këto vite filloi të promovohet mirë letërsia shqipe nëpër panaire të mëdha, kur përcillet atje me ndonjë tryezë e të tjera. Në mungesë të përkrahjes shtetërore, me përjashtim të një libri që e financoi pjesërisht Qendra e Librit në Tiranë më 2021, këto suksese të reja janë fryte të shoqërisë civile dhe disa ambasadorëve që kuptojnë mirë diplomacinë kulturore. Kështu, iniciativa filloi me themelimin e Institutit për Studime Orientale (ISO) në Prishtinë më 2019, që mori përsipër promovimin e kulturës shqiptare në Lindjen e Mesme. Në këtë kuadër e filloi bashkëpunimin me disa shtëpi botuese në vendet arabe dhe filloi të botohen libra për çdo vjet.

Image
Ambasadori i Kosovës në Arabinë Saudite, Lulzim Mjeku (majtas) para dy romaneve të Besnik Mustafajt dhe Ibrahim Kadriut në Panairin e Librit në Riad
Sa për fillim u botuan dy romane: “Përtej binarëve” i Ibrahim Kadriut (Amman 2020) dhe “Një sagë e vogël për burgun” i Besnik Mustafajt (Amman 2021), të përkthyer në arabisht nga Ibrahim Fadlulla. Një vit më vonë, më 2022, doli botimi i dytë i romanit “Era dhe Lisi” i Sinan Hasanit me rastin e 100-vjetorit të lindjes.

Pritja e këtyre romaneve hapi rrugën për vepra të reja. Kështu, këtë vit është hera e parë që prezantohen dy romane të reja në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Riad që nisi më 28 shtator dhe zgjat deri më 7 tetor: “Daullja prej letre” i Besnik Mustafajt dhe “Vdekja e Anilës” i Ibrahim Kadriut në përkthim të Adnan Muhamedit që i nxori sivjet shtëpia botuese siriane “Dar al-Hiwar”, e themeluar më 1984 që i nxori deri më tani mbi 1000 tituj. Po ashtu, në Panairin e Librit në Riad sivjet po ekspozohet edhe antologjia e poezisë bashkëkohore e Kosovës me titull “Jetë në vazhdime” që përfshin 18 poetë të Kosovës në përkthim të Muhamed Mufakut.

Këto suksese të promovimit të letërsisë shqipe në Lindjen e Mesme u arritën edhe me qasjen pozitive të disa ambasadave të Kosovës, e sidomos në Riad e në Doha, ku ambasadorët kuptojnë mirë rëndësinë e diplomacisë kulturore, që do të thotë të vizitojnë pavijonin e botuesve dhe të marrin pjesë në promovimin e botimeve të reja në praninë e autorëve e të mbajnë disa kopje në ambasadë për ndonjë mysafirë që vjen. Sivjet, botuesi jordanez i antologjisë së poezisë bashkëkohore të Kosovës premtoi të organizojë për një panair tjetër një recitim të poezive në shqip e arabisht në prani të dy poetëve të Kosovës.
Megjithatë, tani rruga u hap më tutje. Deri në fund të vitit pritet të botohet romani i tretë i Besnik Mustafajt në arabisht, “Dëmtuar gjatë rrugës”, në përkthim të Adnan Muhamedit dhe në botim të shtëpisë siriane “Dar al-Hiwar”. Kjo do të ishte ngjarje, sepse autori do të jetë mysafir nderi i Panairit të Librit në Kajro që mbahet në fund të janarit të vitit 2024, me të cilin rast do të mbahet një tryezë për letërsinë shqipe. Me fjalë të tjera, do të ishte hera e parë që një shkrimtar shqiptar i këtij niveli të ftohet si mysafir nderi dhe prezantohet letërsia e vendit të vet.

Me këto botime, tani letërsia bashkëkohore shqipe ka dyer të hapura në Lindjen e Mesme, por na mungojnë vetëm përkthyesit dhe ministritë që merren me kulturë!
/koha.net

Prev Post

Universiteti i Prishtinës renditet në Times Higher Education, pikë referimi global për përsosmëri në arsim të lartë

Next Post

Gjashtë vite nga vdekja e albanologut Robert Elsie, mentorin e kulturës shqiptare

post-bars

Leave a Comment