Ndërron jetë nobelisti shqiptar Ferid Muradi
Nobelisti shqiptar Ferid Muradi ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare. Lajmi për ndarjen nga jeta të tij është bërë me dije nga ish-drejtuesi i Kongresit Panshqiptar Amerikan, Bruno Ceka, përmes një postimi në facebook.
“Sot pushoi së rrahuri zemra e njërit ndër figurat më të mëdheja të kombit shqiptar. Nobelistit tonë dr Ferid Murad. Pushofshë në paqe miku im Zoti të bekoftë”, shkruan Ceka.
Ferid Muradi me prejardhje nga Gostivari është fitues i çmimeve dhe mirënjohjeve të shumta për hulumtime në fushën e mjekësisë në SHBA.
Muradi është një ndër tre amerikanët që fituan Çmimin Nobel për Mjekësinë në vitin 1998, për punën e tyre me NO. Murati dhe kolegët e tij zbuluan përparësitë vitale biologjike të NO, një gazi pa ngjyrë dhe erë, që i nxit enët e gjakut të relaksohen, zgjerohen dhe kjo çoi më pas në prodhimin e pilulave kundër impotencës, të njohura si Viagra.
NO përmirëson qarkullimin e gjakut dhe e ul tensionin. Ky zbulim ka një rang të lartë aplikimesh, duke përfshirë këtu trajtimin e sëmundjeve të zemrës dhe mundësinë e frymëmarrjes më të lehtë të foshnjave të lindura para kohe.
/euronews.al