Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Dhjetë fakte që mund të mos i dini mbi Rrugën e Qumështit

Dhjetë fakte që mund të mos i dini mbi Rrugën e Qumështit

Rruga e Qumështit është galaktika, të cilën sistemi ynë diellor e quan shtëpinë e vet. Për mijëra vjet, bukuria dhe mrekullia e Rrugës së Qumështit kanë frymëzuar histori legjendare dhe astronomë kureshtarë që kanë vëzhguar qiell natën. Ne kemi mësuar vetëm kohët e fundit disa nga detajet më magjepsëse mbi Rrugën e Qumështit. Ja cilat janë 10 faktet që dimë mbi të:

1. Sa e madhe është Rruga e Qumështit?

Sipas agjencisë hapësinore të SHBA, NASA, galaktika e Rrugës së Qumështit është rreth 100.000 vite dritë e gjerë. Por edhe kjo matje mund të jetë një nënvlerësim. Sepse, galaktika jonë fqinje, Andromeda, është afro 220.000 vite dritë e gjerë. Dhe disa të tjera, mund të kenënjë gjerësi prej miliona vite dritë.

2. Si lëviz sistemi ynë diellor rreth Rrugës së Qumështit?

Ashtu si planeti ynë lëviz rreth Diellit, edhe sistemi ynë diellor rrotullohet rreth qendrës së Rrugës së Qumështit. Megjithatë, në vend se të zgjasë një vit, sistemit tonë diellor i duhen rreth  230 milionë vjet për të përfunduar një rrotullim të plotë rreth qendrës së galaktik. Kjo do të thotë që herën e fundit që sistemi diellor ishte aty ku jemi tani, ishte në fillimet e Periudhës Jurasike.

3. Çfarë ndodhet në qendër të Rrugës së Qumështit?

Sistemi ynë diellor dhe të gjitha lëndët e tjera brenda Rrugës së Qumështit, rrotullohen rreth një vrime të zezë super të madhe, e quajtur zakonisht Shigjetari A. Kjo vrimë e zezë është zakonisht jo aktive, dhe vetëm herë pas here thith pluhurin dhe gazrat përreth.

Sipas NASA-s, Shigjetari A ka një masë rreth 4 milionë herë më të madhe se Dielli ynë. Për shkak të afërsisë së tij me Tokën (26.000 vite dritë), studiuesit mund ta vëzhgojnë se si materia ndërvepron me vrimën e zezë.

4. Si e mori emrin Rruga e Qumështit?

Rruga e Qumështit mund ta ketë marrë emrin e saj nga një legjendë e lashtë greke. Sipas mitit, kur Hera po ushqente Herakliun (Herkulin), foshnja derdhi pak nga qumështi dhe e shpërndau nëpër qiell. Për shkak të  pamjes së tij të bardhë i mbeti edhe ky emër.

Megjithatë, një emër i ngjashëm përdoret në shumë gjuhë të tjera. Dhe galaktika jonë mban disa emra të tjerë në mbarë globin. Sipas Muzeut Amerikan të Historisë Natyrore, në shkretëtirën Kalahari në Afrikën e Jugut, galaktika quhet “Shtylla Kurrizore e Natës”ndërsa në Kinë “Lumi i Argjendtë”.

5. Çfarë forme ka Rruga e Qumështit?

Sipas Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) – misioni i së cilës Gaia i vitit 2013 ndihmoi në hartimin e Rrugës së Qumështit – disku i Rrugës së Qumështit nuk është i sheshtë, por i deformuar. Ai lëkundet ndërsa lëviz nëpër Univers, si një majë rrotulluese. Megjithëse nuk dihet me siguri, disa studiues besojnë se këtë lëkundje e ka shkaktuar një përplasje e tij me një galaktikë tjetër.

6. Si u formua Rruga e Qumështit?

Falë misionit “ESA Gaia”, studiuesit mund të kuptojnë më mirë se si mund të jetë formuar galaktika e Rrugës së Qumështit. Për shembull në vitin 2018, duke përdorur të dhënat e Gaia, studiuesit nga Universiteti i Groningenit në Holandë, vunë re një grumbull prej 30.000 yjesh që lëviznin në një drejtim të kundërt me atë të shumicës së yjeve të tjerë të galaktikës.

Analiza e mëtejshme me diagramin Hertzsprung–Russell, që përshkruan dhe klasifikon shkëlqimin dhe temperaturën e yjeve për të na ndihmuar të kuptojmë evolucionin yjor dhe ciklet e jetës së tyre, arriti në përfundimin se ky grup yjesh vinte nga një galaktikë tjetër, rezultat i një bashkimi galaktik të dikurshëm.

7. Kur do të përplasen galaktikat Rruga e Qumështit dhe Andromeda?

Ndërsa një përplasje e mundshme galaktike mund të ketë ndikuar tashmë mbi Rrugën e Qumështit, në horizont mund të jetë një përplasje tjetër, që gjithsesi është 4 miliardë vjet larg nga tani. Falë teleskopit hapësinor Hubble, studiuesit kanë përcaktuar se pas afro 4 miliardë vjet, Andromeda – fqinji ynë më i afërt kozmik – do të përplaset me Rrugën e Qumështit.

Sipas parashikimeve të NASA-s, Dielli ynë do të zhvendosej në një zonë tjetër të galaktikës, por sistemi diellor nuk do të shkatërrohej. Simulimet tregojnë se pas përplasjes së 2galaktikave, ato do të bashkohen në një të vetme, dhe atë studiuesit e kanë quajtur që tani “Milkomeda”.

8. Nga se përbëhet Rruga e Qumështit?

Nëse shihni qiellin në një natë të kthjellët dhe jeni mjaftueshëm larg zonave të banuara, mund të vini re shkëlqimin e Rrugës së Qumështit. Ajo që ne mund të shohim nga galaktika është e ndritshme dhe e ndriçuar nga miliarda yje. Megjithatë sipas NASA-s, ajo që ne mund të shohim nga Rruga e Qumështit përbën vetëm rreth 5 për qind të masës së galaktikës.

Studiuesit besojnë se pjesa tjetër e masës së galaktikës, përbëhet nga një substancë misterioze e quajtur materie e errët, e cila nuk lëshon dritë ndaj nuk mund të matet drejtpërdrejt.

9. Sa planetë gjenden në Rrugën e Qumështit?

Me miliarda e miliarda planetë në Rrugën e Qumështit, mund të ketë jashtë sistemit tonë diellor. Falë informacionit dhe të dhënave nga Teleskopi Hapësinor Kepler, studiuesit kanë identifikuar disa ekzoplanetë (planetë jashtë sistemit tonë diellor) brenda zonës së banueshme të yjeve të tyre.

10. Sa yje ka në Rrugën e Qumështit?

Shumica e vlerësimeve sugjerojnë ekzistencën të paktën 100 miliardë yjeve në galaktikën tonë, dhe ndoshta deri në 400 miliardë. Ndërkohë një numër i paimagjinueshëm është gjithashtu i përhapur në të gjithë pjesën tjetër të universit. Yjet që mund t’i shohim nga Toka përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të asaj që përmban Rruga e Qumështit. / bota.al

Prev Post

Portreti i Klimt që u shit për 100 milionë euro në ankand

Next Post

Feja në hapësirën publike: Sheshi si pasqyrim i një shoqërie të lirë

post-bars

Leave a Comment