
Avokatja shqiptare tenton rekordin historik, niset me not nga Italia për në Shqipëri
Atletja shqiptare Eva Buzo, një 35-vjeçare e cila jeton në Australi, është nisur për të thyer një rekord historik në not.
Që prej orës 7 të mëngjesit të kësaj të enjteje ajo është nisur nga Italia me not për të përshkuar kanalin e Otrantos dhe të mbërrijë më pas në Shqipëri.
Rrugëtimi i 35-vjeçares është përllogaritur të zgjasë nga 35 deri në 40 orë. Ajo do të shoqërohet gjatë kalimit të kanalit të Otrantos nga dy trajnerët e saj me kajak, si dhe nga një varkë e pajisur me asistencën logjistike.
Buzo është me profesion avokate në Australi dhe është e angazhuar dhe në shoqërinë civile në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ajo ka përvojë pune në Afrikën Lindore, Azinë Jugore dhe Australi.
Në lidhje me nisjen e sfidës nga ana e 35-vjeçares shqiptare ka reaguar dhe kryeministri Rama, i cili ka shpërndarë një video nga udhëtimi i saj, ku i uron dhe suksese./STOP