Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Lidhja e Prizrenit – Organizata më e madhe politiko-ushtarake!

Lidhja e Prizrenit – Organizata më e madhe politiko-ushtarake!

 

Viti 1878 do t’i gjente shqiptarët në këmbë! Kufijtë e dikurshëm të shtetit të tyre të madh tashmë po kërcënoheshin nga shumë anë. Pas heroizmit të ushtrisë osmane në Plevne, rusët do ti ndiqnin ata deri në afërsi të Stambollit, Jeshilkoj. Këtu do të nënshkruanin një traktat paqeje të njohur si Traktati i Shën Stefanit, i cili të gjithë vëmendjen e politikës botërore do ta përqendronte në Ballkan, për shkak se rusët ngadhënjimtarë tashmë, po ridizajnonin kufijtë e gadishullit, në arritjen e synimeve të planit pansllav dhe në të mirë të popujve sllavo-ortodoksë. Tokat e Perandorisë të cilat duhej të bëheshin kurban ishin të banuara me një popull, i cili ishte i ndryshëm nga fqinjët e tij, me gjuhë e me shumicë dërrmuese edhe me fe. Shqiptarët, që tashmë përshkonin pjesët bregdetare dhe perëndimore të të ashtuquajturës Evropë Osmane, u ishin ekspozuar fqinjëve të etur për grabitje dhe të ndryshëm nga ta. Si shumicë, shqiptarët i takonin besimit islam dhe për këtë arsye nuk futeshin në planet pansllave. Në anën tjetër, duke qenë pjesë dërrmuese myslimanë, ky popull ishte kalaja më e fuqishme e jetëgjatësisë së sundimit osman në këtë pjesë të Evropës. Por, tashmë shteti për të cilin këta kishin kontribuar për shekuj me radhë, po nënshkruante vetëm traktate humbjeje dhe vetëm falë status quos së fuqive evropiane mund të vazhdonte ekzistencën. E duke u thirrur pikërisht në status quon që edhe në kongreset e tjera kishin aprovuar, evropianët, do të thirrisnin një tjetër të tillë në Berlin, për të rishikuar traktatin ruso-osman dhe për të ndaluar hovin rus drejt jugut. Për të kundërshtuar gjithashtu një gjë të tillë dhe për t’i bërë me dije Evropës se ishin të vendosur në kundërshtimin e tyre, shqiptarët, do të mblidheshin vetëm pak ditë para atij të Berlinit, në Prizren, pranë xhamisë së Bajrakut në kompleksin e Gazi Mehmet Pashës. Nga përfaqësuesit e vilajeteve të ndryshme, aty do të lidhej një besë e do të themelohej një organizatë që në dokumentet zyrtare do të njihet me emrin “Xhemijeti Ittihadije”, e që do të thoshte Organizata e Lidhjes. Nocioni “Ittihad” që në shqip i bie “bashkim” apo “lidhje”, vinte nga projekti politik i gjysmës së dytë të shek XIX “Ittihad-i Islam”, i ndjekur gjatë sundimit të Sulltan Abdylhamitit II, e që në qendër kishte unifikimin e myslimanëve karshi kolonializmit dhe që gjithashtu e gjejmë në shumë organizata politike në vende të botës islame gjatë kësaj periudhe, si në Marok, Pakistan e Indi, vende të cilat tashmë iu ishin ekspozuar kolonializmit evropian dhe përpiqeshin për një unifikim dhe bashkim. Ittihadi i Prizrenit si një organizatë ushtarake dhe politike tashmë, që në nxjerrjen e Kararnamesë së parë, kishte shprehur hapur lojalitetin ndaj Sulltanit dhe kundërshtinë për t’u shkëputur nga ‘ahengu’ islam. Por megjithëse heshtur përkrahnin organizimin e shqiptarëve në Ballkan, Saltanati dhe qeveria osmane nuk kishin komoditetin që t’i përkrahte të gjitha kundërshtitë e Lidhjes, për shkak se fatin e saj tashmë determinonte ‘Koncerti Evropian’. Si rrjedhojë, me gjithë hedhjen poshtë të Traktatit të Shën Stefanit, shteti osman ishte i detyrua ti pranonte pavarësitë e shteteve ballkanike si dhe burokratët e saj nënshkruan kalimin e tokave perëndimore të banuara me shqiptarët, nën shtetet e krijuara rishtas, Malit të Zi dhe Serbisë, akt ky që për Lidhjen ishte pabesi.

Në emër të popullit shqiptar!

Gjatë shekujve të mëhershëm, shqiptarët si etnitet i dalluar gjuhësor, ishin pjesë përbërëse e perandorive multietnike e multikulturore, por asnjëherë në një administratë shtetërore të vetme etnike, për shkak se idetë nacionaliste të shteti etnik do të importoheshin nga Evropa shumë më vonë në Ballkan. Në mes shekujve XVIII-XIX, në shtetin osman do të krijoheshin njësi vetëqeverisëse të njohura në Ballkan si Pashallëqe. Shqiptarët do të bënin pjesë në dy të mëdha: Shkodrës dhe Janinës, por të cilat nuk mund të kalonin mendësinë klanore, krahinore e feudale. Të gjithë ballkanasit të cilët kishin shijuar një paqe e harmoni mes popujsh në Pax Romana dhe Pax Ottomana, me idetë nacionaliste që depërtuan në shek. XIX, do të përgatisnin një arenë luftërash mes vete. Përderisa grekët, serbët e malazezët u bënë me shtetet e tyre, shqiptarët, ende pjesë e shtetit osman, jetonin në ndarje krahinore e fetare dhe pa ndonjë ide të re të organizimit politik, në përjashtim të grupeve intelektuale që vepronin në qendra e mëdha metropolitane si Stamboll, Bukuresht e Romë, tek të cilët kishin ndikuar rrymat e ndryshme ideologjike të shekullit XIX. Kërcënimi që erdhi me Shën Stefanin i një ndryshimi kufijsh në një realitet te ri politik, elementin shqiptar e zgjoi nga gjumi dhe rehatia osmane që në këtë shekull po venitej, si një pikë kthimi në reflektimin politik. Intelektualët që kryesisht vepronin në kryeqendrën perandorake përpiqeshin tashmë për një lloj unifikimi përbrenda perandorisë, duke u thirre në tejkalimin e ndarjeve fetare e krahinore, për t’u bashkuar rreth elementit gjuhësor. Në rrafshin e organizmit të përgjithshëm politik Lidhja me epiqendër në Prizren, do të ishte organizata e parë ushtarake dhe politike, e cila me kërkesa të qarta dhe me një reflektim politik mbi rrethanat e reja të krijuara do të fliste në emër të të gjithë popullit shqiptar. Duke u takuar përfaqësuesit e dy krahinave më të mëdha shqiptare, të Gegërisë e Toskërisë në Teqenë e Marashit në fund të 1879, do të nxirrnin edhe vendimet e reja të Kararnamesë. Ky takim i përgjithshëm i quajtur si “gjithëshqiptar” (Umumi Arnavutluk), dokumenti origjinal i të cilit gjendet në Arkivin Osman të Kryeministrisë në Stamboll, ndër tjera kështu fillon nenin e parë:“Lidhja jonë dhe i gjithë populli shqiptar (bütün Arnavud kavmı), mazaAllah (Mos e befte Zoti) te jene pjese e një shteti dhe administrate tjetër dhe te ndahen nga rregulli i përgjithshëm i Islamit, dhe asnjëherë dhe ne asnjë mënyre nuk do ta pranojmë ketë. Ne shpallim përpara gjithë botes se jemi besnik te zotërisë sonë, Padishahut tonë të fuqishëm, Madhërisë se tij Sultan Abdulhamit Hanit, besnik ndaj gjithë botes islame, hilafetit dhe shtetit të lartë osman…” Përveç karakterit të fuqishëm religjioz këtu vërehet përdorimi i termit “kavm” dhe jo “milet” që të dy nga arabishtja, por që i pari ka kuptimin për një popull që ka specifika të veçanta në gjuhë, zakone e kulturë dhe i dyti përfshin të gjithë pjesëtarët e të tri konfesioneve të mëdha monoteiste ashtu sikurse vetë shteti osman e kishte koncept të institucionalizuar për shekuj me radhë të ashtuquajturën “Sistemi i Miletit”.

Vula e Abdyl Frashërit- Përfaqësuesi i Toskërisë Abdullah Hysni
Vula e Abdyl Frashërit – “Përfaqësuesi i parisë së Toskërisë Abdullah Hyni

Pra, tani Lidhja po fliste në emër të një grupimi të veçantë gjuhësor përbrenda një shtetit, e që shënon edhe momentin politik gjithëshqiptar. Se tashmë ishte një organizatë politike me platformë politike dhe kërkesa të qarta, tregon edhe neni 3 i këtyre vendimeve të Marashit: ““Kater vilajetet: Janina, Shkodra, Manastiri dhe Kosova te shkrihen ne nje administrate te perbashkët dhe të vetme”. Ideja e një vilajeti të vetëm nën një administratë autonome kishte dalë tashmë nga intelektualët shqiptarë që vepronin kryesisht në Stamboll, e që përbrenda Lidhjes përfaqësoheshin nga përfaqësuesi i Toskërisë Abdyl Frashëri (emri i plotë Abdullah Hysni), i cili do të ndikonte që në periudhën e fundit Lidhja të fitonte më shumë karakter nacionalist.

 

Rregullimi ushtarak

Një nga çështjet qe nuk është trajtuar shumë tek organizmi i Lidhjes se Prizrenit është edhe mobilizimi dhe rregullimi i saj ushtarak. Në mesin e dokumenteve qe ekskluzivisht trajton ketë çështje është dokumenti “Tertibât-ı Askeriyye” apo shqip “Rregullimi ushtarak”. Sipas këtij dokumentit, Lidhja si një organizate qe vepron në të gjithë Shqipërinë (Arnavutluk) lëshon urdhërese për të gjithë meshkujt nga mosha 15 deri 60 vjeç te jenë te gatshëm për mobilizim dhe regjistrim neper regjistrat e organizatës. Përveç tjerash thuhej kështu: “Nga e gjithë Shqipëria, ata qe dëshirojnë ta sakrifikojnë shpirtin për te mirën e Din-it dhe Vatanit, nga mosha 15 deri 16 te mblidhen nga çdo kaza..” Si një organizim ushtarak pan-shqiptar, Lidhja, ushtrinë e saj e kishte ndarë ne katër klasa (sınıf), varësisht nga mosha.

Faksimile e dokumentit mbi rregullimin ushtarak të Lidhjes - Tertibati Askeriye
Faksimile e dokumentit mbi rregullimin ushtarak të Lidhjes – Tertibati Askeriyye

Lidhja Radikale!

Pasi që kishte ndryshuar dy herë radhazi vendimet e Kongresit të Berlinit për dhënje tokash Malit të Zi dhe pasi kishte zbrapsur me armë këta të fundit, pjestarët e Lidhjes sikur kishin fituar edhe më shumë vetëbesim, e një grup prej tyre, të kryesuar nga Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Hoxhë Ahmet Korenica e Sylejman Vokshi, të zhgënjyer nga pafuqia e qeverisë osmane, e cila qëndronte vetëm si shikuese në të gjitha këto zhvillime, kaluan në veprime radikale, duke shqyrtuar mundësinë edhe të ndarjes nga shteti osman. Nga 1880, nëpër gazetat e Stambollit e të Evropës do të flitej tashmë për një fazë tjetër të kërkesave të organizimit politik shqiptar. Për të na ofruar një paqsyrë më të qartë të lëvizjes së shqiptarëve, publicisti dhe gazetari i njohur Ali Shefkat, i cili së bashku me grekun Teodor Kesap botonin në Gjenevë dhe Napoli gazetën osmane “Istikbal”, më 23 korrik 1880, në numrin e 7 të saj do të botonte një artikull me titull “Lidhja e Shqipërisë” (Arnavultuk Ittihadı). Që në fillim të shkrimit bën të ditur për rëndësinë dhe fokusin që Lidhja kishte në shtypin evropian të asaj kohe: “Njëra nga çështjet politike e ndoshta edhe e para që ka pushtuar shtypin evropian sot është çështja e Lidhjes së Shqipërisë”. Sa i përket çështjes së autonomisë shkrimi vë në pah që ajo diskutohej si në shtypin evropian po ashtu edhe në kryeqytetin osman: “Sipas pretendimeve të gazetave në Stamboll për kërkesat tashmë të kësaj lidhje, kuptohet që shqiptarët nuk kërkojnë vetëm largimin nga tokat e tyre të malazezëve por tashmë ata punojnë për të forcuar një ndjenje dhe bashkim popullor si një opozitë e fortë për qeverinë, dhe gjithashtu sipas informacioneve që kemi nga shtypi evropian thuhet që kërkesat nuk mjaftohen me lirimin e tokave nga ana e malazezëve por për një kauzë tashmë të autonomisë”.

Faksimile e shkrimit të Ali Shefkatit në gazeten e tij Istikbal - Arnavud Ittihadi
Faksimile e shkrimit të Ali Shefkatit në gazeten e tij “Istikbal” – “Arnavud Ittihadi”, 23 korrik 1880 Napoli

E nga korrespodentët e një gazete vjeneze që shkrimi i Shefkatit citon, tregohet për entuziazmin dhe tubimet e zjarrta anë e kënd Shqipërisë së asaj kohe. “Gazeta vjeneze njofton për euforinë që ka kapluar Shqipërinë me mitingjet popullore që janë mbajtur në Toskëri dhe Shkodër dhe përmend një fjalim të një anëtari të organizatës së Lidhjes që me një guxim dhe trimëri foli për idealet e lirisë dhe pavarësisë së shqiptarëve në një të ardhme të afërt”. Korrespodentët e gazetës së cituar si duket kishin sjellë edhe fjalimet që ishin mbajtur gjatë tubimeve: “Fjalimi që më së miri tregon për kërkesa e Lidhjes Shqiptare është ky fjalimi që përmendëm më sipër, të cilin ne e kemi sjellë në formën e përkthyer” Që në fillim të fjalimit vërehet zhgënjimi që shqiptarët kanë nga evropianët dhe vendimet e tyre në Berlin: “Vëllezër! Ajo që është bërë e ditur tashmë nga takimet që popujt më me ndikim të botës kanë mbajtur në Konferencën e Berlinit, është se popullin dhe vatanin tonë të shenjtë në mënyrë më përçmuese kanë vendosur ta lënë nën një popull malsorësh”. Pjesa më interesante e fjalimit është mbi pretendimet mbi të drejtën historike dhe mburrjen me të kaluarën e lavdishme, e që prek antikitetin dhe figurën e madhe të Aleksandërit të Madh: “Ne jemi pasardhësit e drejtpërdrejtë të Aleksandrit të Madh që kaluam nëpër shumë sfida dhe për shkak se sot kemi mbetur të rrethuar nga ca përbindësh duhet që popullin tonë ta mbrojmë dhe duhet përkujtojmë varret e gjyshërve tanë”. Braktisja me forcë e krahinave kufitare me Malin e Zi dhe Serbinë nga ana e popullatës shqiptare kishte shkaktuar indinjatë dhe zemërim të thellë tek populli shqiptar. Zemërimin më të madh kishin mbi autoritetet osman të cilat ishin në mes dy zjarresh në këtë kohë: Të përkrahnin shqiptarët e të ngatërroheshin me implikime ndërkombëtare apo të respektonin vendimet ndërkombëtare e të humbnin besimin e një populli brenda tij. Kjo e fundit edhe ngjau. Tashmë zemërimi me autoritetet kishte shkuar në atë pikë sa që kjo shihej si tradhti në sytë e shqiptarëve. Indinjatën e thellë me autoritetet osmane na sjell edhe shkrimi në fjalimin e zjarrtë të lartcekur: “Na dhemb zemra për vëllezërit tanë në Podgoricë që braktisën vatrat e tyre, dhe ne sot nëse nuk punojmë gjer në frymën e fundit nesër të tjerë vëllezër do ti braktisin, e ju a e pranoni një gjë të tillë? “Jo, jo nuk e pranojmë”  dëgjoheshin nga turmat. “Mijëra herë nuk e pranoj. Që pesëdhjetë vjet që i shërbej me besnikëri dhe mirësi Salltanatit Osman dhe sot me aq sa kuptoj nga qëndrimet, idetë dhe qëllimet e padishahut që është në pushtet, nuk njoh as Stambollin e as qeverinë e tij” dhe duke hequr nga gjoksi i tij nishanet dhe urdhërat e nderit i hodhi ato në tokë, gjest ky që u pasua nga gjashtëqind zabitë e ushtarë që hoqën nishanet e tyre dhe i shkelën me këmbë. Që nga sot neve nuk na mbet asnjë lidhje as me Stambollin dhe as me hyqymetin atje. Sot është dita ti tregojmë botës se kush jemi ne” – përfundon me këto fjalë fjalimi nga tubimet që Lidhja mbante në Shqipërinë e asaj kohe. Si pikë vendimtare e rezonimit politik shqiptar mund të merret edhe dorëzimi i Ulqinit nga autoritetet osmane dhe lufta heroike për mbrojtjen e tij që bënë shqiptarët. Dorëzimi i Ulqinit ishte akt pabesie, por pikë kthese në mendimin dhe orientimin politik të shqiptarëve.

Shkruan: Shasivar Kabashi

 

*Ky artikull është botuar në gazeten “Koha Ditore” me datë 09.06.2018 

/historicumblog.wordpress.com

Prev Post

Historia e Lidhjes së Prizrenit

Next Post

Konferenca e VII-të Mbarëkombëtare e Arkivistikës në Manastir

post-bars

Leave a Comment