Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Konferenca e VII-të Mbarëkombëtare e Arkivistikës në Manastir

Konferenca e VII-të Mbarëkombëtare e Arkivistikës në Manastir

Në vazhdën e një tradite tanimë solide, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (Shkup) dhe me Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe (Manastir) zhvilluan punimet e Konferencës së VII-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës.

Ekspertë, arkivistë dhe studiues të arkivave të rrjeteve arkivore kombëtare u bënë bashkë në Manastir për të diskutuar mbi problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin, përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionin e punës së arkivave në realitetin e sotëm.

Fjala përshëndetëse e konferencës u mbajt nga Drejtori i Përgjithshëm i DPA-së, Ardit Bido dhe përfaqësuesi i ASHAK-ut, Hysen Azemi.

Synimi i kësaj konference periodike është lëvrimi i lëmit të arkivistikës si shkencë e posaçme, të mëvetësuar nga historia apo shkenca të tjera të përafërta. Në fokus të kumtesave të mbajtura janë çështjet që mbulojnë arkivat, përgjegjësinë, aksesin në të dhëna, mbrojtjen e të dhënave personale, bashkëpunimin rajonal në fushën e arkivave, trashëgiminë kulturore arkivore, trafikun ilegal të trashëgimisë dokumentare, etikën dhe arkivat, trajnimin arkivor, si dhe turizmin dhe promovimin e arkivave.

Manastiri ishte ndalesa e radhës për edicionin e përvitshëm të Konferencës Mbarëkombëtare të Arkivistikës, që është zhvilluar më herët në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në Sarandë, në Tuz dhe në Boletin.

 

Dita e parë e punimeve të Konferencës u zhvillua më datë 9 qershor, fill pas çeljes së Këndit Arkivor, hapësirës së “binjakëzuar” të Sallës së Studimit në Tiranë.

Ky bashkëpunim i përvitshëm kurorëzohet me botimin e revistës “Arkivat Shqiptare”, e cila përfshin punimet e përgatitura prej kumtuesve. Revista e përbashkët, që është e vetmja në fushën e arkivave në mbarë trojet shqiptare, ka një origjinë të hershme në botimet e vazhdueshme të institucioneve homologe përgjatë 58 vjetëve të fundit./KultPlus.com

Prev Post

Lidhja e Prizrenit – Organizata më e madhe politiko-ushtarake!

Next Post

Shaban Murati: Ftesë për promovimin e librit tim të ri

post-bars

Leave a Comment