Letërsi Kontakt| Ismail Kadare, 3 poezi.
RETË
Mes maleve tutje prej tokës lindore,
seç ra një ushtar nën plumbat mizorë.
As kryq nuk i vunë, s’e shtinë në tokë,
as nënë e as motër s’iu gjendën mbi kokë.
Veç retë që vinin që larg nga vatani
e panë dhe e njohën e zunë të qanin.
KITARISTI
Kokën si shpellë e ka mbështetur mbi kitarë,
gjashtë telat si gjashtë udhë zgjaten në mugëtirë
ç’pe ashtu mbi tela,
që me dorën e madhe
i re rëndë-rëndë
dhe e dëbove prej atyre?
Kë thirre vallë tjetër,
që menjëherë, ja,
iu përgjigj thirrjes sate dhe mbi telat erdhi,
duke shkelur lehtë e ëmbël,
Gjersa shkau e ra
në gropën e kitarës
si në një hon të thellë?
Pastaj dora jote mbi telat mbolli lule,
pastaj prej tyre shkundi
fletë të verdha.
pastaj, për një çast,
të shkretë telat mbetën,
si udha dimërore, ku fryn veç era.
Kitarist,
Mos i lër telat të ngrijnë,
shkunde dëborën prej tyre, shkunde.
Të mos bëhen telat rrugica të mbyllura
të jenë telat udhë të pafundme!
Dhe prapë mbi gjashtë telat ai dëbon e thërret
herë trishtimin e madh,
herë harenë e madhe.
Mbi këto gjashtë udhë që e lidhin me jetën
ngrihet kokë e tij si një shpellë krenare.
U ZUNË RRUGËT
U zunë rrugët me dëborë,
afër teje s’mund të vij,
rri dritareve me orë,
në mendime futur rri.
Era zë të ulërijë;
gjithë rrugët mbenë shkret
bora s’ka ndër mend të shkrijë
ti siç duket nuk më pret.
|Radio Kontakt