Mungon orientimi për vizitorët, domosdoshmëri sinjalistika turistike në Gjirokastër
Numri i lartë i turistëve kërkon edhe shërbim më të mirë ndaj tyre. Në qytetin e Gjirokastrës është bërë e domosdoshme mirëmbajtja dhe ripërtëritja e sinjalistikës orientuese për vizitorët vendas dhe të huaj.
Përgjatë komplekseve muzealë dhe objekteve “Monument Kulture” janë të vendosura tabela, të cilat orientojnë turistët duke e bërë më të këndshme guidën e vizitës në qytetin e gurtë.
Në disa raste këto tabela janë të dëmtuara dhe nuk mirëmbahen ndërkohë që rritja e numrit të pikave të vizitueshme e bën të domosdoshme vendosjen e tabelave të reja në qendrat turistike.
“Përveç Google Map përdorin edhe tabelat orientuese që janë nëpër lagjet e Gjirokastrës por duhet që të mirëmbahen dhe duhet që të shtohen sa më shumë në pikat kulminante aty ku ata mund ta shohin të nevojshme për të arritur në destinacionin e tyre të preferuar. Pjesa e Pazarit është pjesa që duhet ti kushtohet më shumë rëndësi pjesës së sinjalistikës”,-tha Ergys Ajdini, guidë turistike.
“Ne përdorim smart fonin për tu orientuar dhe vizituar pikat e ndryshme, të cilat na interesojnë, nëpërmjet google map shikojmë mundësinë sesi mund të shkohet aty . Në këtë mënyrë për ne orientimi është i mundur. Do të ishte mirë që të orientoheshim edhe nëpërmjet sinjalistikës apo hartave të ndryshme”,-tha turisti nga Gjermania.
Institucionet e trashëgimisë kulturore në bashkëpunim me pushtetin vendor kanë përgatitur nja plan masash për ripërtëritjen e sinjaliastikës informuese dhe orientuese për turistët, që përfshin jo vetëm zonën muzeale të Gjirokastrës por edhe rrethinat.
“Kemi vendosur disa tabela në zonën e Manastirit të Spilesë, në Manastirin e Mingulit dhe në Antigone. Gjithashtu në zonën historike të qytetit të Gjirokastrës sinjalistika orientuese për turistët po rinovohet”,-tha Ardis Duka, drejtor i DRKK Gjirokastër.
Prej fillimit të vitit Gjirokastra është vizituar nga rreth 35 mijë turistë vendas dhe të huaj, duke u kthyer në një prej qendrave kryesore për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit në vendin tonë./ euronews.al