Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 Teoritë kontradiktore për ekzistencën e Homerit

Teoritë kontradiktore për ekzistencën e Homerit

Homeri ka qenë një personazh që ka ngjallur gjithmonë mosmarrëveshje midis studiuesve. A ka ekzistuar vërtet autori i Iliadës dhe Odisesë? Ky dyshim është ngritur që në kohët e lashta, dhe saktësisht në shekullin VII p.e.s. kur Kalinusi nga Efesi iu referua qarkullimit të veçantë të dy poezive, të cilat nuk mund të ishin shkruar nga i njëjti person.

Debati u thellua në epokën moderne, me botimin e traktatit “Prolegomena ad Homerum” nga Fridrih Volf në vitin 1795, që shënoi fillimin e një sërë studimesh të kritikës analitike mbi poemat homerike, veçanërisht mbi Iliadën, që ishte teksti më i fragmentuar dhe më asimetrik. “Çështja” ka vazhduar deri në ditët e sotme, dhe mbetet kryesisht ende e pazgjidhur si enigmë.

Çështja homerike sipas grekëve

Çështja homerike filloi që në kohët e lashta, në shekullin III p.e.s., kur disa studiues të gramatikës filluan të studionin tekstet greke që gjendeshin në Bibliotekën e Aleksandrisë në Egjipt. Kështu lindi një disiplinë e shkëlqyer e quajtur filologji, por edhe një enigmë e madhe.

Duke analizuar tekstet, studiuesit aleksandrianë, Ksenoni dhe Elaniku, zbuluan dallime të mëdha midis Iliadës dhe Odisesë, duke ngritur hipotezën se ato nuk i përkisnin të njëjtit autor apo se ky nuk kishte ekzistuar kurrë. Sipas studiuesve, vetëm Iliada është shkruar nga Homeri.

Teza e tyre u kundërshtua me vendosmëri nga Arstarku i Samotrakës, që pretendonte se Iliada ishte shkruar kur poeti grek ishte i ri, ndërsa Odisea ishte një vepër e shkruar nga Homeri në një moshë më të pjekur.

Çështja homerike në epokën moderne

Pas shumë vitesh heshtje dhe përpjekjesh intelektuale, çështja homerike u ringjall me forcë në shekullin XVII. Në atë kohë, Abati d’Obinjak shkroi një disertacion pasionant mbi Iliadën, në të cilën ai teorizoi se Homeri nuk kishte ekzistuar kurrë, dhe se në realitet poema e tij ishte një përzierje këngësh të ndryshme të lindura nga tradita gojore të kompozuara në faza të ndryshme.

Ndërkohë, historiani dhe filozofi Xhiambatista Viko hodhi hipotezën se dy poezitë ishin në të vërtetë një vepër kolektive, e krijuar nga i gjithë populli grek. Sipas tij, nën emrin Homer fshiheshin një mori bardësh, këngëtarë që e argëtonin publikun në fillim me bëmat e Akilit dhe më pas me ato të Odiseut.

Viko i justifikoi kontradiktat e brendshme të Iliadës dhe Odisesë me të qenit në fillim rrëfime gojore, të shtjelluara nga disa autorë anonimë. Për më tepër, sipas studiuesit Homeri nuk kishte ekzistuar kurrë, ai ishte një personazh i lindur nga një legjendë. Në shekullin XVIII, kjo hipotezë u mbështet nga filologu gjerman Friedrih Volf.

Çështja homerike në epokën bashkëkohore

Një kontribut interesant në studimet homerike u dha në vitin 1928 nga Milman Perri. Duke analizuar traditën epike sllave të kohës së tij, studiuesi amerikan gjeti disa pika të përbashkëta me poemat homerike. Prandaj, sipas teorisë së tij, Iliada dhe Odisea ishin produkt i trashëgimisë orale, siç dëshmohet nga epitetet e ndryshme – formulat e përsëritura për të identifikuar personazhet (p.sh perëndeshë me krahët e bardhë) – të përdorura për të lehtësuar memorizimin e këngëve.

Ndërkohë në vitet ’90 të shekullit XX, helenisti Vinçenco Di Benedeto deklaroi se Iliada është vepër e një autori të vetëm, të cilin ai e identifikon me emrin e Homerit. Sipas gjykimit të studiuesit, tek kjo vepër kemi një teknikë rrëfimtare unitare që nuk i atribuohet autorëve të ndryshëm anonimë.

Di Benedeto mendon se Odisea mund të jetë vepër e një poeti tjetër. Sot, studimet mbi veprën homerike janë shumë të polarizuara. Sipas analizës gjuhësore të studiuesit britanik Martin L. Uest, këngët e Iliadës dhe Odisesë paraqesin një strukturë të qartë unitare, dhe për këtë arsye arritën në një version përfundimtar përpara se të shpërbëheshin në traditën gojore.

Uest vë në pikëpyetje teorinë e Parrit, duke deklaruar se në bazë të poemave homerike ekziston një projekt i qartë origjinal, më pas i zgjeruar nga trashëgimia popullore orale, që dikur këndonte legjendat e traditës.

Atëherë kush ishte në të vërtetë Homeri?

Një nga dëshmitë historike për ekzistencën e tij na vjen nga Pindari, i cili pretendon se Homeri ka lindur në qytetin e Smirnës në Turqinë e sotme. Nga ana tjetër, Herodoti e gjurmon ekzistencën e Homerit 400 vjet më parë para kohës së tij dhe pohon se ai ka lindur në Melesigenes, në lumin Meleto.

Tregimi i Herodotit, i përfshirë në librin Vita Herodotea, thotë se Homeri nuk ishte emri i vërtetë i poetit, por një pseudonim që iu dha më vonë. Në fakt, Homeri rrjedh nga fjala ‘ho mḕ horṑn’ që do të thotë “ai që nuk sheh”. Në fakt edhe legjenda thotë se Homeri ishte i verbër .

Ndërkohë, poeti Hesiod e konfirmon ekzistencën reale të Homerit, duke pretenduar se ai ishte një nga bashkëkohësit e tij, dhe pretendon se një ditë ata lexuan së bashku poezitë e tyre përkatëse gjatë një konkursi mbi poezinë. Por, të gjitha këto rindërtime historike mbi figurën e Homerit janë në kontrast me njëra-tjetrën.

Nuk është ende e mundur t’i jepet një datë e caktuar figurës së tij, dhe as një gjeografi e saktë e përkatësisë etnike. Megjithatë, ka shumë statuja dhe vende të shenjta të ngritura për nder të tij, të cilat tregojnë se si grekët e lashtë e nderonin poetin si një figurë hyjnore, të frymëzuar drejtpërdrejt nga muzat. Prandaj është një personazh legjendar, i rrethuar nga një atmosferë e shenjtë hyjnore.

Iliada dhe Odisea mund të konsiderohen për grekët e lashtë, ajo që është Bibla sot për popullin e krishterë. Ajo nuk ishte thjesht një mit, por një rrëfim që jepte vlera, mendime, urdhërime dhe mund t’i atribuohej vetëm një autori legjendar, Homerit, më i madh se vetë emri i tij. /Sololibri/Në shqip nga: bota.al/

Nga: Alice Figini

Prev Post

‘Ora e Leximit’ në shkollat e kryeqytetit, synon të reduktojë problemet e lexim-kuptimit të teksteve

Next Post

RAI3: Vjosa, lumi i egër i Evropës, e mbushur me vlera dhe potenciale

post-bars

Leave a Comment