‘Ora e Leximit’ në shkollat e kryeqytetit, synon të reduktojë problemet e lexim-kuptimit të teksteve
Një program i ri, ‘Ora e Leximit’ do të filloj të implementohet në të gjitha shkollat fillore, të ciklit të ulët të kryeqytetit, shkruan KultPlus.
‘Ora e Leximit’, është një program i cili është marr si koncept nga shtetet e Suedisë dhe Kanadasë, shtete të cilat kanë korrur rezultate konkrete pas problemeve të shumta që kanë pasur nxënësit në pjesën e leximit dhe kuptimit të teksteve.
Gjatë kësaj ore të leximit nxënësit do të kenë mundësi që të lexojnë libra të cilët u pëlqejnë, e të cilat më pastaj do t’i analizojnë së bashku me shokët e klasës dhe mësimdhënësit.
‘’Në Orën e Leximit, nxënësit e klasëve 1 deri në 5 të Prishtinës do të lexojnë libra që ju pëlqejnë, që i kuptojnë, dhe që do t’i komentojnë e analizojnë në klasë së bashku me shokët e klasës dhe mësimdhënësit.’’, thuhet në njoftim.
Më poshtë gjeni të plotë njoftimin të publikuar nga Besianë Mehmeti:
Jam e lumtur të ju njoftoj se po e fillojmë Orën e Leximit në të gjitha shkollat fillore të Prishtinës, për të gjitha klasët e para deri në klasën e pestë.
Bashkë me Agon A. Ahmeti nga ETEA, konceptin e kësaj ore të leximit e kemi marrë nga Suedia dhe Kanada, ku të dyja shtetet kanë pasë probleme në lexim-kuptim të nxënësve dhe e kanë nxjerrë si politikë që ka dhënë rezultate konkrete.
Së pari kemi blerë libra të rinj, në vlerë prej mbi 100 mijë euro dhe do ti shpërndajmë në shkolla.
Fëmijët do të lexojnë libra që atyre ju pëlqejnë. Do të lexojnë Utën e Maleve, Piter Panin, Princin e Vogël, Aventurat e Profesor Kantit, Çarlin që transformohet në T-Rex, Ditarin e Djaloshit Nerd, do të mësojnë për Musinë Kokalarin, Greta Thunberg, Nënë Terezën, e shumë e shumë personazhe të tjera.
Në Orën e Leximit, nxënësit e klasëve 1 deri në 5 të Prishtinës do të lexojnë libra që ju pëlqejnë, që i kuptojnë, dhe që do t’i komentojnë e analizojnë në klasë së bashku me shokët e klasës dhe mësimdhënësit./KultPlus.com