Cili është dallimi midis një telefoni të lirë dhe atij që kushton mbi 1,000 dollarë?
Secili prej nesh mund të jemi drejt kërkimit të një telefoni të mirë por me një çmim më të përballueshëm.
Prodhuesit e telefonave smart kanë një mori pajisjeve që variojnë me çmime nga më të lartat e deri te ato me çmim të ulët, transmeton Telegrafi.
Por cili është në të vërtetë ndryshimi midis një telefoni të lirë dhe një telefoni të shtrenjtë?
Mediumi australian Gizmodo ka bërë një lloj kërkimi ku ka shqyrtuar shumë telefona, nga pajisjet e thjeshta të lira deri tek pajisje e palosshme luksoze, dhe sipas këtij mediumi shumica e njerëzve do të mund t’ia dilnin mbanë me një telefon më të lirë dhe më me pak fuqi.
Ku qëndron dallimi midis një telefoni të lirë dhe një telefoni të shtrenjtë?
Telefonat e shtrenjtë janë zakonisht më të fuqishëm se alternativat më të lira kur bëhet fjalë për kamerën, ekranin, procesorin dhe pikat e fuqisë grafike, por mënyra se si fuqia shtesë mund të përkthehet tek përdoruesi mesatar mund të jetë e vështirë të matet.
Për sa i përket çmimit, telefonat e lirë mund të fillojnë nën 100 dollarë, derisa telefonat më të shtrenjtë mund të kushtojnë mbi 1,000 dollarë – në fakt telefoni Samsung Galaxy Z Fold 4 kushton 2,159 dollarë me hapësirë ruajtjeje 1TB.
Performanca e brendshme
Le të fillojmë me procesorin dhe RAM-in. Telefonat në shumicën çmimeve janë në një vend mjaft të mirë tani për sa i përket performancës së softuerit.
Në të vërtetë nuk ka asgjë nga ana e aplikacioneve që një telefon më i lirë me 499 dollarë nuk mund ta bëjë atë që mund të bëjë një telefon 1,299 dollarë – ata mund të ekzekutojnë të njëjtat aplikacione nga të njëjtat dyqane aplikacionesh, me disa aplikacione (në veçanti, aplikacionet e lojrave intensive grafike) që kanë disa kufizime në shpejtësinë e kuadrove ose cilësinë e grafikës.
Dallimet nuk fillojnë të shfaqen vetëm derisa të punoni me të vërtetë me pajisjen dhe avantazhet e më shumë memorie RAM dhe një procesori më të fuqishëm bëhen të dukshme.
Një telefon më i shtrenjtë, siç është iPhone 14 Pro Max, me çipin e tij A16 Bionic, zakonisht do t’i rezistojë stresit më të madh të përpunimit sesa telefoni i së njëjtës seri, më i lirë, iPhone 14, i cili është i pajisur me çipin A15 Bionic.
Kjo në thelb do të thotë se iPhone 14 Pro Max mund të jetë në gjendje të trajtojë më shumë gjëra në të njëjtën kohë, të tilla si më shumë aplikacione të hapura njëkohësisht, aplikacione në sfond, aplikacione grafikisht intensive dhe aplikacione që harxhojnë baterinë në mënyrë më të qëndrueshme sesa modeli më i lirë i iPhone 14.
Dallimi mbetet i paqartë kur modelet me çmim më të lirë pajisjen me të njëjtat çipa sikurse homologët e tyre më të shtrenjtë.
P.sh Google Pixel 6a, ka të njëjtin çip Tensor sikurse modelet premium Google Pixel 6 dhe 6 Pro, por për shkak të kufizimeve të tjera të harduerit, si ekrani me shpejtësi më të ulët të rifreskimi, më pak RAM dhe më pak kapacitet ruajtjeje, nuk ka gjasa që një përdoruesi do të shohë të njëjtat avantazhe të performancës së çipit në modelin më të lirë.
Përfundimi: ia vlen të mendoni pse performanca e brendshme ka rëndësi për ju, jo vetëm që performanca është e rëndësishme. Nëse ju nevojitet vetëm një telefon për aplikacionet dhe shfletimin e mediave sociale bazë, mund t’ju kryejë punë një pajisje më e lirë, por nëse keni nevojë për një telefon që përpunon të dhënat shpejt, mund të ekzekutojë lehtësisht aplikacione me grafikë të lartë dhe mund të ketë shumë aplikacione të hapura menjëherë, mund të dëshironi një model më i shtrenjtë.