Parlamenti Europian miraton vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën
Parlamenti Evropian (PE) miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës si hap i fundit në këtë proces.
Me këtë vendim, pritjes së gjatë të qytetarëve të Kosovës i vjen fundi dhe konkretisht ata do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen nga 1 janari i vitit 2024.
Miratimi i këtij vendimi në Parlamentin Evropian u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.
“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit (të ministrave të BE-së) dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar”, tha kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.
Një ditë më vonë, më 19 prill, do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.
Këshilli i ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar.
Pas këtij vendimi, ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës ku në një komunikatë për media është thënë se “Liberalizimi i vizave tashmë është realitet”.
“Ditën e sotme u votua pozitivisht në Parlamentin Evropian dhe vendimi final mbi liberalizimin e vizave. Ai do të nënshkruhet zyrtarisht ditën e nesërme në Strasbourg nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, ku do të jetë prezent dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi”, njofton Qeveria e Kosovës.
Sipas Qeverisë, falë punës së saj, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se “Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante”.
Qeveria bënë të ditur se vendimi i liberalizimit të vizave për kosovarët do të publikohet në gazetën zyrtare dhe hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit.
Rregullat e reja mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën do t’i lejojnë qytetarët të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore.
Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me kohë, por deri më tani mungonte konsensusi në mesin e vendeve anëtare për avancimin e procesit.
Albin Kurti e ka cilësuar një lajm të mirë liberalizimin e vizave për Kosovën. Përmes një postimi në Twitter ai tha se një vendim i tillë i sjell një hap të rëndësishëm më pranë Bashkimit Evropian. Kurti falënderoi eurodeputetët për mbështetjen e tyre.
Postimi i plotë:
“Lajm i mirë për Kosovën sot! Parlamenti Evropian miratoi udhëtimin pa viza për qytetarët tanë duke filluar nga 1 janari 2024. Kjo na sjell një hap të rëndësishëm më pranë Bashkimit Evropian dhe duke kontribuar në pasurinë që ofron BE. Faleminderit eurodeputetëve për mbështetjen e tyre.”
/AA