Shko në fillim

LiveRadio Kontakt
 62 vjet nga vdekja e Ahmet Zogut – si u bë mbret dhe si iku nga Shqipëria

62 vjet nga vdekja e Ahmet Zogut – si u bë mbret dhe si iku nga Shqipëria

Ahmet Zogu është lindur në Burgajet të Matit, më 8 tetor 1895. Ishte politikan shqiptar, ministër i Brendshëm (30 janar-14 nëntor 1920), kryeministër i Shqipërisë (1922-1924), president (1925 – 1928) dhe mbret, 1 shtator 1928 – de facto 7 prill 1939 pas pushtimit italian, ndërsa, de-jure më 2 janar 1946 pas shpalljes së Shqipërisë Republikë. Më 9 prill 1961, Ahmet Zogu ka vdekur në Spitalin e Sursnes afër Parisit në orën 16.00, në moshën 66-vjeçare.

Ahmet Zogu mësimet e para i kishte marrë në vendlindje nga mësues privat si Sali Toron, Hysen (Efendi) Cekën dhe Dervish Himën për gjuhën shqipe, Hafiz Muharremin për gjuhën turke, deri në moshën 13-vjeçare.

Më 15 qershor 1905, ai ishte larguar për në Stamboll dhe kishte filluar studimet në Lyce Imperial de Galatasaray, qendra e atëhershme e Perandorisë Osmane në rënie, që kishte kontrolluar Shqipërinë dhe më vonë në akademinë ushtarake deri më 1912. Pas vdekjes së të atit më 1908, Zogu ishte bërë Beu i Matit, i quajtur edhe Beu i vogël. Ishte zgjedhur në vend të vëllait Xhelal bej Zogolli.

Gjatë Lufta e Parë Botërore, Zogu kishte dalë vullnetar në krah të Perandorisë Austro-Hungareze. Ai ishte mbajtur në Vjenë në 1917 e 1918, e në Romë në 1918 e 1919, përpara se të kthehej në Shqipëri më 1919.

Gjatë kohës në Vjenë, ai kishte shijuar stilin e jetës së Evropës Perëndimore dhe thuhet të ketë qenë shumë i pëlqyer mes grave vjeneze. Ahmet Zogu kishte marrë mësimet në gjuhën gjermane dhe thelluar njohuritë në artin ushtarak dhe në diplomacinë perëndimore.

Mbas vdekjes së babait të tij, Xhemal Pasha Zogu, ai ishte bërë i zoti i shtëpisë së tij, duke u mbështetur nga nëna e tij, Sadije Toptani që më pas ishte bërë nëna mbretëreshë. Në atë kohë 13 vjeç, Ahmet Zogu ishte bërë kështu shef i krahinës së Matit.

Më 20 korrik 1912 Ahmeti, ishte kthyer në Shqipëri për arsye se Fuqitë Ballkanike, të përkrahur hapur nga Rusia, ishin duke u përgatitur që t’i shpallnin luftë Perandorisë Osmane, si rrjedhojë Shqipëria do të vuante pasojat e kësaj lufte. Në 1 Nëntor 1912, ai kishte marrë pjesë me 2000 matjanët e tij në luftë kundër ushtrive serbo-malazeze, duke i dalur në ndihmë qytetit të Shkodrës, i cili ishte mbrojtur nga Hasan Riza Pasha dhe daja i tij, Esat Pashë Toptani. Por, ishte thyer keq nga serbët në Zadrimë.

Më 28 Nëntor 1912, në shpalljen e pavarësisë në Vlorë nga Ismail Qemali, Matin, Dibrën dhe Mirditën e kishte përfaqësuar Beu i Vogël, i cili kishte kryesuar delegacionin prej 26 vetash. Ndërkohë që, luftonte, ishte njoftuar se Dibra ishte pushtuar dhe ishte djegur nga forcat serbe, si dhe ishin duke iu drejtuar Matit. Atëherë, Ahmet Zogu me shpejtësi të madhe ishte nisur për në Mat, ku kishte filluar menjëherë përgatitjet për të mbrojtur të paktën Matin nga sulmi.

Mbas përfundimit të kuvendit, Ahmet Zogu ishte kthye në vendlindje, ku kishte organizuar mbrojtjen e krahinave të Matit dhe Dibrës, kundër ushtrisë serbo-sllave. Në Mat Zogu, kishte shumë armatim dhe municione, për të cilët kishin nevojë kryetarët e Kosovës e të Dibrës, të cilët shkonin në Mat për t’u furnizuar. Edhe një herë Mati ishte bërë qendra e Shqipërisë dhe bijtë e tij nuk i kishin braktisur të ardhurit, por i kishin mbajtur në familjet e tyre të pandarë në ushqime.

Gjatë qeverisjes së Ismail Qemalit, Zogu kishte mbrojtur interesat e kësaj qeverie, duke kundërshtuar edhe Esat Pashë Toptanin. Në kohën e ardhjes dhe përpjekjeve të Princ Vidit që të instalonte qeverinë e tij në Shqipëri, ai e kishte përkrahur atë. Në pranverën e 1914, kishte plasur një kryengritje kundër Vidit (e cila mendohej se ishte ideuar nga Esat Pashë Toptani).

Zogu ishte vënë në ndihmë të Princ Vidit dhe kishte kërkuar nga forcat rebele që të tërhiqeshin dhe mos të rrezikonin interesat kombëtare. Mbas një përgjigje negative nga ana e rebelëve, ai kishte marshuar drejt Elbasanit dhe Krujës, i kishin thyer forcat rebele dhe ishte vendosur në Krujë. Gjatë kohës që ishte në Krujë, Princ Vidi ishte larguar nga Shqipëria dhe ia kishte lënë administrimin e vendit një përfaqësie ndërkombëtare, kjo kishte bërë që edhe Zogu të tërhiqej nga Kruja drejt Matit.

Në luftën e parë botërore, Mbreti Zog ishte rreshtuar në krah të Austro-Hungarisë dhe kishte vënë në dispozicion të luftës 10.000 luftëtarë (çliron Skraparin dhe Durrësin). Më 3 Mars 1916, Zogu kishte thirrur Kongresin Kombëtar, në Elbasan për të diskutuar mbi fatin e Shqipërisë.

Kjo iniciativë e tij, në fillim kishte mbështetjen nga Austro-Hungaria, e cila më vonë ishte trembur dhe e kishte penguar. Ky akt kishte bërë që Zogu të tërhiqej nga Lufta e Parë Botërore, si shenjë revolte kundër këtij veprimi. Austriakët, ngaqë ishte nip i Esat Toptanit donin ta internonin. E ëma, i kishte kërkuar ndihmë At Pal Dodajt, atëherë në Rubik, që t’i shpëtonte të birin. At Dodaj kishte shkuar në Burgajet, e kishte veshur si frat Ahmetin, e kishte marrë në Kuvendin e Rubikut. Me ndërhyrjen e At Dodajt, Zogu kishte shkuar me studime në Austri, në një Akademi Ushtarake.

Në janarin e 1917, mbas vdekjes së Franc Jozefit, në Vjenë ishte bërë kurorëzimi i Karlit dhe ishte ftuar një delegacion nga Shqipëria. Mbas kësaj ceremonie austriakët i kishin kërkuar Zogut, që të qëndronte në Vjenë, vend i cili kishte ofruar bursa për një grusht shqiptarësh, e kishte plane për Shqipërinë. Atje ai kishte takuar dhe Çatin Saraçin.

Ai ishte detyruar të vendosej në Vjenë deri në përfundim të Luftës. Në 1919, Shqipëria kishte rrezikuar realisht ndarjen, kështu që Zogu, ishte rikthyer në aktivitetin politik, duke kërkuar që të mbahej një kongres kombëtar për të mbrojtur fatet e Shqipërisë, kongres që ishte mbajtur në Lushnjë më 21-31 janar 1920 i siguruar me 9,000 vetë nga ai (Kongresi e kishte emëruar ministër të brendshëm).

Më 11 shkurt 1920 pas kundërshtisë italiane për të mos lejuar vendosjen e qeverisë në kryeqytetin e vendit në Durrës, Zogu çan barrikadën dhe siguron vendosjen e qeverisë dhe Këshillit të Naltë në Tiranë. Më 6 mars 1920 së bashku me ministrin e Drejtësisë bën bashkimin e Shkodrës me pjesën tjetër të vendit. Në shkurt–nëntor 1920 stabilizon rendin në Shqipëri. Në nëntor 1920 suksesi i tij ngjall xhelozi dhe si pasojë e saj, qeveria jep dorëheqjen. Më 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Partisë Popullore në Këshillin Kombëtar. Më 4 nëntor 1921, emërohet nga qeveria, komandant të operacioneve ushtarake për krahun lindor kundër serbëve. Më 14 dhjetor 1921 pas shtypjes së grushtit të shtetit vjen në Tiranë dhe siguron qetësinë e vendit. Më 24 dhjetor 1921 emërohet sërish ministër i Punëve të Brendshme.

Më 1922 ndryshon mbiemrin, duke hequr mbrapa-shtesën turke -olli, dhe duke lënë thjesht Zogu.

Në mars 1922 i bën ballë rebelimin të forcave opozitare duke ruajtur kryeqytetin nga anarkia. Më 2 dhjetor 1922 për herë të parë emërohet kryeministër. Në këtë post, Zogu ishte i pari që nisi punën për hartimin e ligjeve organike të ministrive. Për këtë qëllim ai ngriti grupet e ekspertëve me nga dy përfaqësues për çdo ministri. Në shtator 1923 Zogu konfirmohet edhe si kryetar i Partisë Popullore. Në dhjetor 1923 Zogu arrin të sigurojë numrin më të madh të votave në zgjedhjet për Kuvendin Kushtetues, por pa arritur numrin e duhur për krijimin e qeverisë së re. Për herë të parë ai zgjidhet me dy mandate, në Dibër dhe në Durrës.

Më 23 shkurt 1924 për shkakun se Zogu me anë të një koalicioni me independentistët siguroi një shumicë të re, iu organizua një atentat brenda Kuvendit Kushtetues. Zogu plagoset gjatë hyrjes së tij në parlament nga Beqir Valteri me 24 shkurt. Te Zogu po hynte në derë Valteri, i cili qëlloi me qetësi tre herë mbi trupin e Ahmet Zogut. Zogu mori tre plumba, një në dorë, një në kofshë dhe një në bark.

Në sallën e parlamentit pllakosi një atmosferë tepër e rëndë, pasi duke qenë se shumica e deputetëve ishin të armatosur, ekzistonte rreziku i një përleshjeje të armatosur mes palëve kundërshtare, shkruan KosovaPress.

Pas disa sekuencave të frikshme Beqir Valteri u ndalua dhe Eljaz Vrioni mori fjalën për të qetësuar situatën, ndërsa Zogu nga vendi dhe me zë të lartë foli: “Zotërinj, nuk është hera e parë që ngjet një gjë e tillë, ndaj ju lutem miqve të mi ta harrojnë për një çast atë çfarë ngjau dhe të merren me vonë me këtë punë”.

Kjo ndërhyrje e Zogut dhe e Vrionit shmangu një kasaphanë të vërtetë në sallën e Asamblesë.

Iu afrua Eqrem Bej Vlora me dr. Simonidhin që verifikoi dëmin që kishin bërë dy plumba që e kishin marrë kalimthi duke e çarë thellë, njëri në kofshë e tjetri në baqth; plagët u lidhën përkohësisht.

I shoqëruar me një eskortë të fuqishme, kryeministri u strehua në shtëpinë e tij, dhe filloi të kurohej pa problem nga që plagët ishin shumë më të lehta se sa që ishin pritur, plagë të cilat nuk penguan të priste as vizitat e miqve. Madje Zogu përfitoi nga rasti të takohej vetë me atentatorin. Më tej jep dorëheqjen. Gjendja acarohet.

Në maj–qershor 1924 opozita organizon një grusht shteti. Qeveria “Vrioni” që u rrëzua më 10 qershor 1924 e kishte emëruar ditët e fundit të saj, komandant për shtypjen e grushtit të shtetit në veri.

Në qershor 1924 për të mos i dhënë rrugë gjakderdhjes, Zogu largohet në Jugosllavi. Gjykata politike e kundërshtarëve të tij politikë e dënon me vdekje në mungesë. Në dhjetor 1924 me vendim të qeverisë “Vrioni” dhe me përkrahjen e fuqive të mëdha, Zogu rikthen legjitimitetin e rrëzuar në qershor 1924. Më 6 janar 1925 Këshilli i Naltë e dekreton kryeministër dhe ministër të Brendshëm.

Presidenti i parë i Republikës Shqiptare, Ahmet Zogu

Më 25 janar 1925 Kuvendit Kushtetues shpalli Republikën Shqiptare. Dhjetë ditë më vonë, Ahmet Zogu u zgjodh nga Kuvendi Kushtetues, kryetar i republikës, duke qenë në të njëjtën kohë edhe kreu i pushtetit ekzekutiv. Gjatë kësaj kohe, Ahmet Zogu riktheu stabilitetin në vend, si dhe mundësoi nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike, politike e ushtarake që forcuan pozitën e Shqipërisë.

Paqëndrueshmëria e stabilitetit politik të vendit në vitet ’20, detyroi një grup parlamentarësh të propozonin shqyrtimin e regjimit shtetëror në Shqipëri, parlamenti vendosi në favor të këtij propozimi.

Pas zgjedhjeve të parakohshme më 25 Gusht 1928, u propozua ndërrimi i formës së qeverisjes, u formua komisioni statusor, i cili propozoi ndërrimin e formës së regjimit nga republikë në monarki. Ky propozim u hodh në votim dhe parlamenti më 30 gusht 1928, vendosi që Asambleja Kushtetuese të proklamojë Shqipërinë Mbretëri Demokratike Parlamentare të Trashëgueshme.

Më 1 Shtator 1928, Asambleja Kushtetuese proklamoj: “Mbret të Shqiptarëve” nën emrin “Zog I”. Ceremonia e kurorëzimit ishte planifikuar për në orën pesë, por në katër e gjysmë dhoma e bardhë e parlamentit ishte mbushur plot me deputetë, punonjës civilë, kryetarë të fiseve disa të veshur me frakë dhe të tjerë me feste prej leshi të bardhë. Krerët e misioneve të huaja ishin gjithashtu të pranishëm, edhe pse përpiqeshin të mos binin në sy. Rasti ngrinte pyetje të vështira protokolli, ndaj duke reflektuar verdiktet pezull të qeverive të tyre, diplomatët kishin zgjedhur veshje mëngjesi, pa dekorime. Për të dëshmuar se pjesëmarrja e tyre ishte informale ato u rrasën në turmën e mbledhur në hollin modest, duke ua lënë hapësirën e rezervuar për to korrespondentëve të “Associated Press”.

/euronews/

Prev Post

Gjuha shqipe, pjesë e kurrikulës në Universitetin e Harvardit

Next Post

Të veçantat gjenetike të kafshëve më jetëgjatë

post-bars

Leave a Comment